Nocioni, klasifikimi dhe procedurat e mbledhjes, paketimit dhe ...
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI” Stuja... · Struktura tekstore dhe forma e të...
Transcript of UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI” Stuja... · Struktura tekstore dhe forma e të...
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”
FAKULTETI I FILOLOGJISË
DEGA: Letërsi shqipe
(Punim diplome)
Tema: Anton Pashku - stilist i veçantë i letërsisë shqipe
Mentori: Kandidatja:
Prof. ass. dr. Labinot Berisha Alma Stuja
Gjakovë 2018
2
Përmbajtja
Abstrakti …………………………………………………………………..…………… 3
Hyrje ………..………………………..………………….…………………………… 4
KREU I
1. Disa fjalë për autorin ……………………………………..……………………… 6
1.1. Njeriu i penës dhe letrave shqipe ………..……..…………….....................… 7
1.2. Shkrimtar pararendës i letërsisë sonë ……………….……………..…………… 8
KREU II
2. Rrugëtimi i veprës së tij ……………………………………………………………. 10
KREU III
3. Anton Pashku dhe thesari i tij tregimtar ………………..………………………….. 12
3.1. Libri me tregime “Nji pjesë e lindjes” ……………….………………………… 14
3.2. Libri me tregime “Lutjet e mbrëmjes” ……………….………………….............. 17
3.3. Vlera estetike e tregimeve të Anton Pashkut ………..……………………….…… 20
KREU IV
4. Romancieri modern i letërsisë shqipe …………………………………..…….……… 22
4.1. Rreth romanit “Oh” - panoramë e subjektit dhe ndërtimit të tij .......................... 23
KREU V
5. Vendi i Anton Pashkut në dramaturgjinë shqiptare …..………………..…………….… 30
Përfundim ..……………...…………………..…………………………………………… 32
Bibliografia …………………………...……………………………..……………….…… 33
3
Abstrakti
Proza moderne shqiptare „lulëzoi‟ së bashku me Anton Pashkun. Ajo që e dalloi më së
shumti rëndësinë e shkrimeve të autorit ishte kultivimi i rrëfimit gojor, shtresimi ironik gjatë
gjithë rrëfimit ku narratori e përhap në mënyrë të tërthortë të rrëfimit, e jo si deklarim të
qëllimshëm dhe moralizues. Këto labirinte të mendimeve e përbëjnë tharmin krijues të prozatorit
modern Anton Pashkut.
Ndër veprat e para që mund t‟i përkasin modernitetit në letërsi janë pikërisht veprat e
Pashkut, thënë më konkretisht tregimet, duke qenë se krijimtarinë e tij e filloi me tregime. Jo më
kot e kanë çmuar i tërë brezi i tij, sepse ka qenë konsekuent që prej skicave të para që i ka botuar
dhe jo vetëm. Romani i njohur “Oh”, tregimet e tij antologjike dhe letërsia për fëmijë,
dramaturgjia dhe ciklet e tjera të krijimtarisë së Pashkut tregojnë më së miri rëndësinë e tij dhe
„shtegtimin‟ e gjerë krijues.
Kur përmendet romani modern shqip ndër të vetmit që „e ka mbajtur bajrakun‟ ka qenë
Anton Pashku. Vepra e tij u shqua shumë shpejt sepse ishte ndryshe prej asaj që ishte krijuar deri
atë kohë. Rëndësia e veçantë e veprave të tij ka të bëjë me tematikën, me mënyrën e shkrimit dhe
shprehjes dhe me kërkesat që i shtronte ai për letërsinë në tërësi. Ai qe një fenomen letrar me
prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike. Krijimet e tij shfaqen me shumësi mendimi,
shumësi figurative të fjalës dhe njëkohësisht me vetëdije të lartë estetike të arritur deri në model.
Vet shkrimtari mendonte se gjuha e shkrimeve artistike nuk mund të jetë një gjuhë normale.
Moderniteti i tij ka pikën e takimit me letërsinë botërore. Veprimtaria e tij krijuese është ndër më
uniket dhe autentiket në letërsinë shqipe. Mbetet shkrimtari shembullor i modernitetit të letrave
shqipe.
Fjalët kyçe:
Vepra, gjuha, prozator, modernist, unik, autentik.
4
Hyrje
Ndodh shpesh që kontakti i parë me një vepër apo autor arrin të krijojë përshtypje dhe ai
kontakt të jetë shkaktari për një qasje të re. Kjo ka ndodhur me mua që në leximin e parë të
prozës së Anton Pashkut, e cila ka arritur të ngjallë kureshtje dhe të tërheqë me veçantësinë e saj.
Që në fillimet e krijimtarisë së tij “bëri hapat e parë drejt bërthamave të feshura ndër grumbujt e
gëzhojave”1. Ai synonte të sillte diçka që mbetej, të shprehte atë që vinte nga jashtë, atë që
ndjente dhe t‟i paraqiste pastaj me një gjuhë shprehëse, një gjuhë figurative. Një gjuhë që me
fuqinë e vet për transformime, çeli shtigjet që çonin kah kristalizimi i shpirtit të njeriut. Shtigje
që ia siguruan pavdekësinë.
Qenësinë e veprave të tij e bën para së gjithash mënyra e shtjellimit gjuhësor dhe mesazhi
poetik. Struktura tekstore dhe forma e të shprehurit është sa e shumëllojshme, po aq e
ndërliqshme dhe e krijuar me përkushtim deri në imtësi. Stili i veprave të Pashkut është rrjedhojë
e botës së tij të brendshme dhe e shijes së stërholluar artistike që e krijoi ai nga leximi i veprave
me vlera të shquara, qoftë të letërsisë kombëtare, gojore e të shkruar, qoftë të kryeveprave të
letërsive të tjera.
Qëllimi: Zgjedhja për t‟u marrë me autorin si personalitet dhe veprat e tij, bëhet për arsye të
dekodimit të botës së tij të larmishme dhe enigmatike. Duke qenë një talent me shije të hollë dhe
me një sistem gjuhësor më të ndërlikuar, lexuesit e kanë parë si një sprovë ku kërkohet më tepër
përkushtim e dije. Veprat e tij janë shembulli më i mirë se si njeriu mund të pasurohet
shpirtërisht me vlerat e artit të fjalës. Gjithashtu, “duke u nisur nga fakti se vepra letrare e Anton
Pashkut shquhet për vlera poetike kulminante në fushën e tregimit, të romanit dhe të dramës të
letërsisë sonë, njohja dhe studimi i kësaj vepre, ku nëpërmjet një arti të madh shqiptohet bota dhe
fati i njeriut tonë, po edhe qenësia e botës dhe e fatit të njeriut në përgjithësi, nënkupton para së
gjithash gjakimin për bërjen e artit të njëmendtë letrar pjesë të gjallimit kulturor e shpirtëror”2.
Metodologjia e punës: Metodat e përdorura gjatë shtjellimit të dukurive në këtë punim
diplome janë të ndryshme dhe të kombinuara në varësi të objektit të vëzhguar, por edhe të
1 Anton Nikë Berisha, në hyrje: Në mbretërinë poetike, - kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa,
Prishtinë, 2002, fq. 7. 2 Po aty, fq. 11.
5
qëllimit që kam pasur. Gjatë shqyrtimit kam shfrytëzuar metodën historike për t‟u njohur më
mirë me jetën dhe veprimtarinë e autorit. Gjithashtu edhe metodën hulumtuese për të zbuluar
disa nga arsyet që e cilësojnë dhe e dallojnë nga të tjerët. Përdorimi i analizës tekstore dhe
metodave semiotike do të mbizotërojë në të gjitha rastet që kam hulumtuar elementet tekstore
dhe tiparet e stilit të autorit. Po kështu, krahas kësaj metode që do të përdoret në shumicën e
rasteve përdora edhe metodën krahasuese, me qëllim nxjerrjen në pah të analogjive dhe tipareve
të veprës së këtij autori me vepra dhe autorë të tjerë.
Ky punim diplome objektivin e hulumtimit, analizimit dhe interpretimit për gjatë gjithë
shtrirjes së tij ka veprën e shkruar në prozë të autorit Anton Pashku, e cila përfshin krijimet
përfaqësuese të tij, si: romani “Oh”3, përmbledhjet me tregime: “Galtina”
4, “Kulla”
5, ”Tregime”
6,
“Kjasina”7, “Tregimet fantastike”
8 dhe “Lutjet e mbrëmjes”
9.
Në mbyllje të kësaj hyrjeje: u jam mirënjohëse profesorëve që na përcollën gjatë studimeve,
për punën e tyre të palodhshme, për përkushtimin dhe respektin që treguan për ne studentët dhe
familjes sime për mbështetjen e vazhdueshme. Në veçanti profesorit Labinot Berisha, për punën
e tij, i cili ishte i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe i gatshëm për mbikëqyrjen hap pas hapi gjatë
hartimit të punimit të diplomës.
3 Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990. 4 Anton Pashku, Galtina, Faik Konica, Prishtinë, 2005. 5 Anton Pashku, Kulla, Naim Frashëri, Tiranë, 2007. 6 Anton Pashku, Tregime, Jeta e Re, Prishtinë, 1961. 7 Anton Pashku, Kjasina, Rilindja, Prishtinë, 1973. 8 Anton Pashku, Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1989. 9 Anton Pashku, Lutjet e mbrëmjes, Rilindja, Prishtinë, 1998.
6
KREU I
1. Disa fjalë për autorin
Anton Pashku (1937- 1995) i lindur në Grazhdanik të Prizrenit nga prindër hasjanë. Nënën,
Getën e kishte nga Zymi, kurse babain, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (fshat pak më
larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). U shkollua në vendlindje dhe në Prishtinë, ku kreu gjimnazin real.
Një kohë ishte gazetar kulture, pastaj redaktor në Redaksinë e botimeve të Rilindjes, ku mund të
thuhet se kjo shtëpi ishte qendra e formimit të tij dijetar. Shkrimet letrare filloi t‟i botojë që nga
viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995.
Anton Pashku është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të veçantë të letërsisë
shqipe. Paraqitja e tij (që nga tregimet e para) qe dhe mbeti në letërsinë tonë një fenomen më
vete. Është një ndër autorët e rinj, që në vitet e ‟70 e ndryshuan hartën letrare të Kosovës. Ky
autor i veçantë, që opusin e tij krijues në prozë e realizon në vitet ‟60, por tërësisht dallueshëm
nga autorët e brezit të tij. Me këtë rast, nënkuptojmë stilin e tij tërësisht të ndryshëm, me një botë
të figurshme, e cila në autonominë e saj përbënte problem për brezin krijues, por edhe për shumë
breza më vonë. Pikërisht me të, ndjehet fuqishëm ndërrimi i gjuhës së letërsisë, pra kapërcimi
nga gjuha letrare si pushtet, në gjuhën e letërsisë si estetikë.
Anton Pashku në planin stilistik del të jetë mjeshtër i madh i gjuhës, madje duke arritur ta
bëjë mjetin themelor të artit letrar, dukuri kjo e pahetuar më parë në prozën shqipe. Duke shikuar
më thellë, shfaqet dhe si inaugurues i prozës meditative të tipit xhojsian të ne. Disa kritikë letrarë
e quajtën eksperimentues, sepse proza e tij nuk u shkrua duke e pasur “presionin” e kohës. Kur
lexohet në tërësi proza e këtij autori, kuptohet qartë se ajo nuk ka krijuar raporte varshmërie apo
përshtatjeje me korpusin e teksteve letrare të autorëve të brezit pararendës. Arti i tij shkaktoi një
“krizë” në kuadër të fenomenit të pranimit nga ana e lexuesit, nga ana e kritikës, e cila ishte
mësuar të lexonte libra që i shkonin për shtat vetëdijes së saj ideologjike. Prandaj, ajo që nuk i
afrohej përngjasimit, përshtatjes, gjithsesi se konsiderohej hermetike, e pakuptimtë, pa vetëdije
për perceptimin e saj. Por, kjo gjë nuk e ndaloi tharmin e tij krijues dhe veçantësinë e veprave të
tij.
7
1.1. Njeriu i penës dhe letrave shqipe
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet ecja në rrugë të sigurt të letërsisë moderne
shqiptare. Një krijues i madh, i cili do ta vazhdojë rrugën e vet, i bindur për aftësitë dhe
mundësitë e tij krijuese. Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës
shqiptare. Vizioni i tij largpamës që njëkohësisht e përbën tharmin e tij krijues, realizohet përmes
strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon pareshtur lexuesin që të
kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur e bën lexuesin të jetë zëri kryesor. “Qenësinë e
veprave të tij e bën para së gjithash mënyra e shtjellimit gjuhësor dhe mesazhi poetik. Struktura
tekstore dhe forma e të shprehurit është sa e shumëllojshme, po aq e ndërliqshme dhe e krijuar
me përkushtim deri në imtësi.”10
Mënyra e perceptimit të botës dhe të dukurive të saj, ndjesive të shpirtit të njeriut
shprehen në të gjitha veprat e tij. Këto tipare fillojnë që në fushën e tregimit e novelës, ku
dallohen “Kulla”, “Floçka”, “Anija e dehut” etj. Në fushën e romanit “Oh-u” i shumëpërfolur,
ndërsa në fushën e dramaturgjisë “Sinkopa” dhe “Gof”. Stili i veprave të tij kushtëzohet
gjithmonë nga gjendja e tij e brendshme shpirtërore, gjendje që e provokon aftësinë e tij dhe e
nxjerr më të mirën nga autori. “Vepra poetike e Anton Pashkut “lexohet vështirë”. Me sintagmën
“lexohet vështirë” nënkuptohet fakti se për të depërtuar në artin pashkian, në qenësinë dhe në
shumësinë e domethënieve të veprave të tij, kërkohet një përpjekje e vazhdueshme, një
përqëndrim i shumfishuar gjatë leximit dhe një njohje solide jo vetëm e artit të fjalës, e veçantive
të tij, por edhe e dijeve të tjera, me të cilat krijimi letrar artistik, në procesin e ekzistimit, të
pranimit (receptimit) e të ndikimit, përkon dhe lidhet. Kjo ngjet për arsye se, siç është thënë me
të drejtë, arti i njëmendtë, kulminant, për t‟u bërë pronë e individit, kërkon përherë mund e
përpjekje të mëdha e të pareshtura.”11
Pashku artin e mirëfilltë e kërkoi kudo. Vlen të përmendet punimi “Vox Clemantis in
deserto”12
i viteve ‟80, ku bashkë me një grup krijuesish dhe intelektualësh kosovarë, A. Pashku
u ngrit kundër ideologjisë në art, përkatësisht kundër artit letrar ideologjizues dhe letërsisë
socrealiste. Edhe pse ky reagim nuk ndeshi në përkrahje e në mirëkuptim të gjerë, ai nuk mbeti
10 Anton Nikë Berisha, në hyrje: Në mbretërinë poetike - kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa,
Prishtinë, 2002, fq. 10. 11 Po aty, fq. 11. 12 (Gazeta “Rilindja”, 2. X. 1971)
8
pa jehonë dhe pa ndikim në jetën letrare dhe krijuese të Kosovës dhe më larg. Në krijimet e tij,
Pashku e tregoi veten si një shkrimtar fenomenesh të dijeve dhe ndërdijeve njerëzore. Një
shkrimtar që përpos talentit kishte dhe vullnet të madh; që ushqen ndjenjën më të lartë të
përgjegjësisë ndaj lexuesit e veprës së vet; që ndien me tërë intensitetin e artistit manifestimet e
fenomeneve të jetës dhe të psikikës së njeriut; që duke e krijuar fizionominë e vet letrare, ka
marrë një pamje, një rrugë, të cilën do ta kemi gjithmonë në letrat tona.
1.2. Shkrimtar pararendës i letërsisë sonë
Anton Pashku është shkrimtar pararendës i letërsisë sonë pikërisht sepse me gjuhën
poetike sjell diçka të re, një stil të ri. Letërsia shqipe ka shumë tregime dhe romane me temë të
luftës, sidomos të Luftës së Dytë Botërore, por krijimet e Pashkut kanë arritur që t‟i pushtojnë
mendjet e lexuesve dhe studiuesve të mirëfilltë. Pse ndodh kështu? Pikërisht për arsye të gjuhës
së tij poetike, të një simbolike sa të vështirë për ta kuptuar po aq mbresëlënëse dhe kuptimplotë.
Pashku është një individualitet krijues i veçantë, autentik dhe origjinal në letërsinë tonë.
Tregimet me shprehësinë e fjalës, me përsëritjet e tyre dhe me vlerat artistike që përmbajnë e
kanë lidhur lexuesin emocionalisht me tekstin letrar të tij.
Me gjithë karakteristikat e tyre specifike, që dëshmojnë gjithsesi shprehjen origjinale të
autorit në letërsinë shqipe, tregimet e Anton Pashkut të kujtojnë prozën ekspresioniste, simbolike
dhe psikologjike të Franc Kafkës, Xhejms Xhojsit, Virxhinia Vulfit, Viljem Fonkerit, Xhorxh
Orvelit, por me disa veçori, edhe të Dostojevskit dhe Edgar Alan Poit. Gjithashtu, shpesh
dëgjohet që Pashkun e thërrasin me epitetin “Xhojsi i letërsisë shqipe” (Ibrahim Rugova).
Shquhet sidomos për një përdorim të madh të figurave stilistike. Për të arritur tek idetë që
dëshiron t‟i përçojë te lexuesi, ato duhet të reflektohen nga mjeshtëria dhe detaji i përdorimit të
figurave letrare dhe nga mënyra e të menduarit. “Ky autor heshturazi bën thirrje për një lexues, i
cili më shumë mendon për mënyrën se si është thënë sesa për atë se çfarë është thënë, duke e
kërkuar kështu lexuesin që i ngjet.”13
13 Nysret Krasniqi, Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99 AIKD, Prishtinë, 2016.
9
Që në krijimet e para është munduar të krijojë një lidhje në planin tematik dhe ideor.
Tema që kanë të bëjnë me luftën, dashurinë dhe vdekjen, duke formuar kështu trinomin e
famshëm ideor të tij. Me të gjitha këto tema dhe motive arrin të jetë një autor i veçantë, madje
sfidues për brezin e tij, i cili stilin e ka kthyer në kult, ndërsa diskursin metonimik si mënyrë e të
menduarit. Ai nuk e ndërron asnjëherë shprehjen artistike dhe stilin e tij, madje e ushtron edhe
më shumë deri në përsosmëri dhe arrin të lërë tek lexuesi markën e shkrimit të vet.
10
KREU II
2. Rrugëtimi i veprës së Anton Pashkut
Që prej shkrimit të parë në revistën “Jeta e Re” të vitit 1955 e në vijim, vepra e tij letrare
u dallua si një vepër me një identitet të lartë artistik. Pashku me mënyrën e të shkruarit zuri
menjëherë një vend të veçantë në letërsinë shqipe. Duke qenë se autori mendonte që gjuha e
veprave nuk mund të jetë një gjuhë “normale”, sigurisht që do të krijonte një stil të ri të të
shkruarit. Simbolika e përdorur në të gjitha veprat e tij kërkon që tekstet e autorit të vëzhgohen
në të gjitha shtresimet dhe nënshtresimet, nëntekstet dhe kontekstet, zbërthim të figurave letrare,
për t‟u vërejtur ashtu siç duhet mesazhi dhe vlera e tij kumtuese.
Vepra letrare e Pashkut në tri njësitë: në “Tregimet fantastike”14
, romanin “Oh”15
dhe në
“Tragjedinë moderne”16
, prezanton në një pikëpamje më ndryshe thelbin e jetës. Autori edhe pse
respekton një ndër elementet më të rëndësishme të tregimit që janë koha dhe hapësira,
pavarësisht kësaj me anë të aftësisë së tij krijuese duket sikur koha “ngrin” dhe në këtë kontekst
e paraqet fatin e njeriut, qoftë si individualitet apo qoftë si kolektivitet njerëzor. Intelektualizmi i
lartë në procesin krijues ka bërë që Pashku edhe sot e kësaj dite të mbetet një shkrimtar i
rëndësishëm i modernitetit të letërsisë shqipe. Të gjitha krijimet e tij përshkohen nga një ndriçim
i fjalëve, i frazës së bukur, i figurave të ndryshme dhe i harmonisë kuptimore e tekstore. E gjithë
vepra e tij është e veshur me simbolikë dhe përmes saj shpërfaqet fati i personazheve dhe
mjedisit. Ndërsa, kur lexuesi arrin ta zhveshë veprën nga simbolika i kupton veprimet e
personazheve dhe rrjedhojën e binomit shkak-pasojë.
Kombinimet e tyre hapin rrugën që teksti të shikohet si një dekor në lëvizjen e jetës dhe
vdekjes. Teksti përmbrenda e përfaqëson autorin dhe aftësinë e tij krijuese, ndërsa teksti jashtë, e
përfaqëson lexuesin dhe aftësinë e tij të të kuptuarit. Proza eksperimentuese e Pashkut i ka dhënë
lirinë që personazhet t‟i paraqesë me një kompleksivitet më ndryshe. Kështu, në bazë të
përjetimeve të tyre, dritëhijeve që i ndjekin pas, raportet me shoqërinë dhe mjedisin, lexuesi e ka
të vështirë t‟i klasifikojë në personazhe pozitiv/negativ, të pranueshëm/ të papranueshëm, të
drejtë/ të gabuar etj.
14 Anton Pashku, Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986. 15 Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990. 16 Anton Pashku, Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986.
11
Opusi i tij krijues shpjegohet më së miri përmes një strukture të plotë figurative, duke
filluar që nga mjetet shprehëse: gjuha, gjuha si fjalë, gjuha si shprehje, gjuha si sintaksë,
mendime të thella dhe të lira dhe sidomos simbolika, e cila zuri “vendin e nderit” si figurë në
krijimet e tij. Një analizë më e hollësishme e veprave të tij të bënë të shikosh mjeshtërinë e
Pashkut për të ngritur një paralele ndërmjet përbërësve stilistikorë dhe atyre gramatikorë. Pra, ai
respektoi rregullat sintaksore dhe renditjen e fjalëve: kryefjalën, kallëzuesin dhe kundrinorin, por
nga ana tjetër arriti t‟i shprehë akoma më fuqishëm mendimet e tij me anë të figurave letrare.
Pashku si një krijues duhet të vlerësohet me një emërtim të dallueshëm nga të tjerët ashtu
siç edhe ishte si i tillë. Shkrimet e tij dhe risitë që shfaqen në letërsi mund t‟iu drejtohemi me
togfjalëshin “Kodi i Pashkut” pikërisht për shkak se e theu akullin dhe solli diçka ndryshe.
Prandaj, vepra e tij nuk mund të shpjegohet apo të mësohet përmendësh, por duhet të studiohet,
të analizohet dhe me anë të kodit të tij të veçantë të komunikimit dhe lidhjes që krijon me
lexuesin të kuptohet dhe në fund të vlerësohet.
12
KREU III
3. Anton Pashku dhe thesari i tij tregimtar
Tregimet e Pashkut janë dëshmi e një përparimi të dukshëm të autorit, veprës së tij dhe
njëkohësisht, dëshmi serioze të ngritjes së prozës sonë artistike. Në tregimet e tij autori shtjellon
tema të rëndësishme të cilat i trajton në mënyrë moderne direkte, por mjaft të komplikuara, me
plot piktura interesante poetike të dendura me shumëkuptimësi dhe me përplot ide sa të
guximshme për kohën aq dhe të dobishme për lexuesin. Krijimtaria e tij solli në letërsinë tonë
mjaft elemente të reja, freskim, koshiencë dhe gjurmim serioz në botën e brendshme të
personazheve të tij, pa marrë parasysh cilit ambient i takojnë. Pikërisht stili i tij provokoi që
lexuesit të ndahen në dy grupe: lexuesit që e kanë pranuar prozën e tij si diçka fare të re dhe atë
si autor shumë të talentuar i cili kontribuoi në pasurimin e prozës shqipe dhe në grupin e dytë
hyjnë ata lexues që e kanë mohuar pothuaj fare sepse kanë hasur në “vështirësinë e të kuptuarit të
veprës së tij”.
Tregimet e Pashkut dëshmojnë se ai e ka mjaft të zhvilluar ndjenjën e të vërejturit të
realitetit, shqisën artistike për t‟i dalluar gjërat e vogla dhe të mëdha që ndodhin në jetën e njeriut
dhe trajtimin e gjendjes shpirtërore të njeriut përmes dukurive individuale dhe psikologjike. “Për
të mundë me e përjetue në mënyrë të plotë dhe me pasë simpati ndaj kësaj proze, lexuesi duhet
pa tjetër me i qëndrue me nji aktivitet të gjallë e kuptim të gjanë fazës së parë të përjetimit
t'atmosferës në "hymjet" e tregimeve, të cilat nuk janë edhe hymje në vetë ngjarjen dhe veprimin
e tyne. Nëse e përballon këte, shpesh, ka me u bindë se ka të bajë me nji prozë kuptimplotë, me
nji autor i cili asht aderues i nji mënyre të posaçme të të shprehunit dhe që din dhe ka çka me
thanë, që nuk i mungon guximi artistik për me e thanë ate që e thotë metaforikisht, apo në
mënyrë direkte…”17
17 Hasan Mekuli, Gjurmim serioz i trajtave të reja, në: Anton Nikë Berisha, NË MBRETËRINË POETIKE-kritikë
letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 20.
13
Përmes detajeve që Pashku përdor në veprën e tij arrin t‟i ndriçojë situatat e paraqitura,
karakteret dhe brengat e tyre. Jeta e njeriut është e vështirë të përkufizohet. Ndoshta sepse njeriu
e ka të vështirë të përkufizojë veten e vet, e ka të vështirë të eksperimentojë me specien e vet, ose
ndoshta mendja jonë është e projektuar në atë mënyrë që të mos zbulojë të fshehtat tona. Prandaj
krijimtaria e Pashkut, na paraqet detaje që nga e kaluara deri te e ardhmja jonë. Ai i pikturon
njerëzit me veti interesante, veti që na joshin dhe me veti që na “dëbojnë nga vetja”. Kjo ndodh
për arsye që çdo kohë e ka tragjiken e vet, të bukurën, heroizmin, humanizmin, çdo ndjenjë për
të cilën njerëzit kanë luftuar. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri linja themelore tematike:
linja e temës së dashurisë, linja e temës së vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një
totalitarizëm; dhe tema për dhunën mbi individin. Tregimet e Pashkut janë më tepër studime
psikologjike në psikikën e njeriut dhe personazheve që autori merr për subjekt të trajtimit të vet
artistik.
“Shkrimtar observacionesh të pasura e analitik fenomenesh të nduar ndër duarshme të psikës dhe
të ndërdijes së njeriut, Anton Pashku është një ndër lavruesit gjer më tani më seriozë të tregimit
tonë të shkurtër psikologjik, për të mos thënë edhe të tregimit tonë psikologjik në përgjithësi. Ai
është ndër të parët këtu te na që rroket me trajtimin artistik modern të subjektit në prozë, që i jep
prozës së tij më tepër karakteristikën e prozës psikologjike, se sa të asaj sterotipike deskriptive a
narrative, për të mos thënë raportuese, gazetareske.”18
18 Vehap Shita, Hulumtimet psikike në prozën e A.Pashkut, në: Anton Nikë Berisha, NË MBRETËRINË POETIKE-
kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 36.
14
3.1. Libri me tregime “Nji pjesë e lindjes”
Një shkrimtar fenomenesh të dijes dhe ndërdijes së njeriut, është një ndër lëvruesit më
serioz të tregimeve tona, sidomos të tregimit psikologjik. I ri, që përpos talentit posedon dhe një
vullnet të madh. Punon pa u ndalur dhe është në gjendje të shkruajë dhe të rishkruajë një gjë jo
me ditë dhe javë, por me muaj. Një shkrimtar që ushqen një ndjenjë të lartë të përgjegjësisë
kundrejt lexuesit. “Në dukje të parë, proza e Anton Pashkut është më parë akt studimi se sa akt
përjetimi spontan që, natyrisht, do të dukej më i drejtpërdrejtë e shpeshherë edhe më interesant
mu për shkak të intensitetit me të cilin e tregon një përjetim të tillë. Por proza e Pashkut është,
megjithatë, edhe akt i përjetimit artistik të subjektit të përcjellur me studimin më të thellë të të
gjitha anëve të tij, prandaj rrjedhimisht - ajo është një studim i hollë psikologjik i treguar me
pendën e artistit të talentuar. Shpeshherë Pashku zgjedh vetëm ndonjë detaj, ndonjë imtësi në
dukje fare të parëndësishme dhe rreth kësaj e shtjellon pastaj të tërë subjektin dhe idenë e vet,
prej nga rezulton edhe porosia e tij.”19
Libri me tregime “Nji pjesë e lindjes” përmban dhjetë tregime, të cilat janë: Ora,
Falimentimi i një zotnije, Xixëllonjat, I ziu, Nji pjesë e lindjes, Zjarrmija, Nata, Floçka, Si e
përshkroi andrrën e vet njeriu me kapelë, Disa fjalë për nji plak e librin e tij kushtue tymit.
Shkruan në gegërisht, por është mjaft e qartë dhe e thjeshtë për t‟u kuptuar. Duke qenë se
gegërishtja letrare nuk ka mundësi “të vdesë” autori u mundua që ta pasqyrojë përmes veprës së
tij një element më shumë që i solli pavdekësinë e veprës së tij. Lufta është shumë shpesh motiv i
tregimeve të Anton Pashkut. Janë interesante këto motive të luftës të para me sytë e një të riu që i
ka përjetuar ditët e luftës si fëmijë dhe që tani e ndien tërë peshën e tyre me të treguar a të lexuar
dhe me pasojat e rrjedhimet që ka lënë ajo dhe që janë gjithnjë prezente në personazhet e tij.
Prandaj, motivet e luftës, ai i paraqet ashtu siç i ndien. Gjithmonë është i prirë nga një lloj
entuziazmi që e bën të anojë në tregimet e tij andej nga janë simpatitë e tij dhe nga mendon që
është e drejta. Shembuj të motiveve të tilla kemi në tregimet “Si e përshkroi andrren e vet njeriu
me kapelë” dhe “Disa fjalë për nji plak dhe librin e tij kushtue tymit”.
19 Vehap Shita, Hulumtimet psikike në prozën e A. Pashkut, në:Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike - kritikë
letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 38.
15
Në tregimin “Si e përshkroi andrren e vet njeriu me kapelë”20
, Pashku e paraqet me
pamje pothuaj natyraliste. Fillon me përshkrim të dukurive, gjërave dhe njerëzve, flet në vetën e
parë dhe nuk mungojnë bashkëbisedimet. Këtu paraqet kujtimet e një vrasësi, i cili edhe tani
është gjithnjë i lidhur me veprimet e tij dhe me mizoritë që ka bërë në kohën e luftës, duke i
kujtuar ato me gjakftohtësinë më të madhe. Rajnhardi, Hansi, Njeriu me vrragë, janë vetëm disa
nga kriminelët, që Pashku i portretizon si përbindësha, të cilëve dita u dukej e shkurtër për t‟i
kryer krimet e tyre dhe kapaciteti i armëve që përdornin i vogël duke qenë se çdo ditë shfaqeshin
njerëz të rinj, që duhej djegur e bërë hi në shtëpitë e tyre. Përmbajtja dhe mënyra e të rrëfyerit të
drejtpërdrejtë, lënë mbresa rrënqethëse dhe kujtime që i hapin plagët e së kaluarës dhe ngjallin
frikën për të tashmen: “…Më futi mbrenda. Dera u mbyll dhe tash isha në terr. Mandej ndieva
tue më sha ai që ishte n‟uniformë dhe i cili ma vuni kambën ndër brinjë dhe n‟at mënyrë ma dha
nji të shtyme. Tash rrokullisesha nëpër dofarë shkallësh. Tanë trupi m‟u dërrmue. Tekembramja,
trupi im ndeshi në dicka dhe u ndal. Por, s‟kaloi shumë kohë dhe përsëri më kapi dikush me
krrabzë. Dhe përsëri ndieva shamjen dhe mandej prap zuna me u rrokullisë nëpër do shkallë
tjera. U rrokullisa ashtu për nji kohë të gjatë dhe dikur, papritmas, më ndali nji krrabzë. Tash isha
në maje t‟asaj krrabze. Thueja pezull. Ai që e kishte në dorë, e lunate krrabzën kah të donte. Dhe
qeshte. Dukej se argtohej me mue, që isha në maje krrabzës…”21
Tregimi “Ora”22
karakterizohet nga përsëritja e fjalëve (një cilësi që e dallon Pashkun në
shkrimet e tij), ritëm të ngadalshëm dhe një shtjellim të qetë që e nxit dhe e lidh më tepër
lexuesin me tregimin. Autori në mënyrë simbolike na paraqet problemin e përleshjes së
përhershme të gjeneratave - njërës që po “perëndon” dhe tjetrës që po “lind”. Në këtë tregim
paraqiten mendimet e një njeriut për orën dhe skeletin. Në të vërtetë orën e kishte në dorë dhe
skeleti po qëndronte diku atje në thellësinë e muzeut. E shikonte orën dhe mendonte se si akrepat
e saj kishin qenë shkaku që ai ishte grindur me babain gjithmonë dhe shkaku që mësuesi e kishte
rrahur disa herë sepse kishte shkuar me vonesë në shkollë. Tani ishte rritur dhe këto gjëra i
dukeshin qesharake por gjithmonë ecte duke e fërkuar orën dhe njëherit duke menduar për
babain e tij.
20 Anton Pashku, Nji pjesë e lindjes, Rilindja, Prishtinë, 1965, fq. 57. 21 Po aty, fq. 65. 22 Po aty, fq. 7.
16
Ndërsa, në tregimin “Nji pjesë e lindjes”23
është dhënë një përshkrim i atmosferës së një
njeriu të vetmuar i cili qëndron i mbyllur brenda katër mureve të dhomës. Hapat e tij kumbojnë si
tik-taket e akrepave të orës, një zhurmë tronditëse e një ore që paraqet zhurmat e këmbanave të
mëdha të botës. Në të gjitha këto tregime dhe të tjerat, takojmë një botë të tërë, shikuar me sytë e
një artisti të spikatur, i cili e ndien botën me ndjenjën e hollë të artistit dhe e studion me durimin
e një shkencëtari.
Një cilësi tjetër e Pashkut është që ai e lë shpeshherë të varur fundin e tregimeve të tij,
duke i dhënë një mundësi lexuesit që ta plotësojnë vet, ta ndërtojnë më tutje dhe të hulumtojnë
më thellë në mendjen e tyre për të kërkuar zgjidhjen. “Anton Pashku ka treguar pjekurinë e një
letrari të frymëzuar e punëtor, i cili, me pedanterinë dhe përgjegjësinë e një shkencëtari të
pasionuar, don dhe din të paraqesë njeriun si kompleks të ndërlikuar psiqik, njeriun, qoftë të
ambientit tonë, qoftë të universumit, edhe këtë me frymëzime të ngrohta e obsevacione të pasura,
që do të lëjë vrragë të pashlyer në letërsinë dhe në kulturën tonë në përgjithësi.”24
Tregimi “Floçka”25
është një ndër tregimet më të përfolura të krijimtarisë së Pashkut.
Analizimi dhe përshkrimi i personazhit në mënyrë të detajuar dhe fati i personazhit si rrjedhojë e
binomit shkak-pasojë, ka bërë që të arrihet realizimi artistik në shkallën më të lartë. Ky tregim
është shkruar në bazë të një motivi popullor, ku ndjenja e dashurisë dhe bukuria ngrihen në një
nivel të atillë, një nivel të faktorëve kryesor që kushtëzojnë lumturinë, duke i dhënë kështu
kuptimin e duhur jetës njerëzore. Figura që e zotëron këtë tregim është metafora. Po të lexohet
dhe studiohet me kujdes tregimi, vërehet që pothuajse në secilin rresht është e pranishme figura e
metaforës. “Shkrimtari mbërrin të komunikojë me lexuesin përmes metaforës: ndjesia e njeriut
drejt njerëzores, pavarësisht se kjo rendje është drejt së panjohurës, të papriturës ose si rendje
drejt ëndërrimit. Dinamizmi i personazhit, do thënë se shkëlqen përmes dinamizmit të prozës në
tërësi.”26
23 Anton Pashku, Nji pjesë e lindjes, Rilindja, Prishtinë, 1965, fq. 31. 24 Vehap Shita, Hulumtimet psikike në prozën e A. Pashkut, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike - kritikë
letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 61. 25 Anton Pashku, Nji pjesë e lindjes, Rilindja, Prishtinë, 1965, fq. 49. 26 Petrit Palushi, Madhështia e harmonisë artistike, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike - kritikë letrare
për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 180.
17
3.2. Libri me tregime “Lutjet e mbrëmjes”
Libri me tregime “Lutjet e mbrëmjes” u shkrua më 1978. Ndahet në katër pjesë, ku secila
prej tyre përmban disa tregime: REKSI LEHU DY HERË – përmban tregimet “Vdekja solemne”
dhe “Një kallëzim pa lidhje, por në mënyrën dëftore”; DEGA E FSHEHUR- përmban tregimet
“Nën qarr po rrinte vasha”, “Vertikalet”, “Dashuria”, “Dikush trokiti ngadalë”; KROKATJA E
KORBIT- përmban tregimet “Në stuhi”, “Klithma”, “Në det”, “Lutjet e mbrëmjes”, “Lëkura e
verdhë e limonit”; NJERIU LAKURIQ përmban tregimin “Kitara”. Tregimet në këtë libër, ashtu
si çdo krijim tjetër i Pashkut, dallohen para së gjithash nga emërtimet e titujve. Që në fillim
autori fillon me përdorimin e figurës së metaforës, duke e bërë kështu një figurë të pandashme të
çdo vepreje të tij. Ky libër karakterizohet nga një përshkrim i hollësishëm i ngjarjeve,
personazheve dhe situatave që ndodhin në jetën e njeriut. Një element tjetër që bie në sy është
përsëritja e fjalëve.
Tregimi “Vdekja solemne”27
zuri një vend të veçantë në opusin e tij krijues. Një tregim me
elemente groteske. Një rrëfim në vetën e tretë. Protagonisti, Gjermani, është një personazh me
një karakter të fortë, intelekt të zhvilluar që nuk mund t‟i mohohej. Por, ai bie pre e një iluzioni,
një iluzion ndjenjash të gjërave që iu ka rezistuar por që në fund e shkatërruan. Praktika e
pandërprerë jetësore e tij ka bërë që gjithmonë të jetë i përkulur para zotërinjve të tij. Ai
gjithmonë ka bërë atë që i është kërkuar apo urdhëruar. Tani e krahasonte veten me qenin e tij,
Reksin. Atij i dukej që nuk i ka mbetur më asnjë situatë që të mund të tregojë intelektin e tij,
duke qenë se ka ardhur deri në atë pikë që ka bërë të njëjtat gjëra që bën qeni i tij besnik. (Autori
e barazon atë me Reksin sepse që të dy kryejnë detyrat e tyre në mënyrë mekanike, pa menduar
për to.) Me një buzëqeshje të ngrirë në buzë, ai edhe në momentet e fundit të tij, në agoninë e tij,
dëshiron të jetë i qetë dhe i kursyer prej zhurmave vdekjeprurëse, prej domosdoshmërisë së
shkatërrimit, i qetë që të mund të hajë një kokë qengji të pjekur. Kurse, gjatë luftës ka mbledhur
me pasion kafkat e njerëzve të vrarë, ka mbledhur me entuziazëm dhe ka bërë koleksionin e tyre.
27 Anton Pashku, Lutjet e mbrëmjes, Rilindja, Prishtinë, 1978, fq. 7.
18
“Sa kontrast i bukur: nji njeri i thjeshtë, në dukje me intelekt të zhvilluem dhe të ngritun,
derisa gëlltit me apetit krenat e pjekuna të qingjave dhe tue shique fotografit e veta i kujton
buzëqeshjet e mituna të fëminis, të rinis - njikohësisht ban rekapitulacionin e "veprave" të veta
kriminale, sepse ky asht kolekcionar i krenave të njerëzve në kohën e luftës që me krenari e
pasion ka "hulumtue" dhe asht lavdrue me kolekcionin e tij tue dashtë me tregue me anë të këtij
"aktiviteti shkencor" objektivitetin e racizmit të përgjakshëm gjerman.”28
Hija e vdekjes është
gjithnjë e pranishme, jo vetëm me protagonistin e tregimit dhe qenin e tij, të cilin e dënon me
vdekje, “vdekje solemne” dhe paradoksale në të njëjtën kohë pikërisht për shkak të
ekskluzivitetit të saj, sepse ajo vdekje është në fatin e qenit bujar dhe njeriut qen. Një njeri që i
humb të gjitha vlerat dhe bie vet në kurthin e jetës, në ligjin e natyrës që është i njëjtë për të
gjithë: vdekja. Një njeri gjakftohtë, i cili e don Reksin, qenin e tij besnik që i ka qëndruar pranë
gjithmonë. Por as dashuria e madhe që ka për të nuk e ndalon që ta vrasë. Ai vret qenin pasi ia
varë në qafë të gjitha dekoratat që i ka fituar gjatë jetës së tij dhe në fund vret dhe veten.
Pikërisht epilogu i këtij tregimi e potencon idenë e veprimit, kuptimin dhe bukurinë e tij.
Një tregim tjetër që do ta veçoja është “Nën qarr po rrinte vasha”.29
Një tregim interesant,
i bukur dhe domethënës. Autori e fillon me një shprehje hasjane: “Syni s‟e sheh synin matanë
hundës, zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës”. Nëpërmjet aftësisë së tij rrëfyese, Pashku na
zbulon shpirtin dhe fatin e personazheve të tij. Ata janë njerëz të thjeshtë, por me një botë të
pasur shpirtërore. Janë të gjykuar prej raporteve patriarkale dhe janë të “dënuar” për të vuajtur,
por arrijnë të qëndrojnë të fortë si guri dhe ta ruajnë pastërtinë e ndjenjave të tyre. Tregimi bëhet
edhe më i veçantë nga përdorimi i elementeve të eposit të mrekullueshëm popullor shqiptar.
Ndërthurja e këtij tregimi me elemente të botës mitologjike dhe elementeve popullore vetëm sa e
kanë zbukuruar dhe ia kanë ngritur vlerën edhe më tepër këtij tregimi. Vajzës që qëndronte nën
qarr, i ishte kujtuar përralla “Zana dhe Dragoni” sepse ajo mendonte që do të kishte të njëjtin fat
me zanën. Vajza qëndronte nën qarr dhe priste vdekjen pasi nuk mund të bashkohej me Veliun,
dashurinë e saj, sepse ai ishte në ushtri. Por vdekja nuk i erdhi siç Dila e priste. Ajo bën pjesë në
fatin e atyre vashave që bëhen “robëresha të jetës”. Edhe pse ajo kalon në shumë peripeci, përsëri
në tregim shfaqen tinguj optimistë. Përmes rrugëtimit të Dilës autori mundohet të depërtojë në
28 Hasan Mekuli, Gjurmim serioz i trajtave të reja, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike - kritikë letrare
për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 28. 29 Anton Pashku, Lutjet e mbrëmjes, Rilindja, Prishtinë, 1978, fq. 31.
19
zemrat e njerëzve dhe t‟i ndriçojë ato. Prandaj ky tregim të lë mbresa të mëdha sepse autori arrin
të personifikojë çdo gjë që flet për tragjikën e fatit, për prapambeturitë dhe vuajtjet njerëzore por
nuk e lë anash as pastërtinë e ndjenjave.
Tregimi “Lutjet e mbrëmjes”30
që në fakt është më shumë skicë sesa tregim, i rrëfyer në
vetën e tretë, dëshmon një talent të dukshëm të përcjellë me një aftësi shprehëse të
mrekullueshme.
Aftësia e të treguarit dhe përshkruarit bie në sy edhe në tregimin “Një kallëzim pa lidhje,
por në mënyrën dëftore”31
. Me zgjedhjen e një detaji të vogël, një imtësi karakteristike rreth së
cilës ai e shtjellon pastaj subjektin e tregimit, subjekt që e përcjell lexuesin dhe bëhet pjesë e tij
dhe që më vonë mbështillen, shtjellohen dhe përjetohen ngjarje dhe ndjenja më të mëdha të tij.
Me anë të figurës së personifikimit, kukulla e vajzës së protagonistit kthehet në një patate. Një
patate që ishte “shpëtimi për ta shuar urinë” në kampet e vdekjes. Dilema qëndronte këtu: A ta
kafshonte “pataten” e vajzës së tij Fiqretes në momentet kritike të urisë? A ta kafshonte atë
kukull që ishte e preferuara e vajzës së tij por në të njëjtën kohës shpëtimtarja që do t‟i jepte fuqi
për të jetuar pak më gjatë? Por si ta kafshonte atë kukull që ishte gjëja më e dashur për vajzën e
tij? Në luftë për ekzistencë edhe trimi lëshon pe para sprovave të këtilla.
Në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, me një të rrëfyer pa ndërlikime, autori na
tregon që të papriturat janë gjithmonë në jetën e njeriut. Gjërat ndodhin sepse ashtu është e thënë
të ndodhin. Rastësitë janë gjithmonë në harmoni me jetën e njeriut. Ashtu edhe protagonisti
rastësisht u largua nga kampi, rastësisht u largua nga shokët e tij. Në kacafytje me ushtarin e
armatosur doli fitimtar edhe pse ishte aq i dërmuar saqë u detyrua të hajë kukullën e vajzës së tij.
Kjo nuk e bën fajtor, edhe pse zemra i rrihte fort që të mbante në gji kukullën e të mos e bënte
atë veprim. Por kjo nuk është dobësi, ashtu sikur nuk është trimëri ajo që ka bërë më përpara.
Këto janë të gjitha ligjshmëri të jetës, ku del fitues ajo që është më e fuqishme përmbrenda dhe
që ka qëllimet më të mira njerëzore.
30 Anton Pashku, Lutjet e mbrëmjes, Rilindja, Prishtinë, 1978, fq. 69. 31 Po aty, fq. 19.
20
3.3. Vlera estetike e tregimeve të Anton Pashkut
Krijimtaria e Pashkut fokusohet më tepër në temën e vdekjes, jetës dhe luftës. Tmerrin e
vdekjes, sfidat e jetës dhe përjetimet e luftës mund t‟i paraqesin të gjithë njerëzit në mënyrën e
tyre. Por, Pashku si një stilist i veçantë, ato që kishte parë dhe përjetuar u mundua t‟i paraqesë
me këndvështrimet e një historiani të ndërthurur me shprehje të bukura gjuhësore. Kjo gjë u
realizua pikërisht sepse disa lexues e kuptojnë një vepër letrare përmes gjuhës së bukur dhe e
analizojnë atë, ndërsa disa të tjerë e lexojnë një tekst letrar si histori. “Sartri çështjen e leximit e
definon me të drejtë akt krijues, përkatësisht "sintezë të përceptimit dhe krijimit"32
. Të lexuarit
nuk është dhe nuk mund të jetë operacion i thjeshtë a mekanik, aq më tepër kur është fjala për
veprat e vërteta letrare me gjuhë të pasur poetike, siç janë tregimet e Anton Pashkut. Me këtë rast
do të thosha se përgjegjësia letrare-estetike e atij që shkruan dhe e atij që lexon është e barabartë.
“Të shkruash do të thotë të kalosh nga "unë" në "ti", d.m.th. të komunikosh me gjuhën poetike
me lexuesin.”33
Proza e Pashkut të ngjallë një përjetim të rrallë estetik për shkak të teksteve të
dendura poetike, psikologjike dhe për harmonizimin e figurave letrare, sidomos metaforës,
simbolit dhe miteve e legjendave. Leximi i teksteve të tij letrare e përçon tek lexuesi vetëm atë
që ai dëshiron të kuptojë, atë që i duket më e përafërt me jetën e tij. Veprat e Pashkut sa më
shumë që të lexohen, aq më shumë do të kuptohen porositë dhe vlera e tyre letrare. Kjo gjë ia
siguron vendin në mesin e shkrimtarëve të mëdhenj, veprat e të cilëve kurrë nuk arrin t‟ua
gëlltitësh të tërë porosinë. Një intelektual që “theu akullin” me formën specifike të ligjërimit të
tij poetik. Temat që Pashku trajtoi krijojnë botën e brendshme shpirtërore dhe me stilin e të
shkruarit thyejnë disa raporte konvencionale për botën, shoqërinë, njeriun, moralin dhe vetëdijen
e tij.
Vlen të ceket tregimi “Disa fjalë për një plak dhe librin i tij kushtuar tymit”, në të cilin edhe
pse flet për një çështje të ndjeshme, një libër të plakut që ishte gjetur në banesën e tij me dëshmi
të tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Çfarë bën Pashku?
Ai gjithë tmerrin dhe kaosin e paraqet me mënyrën simbolike të gjuhës dhe të shkrimit të
parregullt. Nuk vendos shenja të pikësimit dhe përsëri ka sukses. Ja një paragraf nga ky tregim:
32 Shefqet Riza- Vlera estetike e tregimeve të Anton Pashkut, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike –
kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 106. 33 Po aty, fq. 105.
21
“Mirëpo! me Lili Marlenin në gojë ata vrapuan e vrapuan pas hijes së vet dhe nuk e zunë hijen e
vet që zvogëlohej sa më lart ngrihej dielli kur arriti në zenit njerëzve që vraponin pas hijes i
këndonin Lili Marlenin u humbi hija e trupit të tyre..."34
Kjo karakteristikë përforcohet edhe më
shumë në fund të tregimit, me një përmbyllje mahnitëse: “...sytë e mi fluturonin në tym bebëzat e
syve të mi pa të cilët a ka kuptim për mua jeta o njerëz ka qenë dashur të kem pasur fuqi e zemër
sa mali që mund të duroj atë dhembje të hatashme që shpon si turjela shkëmbin..."35
Nuk mund të lihet pa u përmendur edhe tregimi “Kulla” që shquhet para së gjithash si një
ndër tregimet më të realizuar artistikisht brenda krijimtarisë së autorit dhe si ndër më kompleksët
si qasje, si shtjellim dhe si strukturë gjuhësore. Ja disa nga mendimet e studiuesit shqiptar Anton
N. Berisha rreth tregimit “Kulla”: “Në qenësinë e vet tregimi "Kulla" ngritet mbi mitin për
kullën, që nënkupton mitin për ekzistencën dhe për qëndresën e njeriut tonë në rrjedhë të
shekujve. Mbi bazën e përvojës historike, e cila materializohet e metaforizohet në mënyrë të
veçantë në këtë prozë, shqiptohet dhe interpretohet një botë komplekse, realitet, që në esencë
është vetëdije mitike e krijuar në një diakroni të pafund të ekzistencës.”36
Për të vazhduar më tej:
“Me fjalë të tjera, në këtë prozë nuk bëhet qartësimi i rrjedhave dhe i fakteve të njohura
historikisht, i personave e i ngjarjeve konkrete, por mbi bazën e përvojës historike, që lidhet
sidomos me dramën, tragjikën, me qëndresën e me sakrificat, krijohet realiteti i veçantë, i cili,
nxitur nga fakti historik, bëhet qenësi, bëhet fakt i ri, fenomen i realitetit dhe i botës shpirtërore.
Në të vërtetë, kjo qenësi artistike e krijuar merr funksion të dyfisht: shpreh qenësinë e së kaluarës
e të tashmes, i bën ato artistikisht të përjetshme, por bëhet edhe vetë pjesë e pandashme e
veprimit, e konkretësisë ekzistenciale; njëherit krijon bazën e përspektivës së të ardhshmes.37
Ngjashmëritë e tij janë të dukshme shpesh edhe me Kamynë, mendim të cilin e ka argumentuar
Hamiti kur shprehet se; “Tregimi Kulla fillon me “Dje varrosën plakën, kurse tash jam i etur…”
që pa një pa dy na kujton fillimin e romanit I huaji të Alber Kamysë.”38
Ngjashmëri dhe
asociacion i cili nuk ka nevojë për vazhdim të argumentimit, pasi është më se i qartë.
34 Anton Pashku, Nji pjesë e lindjes, Rilindja, Prishtinë, 1965, fq. 62. 35 Po aty, fq. 65. 36 Anton Nikë Berisha, Vetëdija mitike e qenësisë dhe e qëndresës- Mbi tregimin “Kulla”, në: Anton Nikë Berisha,
Në mbretërinë poetike - kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 112. 37 Po aty, fq. 113. 38 Sabri Hamiti, Libri për Antonin, (1974 – 1996) në: Sabri Hamiti, Vepra letrare 10, Letërsia bashkëkohore, Faik
Konica, Prishtinë, 2002, fq. 453.
22
Me aftësitë e tij krijuese Pashku ka arritur që të krijojë një harmoni artistike, duke mbetur një
stilist i dalluar i letërsisë shqipe dhe njëkohësisht, duke u njohur si “Xhojsi i letërsisë shqipe”.
KREU IV
4. Romancieri modern i letërsisë shqipe
Përgjatë historisë së letërsisë jo vetëm shqiptare, por botërore në përgjithësi, vërehen
ndryshime, transformime, madje dhe kundërshtime mes rrymash a drejtimesh ndërmjet të rejave
kundrejt atyre paraardhëse. Këto lloj dukurish janë në shërbim të një zhvillimi progresiv të
letërsisë. Kjo ndodh sepse letërsia ka ecur dhe do të ecë, duke e kundërshtuar, mohuar dhe
ndryshuar vetveten nga epoka në epokë. Gjithë shkrimtarët, poetët dhe romancierët janë në
kërkim të së re-së, asaj që në çdo kohë mund të quhet moderne. “Në art përleshen epokat. Ato
edhe profetizohen në art, dhe kalojnë në art. Atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi
konfliktesh.”39
Mirëpo, këto konflikte nuk nënkuptojnë shkatërrimin, por zhvillimin me letërsinë e tyre,
që në këtë rast është eksperimentale. Këto ndryshime i “përqafoi” edhe autori shqiptar Anton
Pashku, i cili ishte në koherencë me zhvillimet më të reja të modernizmit. Stili dhe fryma e re që
solli Pashku në romanin e tij “Oh” nuk u vlerësua nga të gjithë njësoj. Madje, disa studiues e
kanë cilësuar si antiroman. Por, nëse është kështu atëherë i bie se të gjitha romanet moderne janë
antiromane. Vepra e tij është dukshëm një dëshmi, përveç e frymëzimit dhe aftësive artistike,
është frut i një pune të pandalshme me çdo detaj sado të vogël, të cilit ka arritur t‟i japë
konotacion dhe simbolikë shumëfunksionale. Me anë të inteligjencës së tij të hollë, ai i kthehet
dhe i rikthehet një fraze, e shkruan dhe e rishkruan, derisa ta arrijë përsosmërinë. Duke iu
referuar mënyrës së shkruarit dhe sidomos anës eksperimentale të veprave të Pashkut, Elsie
shprehet: “Tregimet, romanet dhe pjesë teatrore eksperimentale, që dëshmojnë afri me veprat e
Xhorxh Oruellit, Franc Kafkës dhe Robert Musilit, janë në vetvete studime të holla e mjeshtërore
të njeriut, ndonëse kërkojnë durim nga njeriu i thjeshtë.”40
Me analizën e thellë psikologjike që u
39 Viktor Shkllovski, A i erdhi fundi romanit, Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 328. 40 Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Pejë –Tiranë, 1997, fq. 443 – 444.
23
bën personazheve dhe me shfaqjen e portretit të tyre të brendshëm i paraqet në letërsi si
personazhe të çuditshëm. Me mendimet që rrjedhin vrullshëm, të cilat e krijojnë idenë e një
mungese të lidhjeve të kontrollit logjik nga ana e personazheve, krijojnë një asociacion me të
ashtuquajturin “përroin e ndërgjegjes”. Një cilësi tjetër që i bën lexuesit të konstatojnë një
element dallues të tij, është sinjalizimi i heronjve dhe personazheve të tij me anë të përemrave,
gjysmë-emrave, emërtimeve, ose përshkrimeve të tipareve që e veçojnë një personazh nga një
tjetër. Personazhet e tij janë; Ai, Ajo, Plaku, Mizogami, ai që pastronte hundën me një gisht etj.
Personazhet nuk përshkruhen, i lihen lexuesit t‟i krijojë me imagjinatën e tij dhe t‟i plotësojë ato
bazuar në veprimet që kryejnë, në botën dhe idetë që përfaqësojnë dhe në kohën nga e cila vijnë
për t‟u bërë pjesë e romanit. Ky tipar tjetër i jep romanit të Pashkut një fytyrë
pashmangshmërisht eksperimentale dhe natyrisht në të njëjtën rrjedhë me modernizmin. Ky
modernizëm nuk nënkupton që Pashku i referohet një tematike krejtësisht të re. Ai ka qenë
njohës i traditës dhe i realitetit me të cilin ishte ushqyer. Tek Pashku është forma e realizimit të
lëndës që e bën atë të jetë modern, forma me të cilën e paraqet përmbajtjen dhe e trajton temën
krejtësisht ndryshe nga tradicionalja, jo lënda (përmbajtja) në vetvete, sepse e kaluara dhe raporti
me të ardhmen janë palca lëndore e realizimit të veprës së tij.
4.1. Rreth romanit “Oh”- panoramë e subjektit dhe ndërtimit të tij
Letërsia e modernizmit tentoi të eksperimentonte dhe të provonte forma nga më të
ndryshmet, duke sjellë ndryshime, përmbysje dhe risi në të gjitha aspektet dhe përbërësit e
veprës. Që këndej, mund të flasim për një roman të veçantë në letërsinë shqipe, të shfaqur në një
formë më të ndërlikuar në mënyrën se si strukturohet, se si organizohet, se si i harmonizon
zhanret letrare dhe si e realizon narracionin.41
Romani hapet me një narrator që rrëfen dhe e
shpërfaq botën e tij jetësore në vetën e parë (e kryer e thjeshtë). Një personazh që jeton vetëm
për atë botë të tij, që na rrëfen si shkoi në tualet, si hutohet duke i vështruar jargët e tij, si mbetet
duke bërë disa veprime pakuptim dhe që i përkasin botës thjesht biologjike, por që në fakt na
flasin për gjendjen e njeriut të vetmuar modern dhe problemet e tij gati absurde. Që në rreshtat e
parë përkapet absurditeti i situatës, vetmia e personazhit dhe moskokëçarja e tij për botën që e
rrethon: “KUR U KTHEVA, me nder me thanë, prej nevojtores, ku për pak nuk më zuni gjumi, e
41 Për më shumë dhe për një mënyrë tjetër të vështrimit të narracionit në romanin “Oh” shih: Nysret Krasniqi, Autori
në letërsi, AIKD, Prishtinë, 2009, fq. 199 – 232.
24
ndoshta dhe do më zinte, e besa dhe do ta bajsha nji sy gjumë të rrastë sikur të çlirohesha mirë
dhe sikur duqi i cigares të mos m‟i kishte djegë gishtat, u ndala para pasqyrës ku, tue i pa qyrat e
jargët që më kishin ardhë deri te thembrat e këmbëve dhe tue i pre me kujdesin ma të madh me
gërshanët që vizllojshin, së paku mue më dukej se i prejsha me gërshanët që vizllojshin aqë
shumë, sa m‟i lëbyrshin sytë...”42
Përmes ironisë dhe absurdit rrëfen komunikimin jokuptues mes femrës e mashkullit si
pasojë e kohës, një kohë e papërcaktuar që tërheq në gjirin e saj një shumësi kohësh të tjera. Nga
kjo situatë paraqitet natyra e personazhit, që na jep idenë e pakuptimësisë, të paqëllimësisë dhe të
një rrethi vicioz meditues, tek i cili nuk di pse ka rënë e as nuk di si të dalë, por më e çuditshmja
është se as nuk kërkon që të dalë.
Një veçori tjetër e romanit “Oh” janë bashkëbisedimet e shumta. Akoma më interesant
bëhet fakti që këto autori i paraqet aq të rimuara saqë mund të kthehen në vargje. Ja një
shembull:
- Hi, po bie hi!
- Hi?!...Hi, hëm, hi?!
- Pse, a për ty, ky hi, s’asht ndodhi?
- Për mue asht krejt njisoj.
- Lehtë për ty, kur gishtat i ke pa thoj.
- Ti, moj.. 43
Për ta kuptuar më mirë idenë e vargjeve po i materializoj më poshtë për të paraqitur vargjet
e rimuara:
- Hi, po bie hi!
- Hi?!...Hi, hëm, hi?!
- Pse, a për ty,
ky hi, s’asht ndodhi?
- Për mue asht krejt njisoj.
- Lehtë për ty,
42 Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 7. 43 Po aty, fq. 11.
25
kur gishtat i ke pa thoj.
- Ti, moj..
Kjo tregon një dëshmi të qartë dhe të pastër të një pune të kujdesshme prej klasiku që bën
autori me prozën e tij. Ky shembull dhe e gjithë proza e tij në totalitetin dhe qenësinë e saj flasin
për një ngërthim dhe bashkëjetesë të qartë mes llojeve letrare, por nga ana tjetër flasin shumë dhe
për përzgjedhjen gjuhësore, për format dhe fjalët që përdoren vetëm që t‟i shërbejnë ritmit të
brendshëm dhe të jashtëm poetik të frazës së tij. Përveç rimës dhe bukurtingëllimit, autori përdor
edhe një teknikë tjetër për të realizuar poetikën e prozës së tij të veçantë. Kjo teknikë është
përdorimi i figurave të shumta stilistike, si: Anafora, epifora, simplota, anadiploza, asonanca,
ironia, pasthirrma, enumeracioni, metafora, epiteti, përsëritja, apostrofi, inversioni, krahasimi,
antiteza, etj. Ja disa dëshmi për praninë mbizotëruese të këtyre figurave:
As kur çohen valët e mëdha? As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka. As kur bie shi? As kur bie
shi katërdhetë ditë e katërdhetë net.44
(Anaforë, hiperbolë, epitet)
E bamë, ma në fund. E bamë, ma në fund e bam.45
(Simplotë)
Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali.46
(Metaforë)
...vetëm nji libër leximi, vetëm nji libër të historisë, vetëm nji libër të filozofisë, vetëm nji tregim,
vetëm nji novelë, vetëm nji roman, vetëm nji dramë, vetëm nji sonet, vetëm nji baladë, vetëm nji
gazetë të përditshme, vetëm nji revistë, do të ketë vetëm nji radiotelevizion...47
(Enumeracion,
përsëritje)
I madhnueshmi zefir?48
(Inversion)
Me të vllanë, Platorin shkonte si eshka me zjarrin.49
(Krahasim)
44 Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 30. 45 Po aty, fq. 64. 46 Po aty, fq. 31. 47 Po aty, fq. 96. 48 Po aty, fq. 73. 49 Po aty, fq. 50.
26
Ky konkretizim dhe analizim përforcohet edhe më shumë nga mendime e kritikëve të
ndryshëm siç mund të përmendet Anton N. Berisha i cili konstaton: “Oh-i lexohet edhe si prozë
edhe si poezi”50
Të gjitha kombinimet në këtë vepër sjellin një pasuri e larmishmëri gjuhësore.
Se Pashku shquhet edhe për komunikimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë me letërsinë antike
dhe moderne, kuptohet edhe në këtë vepër. E përmendi këtë sepse një nga motivet e dashurisë në
këtë roman, është një simotër e motivit të Helenës së bukur tek Iliada. Në roman kemi konfliktin
historik mes vëllezërve, Platorit dhe Gentit për shkak të Etlevës së bukur, por që në thelb është
pushteti ai që lakmohet prej Gentit, duke u shfrytëzuar këtu Etleva, nëse flasim me fjalorin e
Pashkut, si vegzë për të marrë zotërimin e pushtetit, dhe shkak i sipërfaqshëm mbetet zotërimi
erotik i Etlevës së bukur. Genti derdh gjak për Etlevën, sado që ajo është vegzë, po ashtu dhe
Menelau e Paridi për Helenën. Pra, që të tre kryejnë një shkelje të rëndë nën udhëheqjen e
dëshirës erotike. Këtë konflikt Pashku e zbulon që nuk ishte thelbësisht erotik, siç shihet në
dialogun e mëposhtëm: “Merr me vete edhe do burra . T‟i sulet Platorit. Për Etlevën. T‟i sulet e
të derdhet gjaku. Derdhet gjaku, dhe?/ Klith Platori. Klithjen e tije marrin valët e Klausalit dhe të
Barbanës, valët e liqenit labeat dhe valët e Drinit, kurse valët e Drinit e marrin klithjen e Platorit
ja japin malit. Klithje e randë ishte ajo e Platorit./ Klith, dhe?/ Vdes./ E vret?/ Genti, me dorë të
vet./ Për Etlevën?/ Po, për Etlevën! Thotë pirusti. Vetëm se, kujtoj, dardanja ishte vegzë, vetëm
vegzë.”51
Intertekstualiteti i OH-ut: Artet dhe në veçanti letërsia përveç të tjerave “palcën”
kryesore dhe bazën që i mban gjallë nga epoka në epokë është pikërisht komunikimi mes vete.
Çdo krijim i ri mbështetet në “shpatullat” e një të vjetri, varësisht mënyrës së trajtimit që merr në
secilën kohë dhe sipas cilës estetikë zhvillohet e krijohet. Këtë gjë e vërejmë edhe po t‟u
kthehemi dhe t‟i kujtojmë veprat e antikitetit si; Iliada, Odisea, Edipi Mbret, Medea, Eneida etj.
që në optikën e vështrimit vijnë si dëshmia më e pastër e kësaj dukurie. Dhe duke më bërë të
kuptojë se edhe ato kanë “pirë ujë” tek një burim paraekzistues, që në rastin konkret janë mitet,
ku këto të fundit ishin veçse lënda kryesore për këto vepra. E njëjta dukuri ndodh nëse kalojmë
pas në kohë, ku kemi veprat e mesjetës dhe fillimit të Rilindjes, të cilat i shfrytëzojnë tekstet që
kanë ekzistuar para tyre, jo vetëm tekstet letrare, por edhe tekstet jo artistike, ato fetare e biblike,
50 Anton Nikë Berisha, Konstantet stilistike ose nga stilematika e “Oh”- it, në: Në mbretërinë poetike, Shpresa,
Prishtinë, 2002, fq. 174. 51 Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 51.
27
me figurat, personazhet dhe shpesh mënyrën e konceptimit. Mund të përmendi këtu rastin e
Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit. Po kështu, nëse i referohem një periudhe tjetër të letërsisë,
asaj të klasicizmit, vërehet qartë dhe haptas ky komunikim, ku të gjithë tragjedianët e
shfrytëzuan antikën për tematikat, motivet e trajtimet që realizuan në veprat e tyre. Natyrisht, ata
krijues aty morën lëndën e parë, për ta zhvilluar atë më pas sipas rregullave të klasicizmit dhe
sipas origjinalitetit krijues që arrinte të përcillte secili autor, por kjo dukuri mori një hov të
zhvillimit në atë periudhë. Ndikimi, frymëzimi dhe marrja nga antikiteti ka qenë, është dhe do të
mbetet një rrugë dhe vatër referuese për secilën prej periudhave të letërsisë. Nëse ndalem tek
autori që kam marrë për vëzhgim, vërehen dukuritë e intertekstualitetit që bashkë ekzistojnë
brenda veprës dhe bëjnë të mundur komunikimin mes kohëve, veprave dhe teksteve të ndryshme
letrare. Konkretisht, në romanin “Oh” dukuritë që mbizotërojnë janë sidomos hipertekstualiteti
dhe aluzioni. “Hipertekstualiteti përkufizon çdo marrëdhënie e cila lidh një tekst B (hiperteksti)
me një tekst A (hipoteksti) nga i cili ai rrjedh; ky hipertekstualitet dërgon tek një marrëdhënie jo
përfshirjeje, por shartimi.”52
Hipoteksti në këto raste është një bërthamë paraprake ideo–
strukturore që i përket një natyre dhe lloji tjetër të letërsisë dhe që më pas transformohet. Kështu
ndodh edhe në rastin e Anton Pashkut ku hipoteksti është një tregim me titull “Eklips” që pas
zgjerimit, shtimit, bashkimit me pjesë dhe elementet e tjerë ka kaluar në një prozë të gjatë, në
romanin “Oh”. Duke na dhënë kështu si rezultat, hipertekstin e plotë dhe të ndryshuar në shumë
detaje e funksione. Siç shihet më poshtë, teksti fillestar i përkiste llojit të prozës së shkurtër,
tregimit dhe sillet pastaj në një prozë të gjatë, siç është romani “Oh”:
Pjesë nga tregimi Eklips: “Kur u ktheva prej nevojtores, ku për pak nuk më zuni gjumi, e ndoshta
edhe do më zinte, e ndoshta edhe do ta bajsha nji sy gjumë të mirë sikur duqi i cigares të mos m‟i
kishte djegë gishtat, u ndala para pasqyrës, e krova sjetullën që më digjte nga djersa…”53
Pjesë nga romani Oh :”Kur u ktheva, me nder me thanë, prej nevojtores, ku për pak më zuni
gjumi,e ndoshta dhe do të më zinte, e besa dhe do ta bajsha nji sy gjumë të rrastë sikur të
çlirohesha mirë dhe sikur duqi i cigares të mos m‟i kishte djegë gishtat, u ndala para pasqyrës ku,
tue i pa qyrat e jargët që më kishin ardhë deri të thembrat e këmbëve…”54
52 Nathalie Piegy – Gros, Poetika e intertekstualitetit, Parnas, Prishtinë, 2011, fq. 25. 53 Anton Pashku , Galtina, Faik Konica, Prishtinë, 2000, fq. 27. 54 Anton Pashku , Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990 , fq. 36.
28
Ballafaqimi i këtyre fragmenteve dëshmon integrimin e hipotekstit tek hiperteksti. I pari,
natyrisht, duket që shërben për realizimin e të dytit. Ndërkohë që i dyti siç edhe shihet, ka ardhur
si rezultat i zgjerimit dhe integrimit të të parit në të. Është një marrëdhënie zgjeruese dhe e
vetëdijshme që kalon kufijt e tekstit të parë, i cili nga ana e tij shërben si “vatër” për krijimin e të
dytit. Përdorimi i kësaj teknike proceduese në realizimin e veprës, jo vetëm arrin këtë qëllim, por
edhe rezulton si një element pasurues në mënyrën e shkrimit dhe krijimit të Pashkut si prozator.
Ndërtimi sintaksor i fjalive në romanin “Oh”: Me një stil karakteristik letrar, me
thyerje të rregullave të pikësimit, me thyerje të rregullave gjuhësore për efekte stilistike, me
vënien e ndonjë shenje aty ku fare nuk e ka vendin në fjali, ose me mosvënien e pikës a ndonjë
shenjeje tjetër aty ku duhet, shkrimtari ynë krijon stil poetik origjinal në letërsinë tonë. Një formë
shkrimi i këtillë është rrezik të dështojë, por kjo nuk mund të ndodhë te Anton Pashku. “… gemi
i thotë degës, dega lisit, lisi lisave, lisat fushës, fusha kodrave, kodrat bjeshkëve, bjeshkët reve,
qiellit, e qielli reve, retë bjeshkëve, bjeshkët kodrave, kodrat fushës, fusha lisave, lisat lisit, lisi
degës, dega gemit e gemi i thotë desidiatit dhe breukut…”55
ose “...e pse bash gishtin e jo
kambën, e pse bash tanë kambën e jo tanë dorën, e pse bash tanë dorën e jo tanë krahun, e pse
bash tanë krahun e jo kërthizën, e pse bash kërthizën e jo qafën ose kryet, e pse bash thonin e
gishtin dhe tanë kambën e dorën bashkë me tanë krahun dhe kërthizën e qafën e kryet dhe kryet e
jo bash qyrrat e jargët?”
Siç shihet qartë kemi të bëjmë me një sintaksë origjinale, të ndërlikuar dhe funksionale.
Ndërtimi sintaksor i fjalive të Pashkut është i qëllimshëm dhe i justifikueshëm estetikisht, kjo
mënyrë siç edhe u vërejt nga shembujt është në funksion të arritjes së ritmit të prozës, në
funksion të shprehjes së gjendjes shpirtërore dhe mendore të personazheve, në funksion të rritjes
së dramacitetit të ngjarjes që rrëfehet, në disa raste dhe në raste të tjera të ngadalësimit dhe
krijimit të pauzës përshkruese për të cilën kemi folur, por gjithashtu dhe më së shumti në
krijimin e një stili origjinal të prozës së tij, pasi eksperimente të tilla, do të thosha gati ekstreme
me ndërtimin sintaksor të frazës së tij nuk i kemi hasur më parë në letërsinë shqipe.
Madhështia e veprave të tij hapi shtigjet që të ngritet në piedestal personaliteti dhe
krijimtaria e tij madhështore. Studiuesi Sabri Hamiti e quan Pashkun “Triumf i inteligjencës”56
,
55 Anton Pashku , Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 38. 56 Po aty, fq. 160.
29
ndërsa studiuesi A.N.Berisha i referohet Pashkut me shprehjen: “Poeti që shpreh nivelin më të
lartë gjuhësor shpreh dhe nivelin më të lartë të vetëdijes nacionale.”57
Pikërisht me gjuhën e
veprës së vet poetike Pashku, si rrallë ndonjë krijues shqiptar, dëshmoi dhe pasuroi mundësinë e
jashtëzakonshme të gjuhës shqipe, duke e lakuar dhe i duke i dhënë nuanca të rralla artistike
gjatë përftimit të veprës së tij.
57Konstantet stilistike ose nga stilematika e “Oh” – it, A.N. Berisha, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë
poetike - kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 168.
30
KREU V
5. Vendi i Anton Pashkut në dramaturgjinë shqiptare
Analizimi i librit me drama të Anton Pashkut, posaçërisht i dy tragjedive moderne të
emërtuara nga ai me titujt “Sinkopa” dhe “Gof”, krijojnë shansin e kuptimit dhe verifikimit të
shenjave të modernitetit. Madje, këto shenja shfaqen që nga emërtimi i librit “Tragjedi
moderne”58
, duke konfirmuar kështu praninë e formësimit modern dhe novator në gjininë
dramatike. Dramat janë të ndara në pjesë dhe jo në akte, siç ndodh rëndom me krijimet klasike
(tragjedi, komedi, dramë), duke sendërtuar kështu një element tjetër modernist. Përsa iu përket
personazheve, Pashku krijon një qenie të thjeshtë, të rëndomtë, me një karakter të spikatur, që
lufton me vetveten dhe të tjerët pa mbështetjen e askujt. Nuk mungojnë bisedat ndërmjet
personazheve dhe bisedat me vetveten, që në fakt janë të shumta dhe ashtu si në veprat tjera të
Pashkut, përcillen me ritmikën e fjalës, e cila fanitet si muzikalitet poetik. Ekziston një paralele
ndërmjet këtyre dramave dhe romanit “Oh” dhe kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se në romanin
“Oh” narratori në fillim dhe në mbarim të rrëfimit të tij është “kaps”, i cili flet për “nevojtoren”
me një “mendermethanë” ironike, ndërsa Xhexheu i “Sinkopës” flet për “të dhimet e mizave”,
ndërkaq, Lulani i “Gofit” flet për “gogësimat”. Të gjitha këto shpërthime të personazheve janë
simptoma të një ankthi psikologjik, moral e ekzistencial. Vet individi është i ankthshëm dhe vet
drama e individit është ankth.
Ideja e kundërvënies është ideja esenciale e dramave të Pashkut. Kjo ide shpjegohet përtej
tekstit dramatik, në kontekst. Drama ndodh ndërmjet problemeve shoqërore, që pak a shumë
zhvillohen kundër vullnetit, mundësisë dhe veprimit të vetëdijes së dramatizuar. Dramat
zhvillohen ndërmjet rrjedhave shoqërore, aty ku mbetet një hapësirë, një tepricë e harruar nga
rrjedha e ngutshme gjenerale, e cila në vrap mund të humbasë pikat strategjike. Pikërisht në këto
pika zihet mishi i gjallë i jetës, aty forcohen idetë, gjykimet, kundërvëniet duke e formuar kështu
idenë e kundërvënies.
Një karakteristikë tjetër është mënyra e përdorimit të gjuhës, të cilën Pashku përpiqet të
barazojë gjuhën e folur me gjuhën e shkruar. Në këtë vijë hetohen dy rrugët në procesin e
krijimit artistik: paradigma (të zgjedhurit) dhe sintagma (mundësia e plotë e strukturimit artistik
58 Anton Pashku, Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986.
31
të tekstit). Prandaj do të ishte mirë që dramat e Pashkut, të luhen në skenë ashtu siç janë, të
shfaqet teksti i tyre në skenë fije për pe ashtu siç është. “…Do të thosha kritikës, s'i mbetet, pos
të provojë sërish trupin e shpirtin e vet dhe kreativitetin e vet: pra, më përpara ta rishkruajë
tekstin, sesa ta "përkthejë". Kështu, në rastin më të mirë, kritika mund të hapë varrë, të nisë të
lëkundë plagët, varrët e tekstit, të shkaktojë një pezmatim të kuptimeve të tyre…”59
59 Sabri Hamiti , Tragjedi moderne, në: Anton Nikë Berisha, Në mbretërinë poetike - kritikë letrare për veprën e
Anton Pashkut, Shpresa, Prishtinë, 2002, fq. 229.
32
Përfundim
Objekti i punimit të diplomës ishte nxjerrja në pah dhe argumentimi i vlerave të veprës në
prozë të Anton Pashkut dhe arsyet që e bëjnë këtë autor të jetë autor i modernizmit. Ai është
padyshim, njëri prej prozatorëve tanë të parë që ka filluar t'u shmanget shprehjeve tradicionale
dhe, në përgjithësi, konvencave aq shumë të rrënjosura në letërsinë tonë të realizmit tradicional
dhe të aplikojë shprehjen moderne të prozës pararendëse të shekullit XX.
Një shkrimtar që përpos talentit kishte dhe vullnet të madh; që ushqen ndjenjën më të lartë
të përgjegjësisë ndaj lexuesit e veprës së vet; që ndien me tërë intensitetin e artistit manifestimet
e fenomeneve të jetës dhe të psikikës së njeriut; që duke e krijuar fizionominë e vet letrare, ka
marrë një pamje, një rrugë, të cilën do ta kemi gjithmonë në letrat tona.
Që në krijimet e para është munduar të krijojë një lidhje në planin tematik dhe ideor. Tema
që kanë të bëjnë me luftën, dashurinë dhe vdekjen, duke formuar kështu trinomin e famshëm
ideor të tij. Me të gjitha këto tema dhe motive arrin të jetë një autor i veçantë, madje sfidues për
brezin e tij, i cili stilin e ka kthyer në kult, ndërsa diskursin metonimik si mënyrë e të menduarit.
Ai nuk e ndërron asnjëherë shprehjen artistike dhe stilin e tij, madje e ushtron edhe më shumë
deri në përsosmëri dhe arrin të lërë tek lexuesi markën e shkrimit të vet.
Intelektualizmi i lartë në procesin krijues ka bërë që Pashku edhe sot e kësaj dite të mbetet
një shkrimtar i rëndësishëm i modernitetit të letërsisë shqipe. Të gjitha krijimet e tij përshkohen
nga një ndriçim i fjalëve, i frazës së bukur, i figurave të ndryshme, i harmonisë kuptimore e
tekstore dhe e veshur me simbolikë.
33
Bibliografia
1. Berisha, Anton N., Në mbretërinë poetike - kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut,
Shpresa, Prishtinë, 2002.
2. Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, Pejë –Tiranë, 1997.
3. Hamiti, Sabri, Vepra letrare 10, Letërsia bashkëkohore, Faik Konica, Prishtinë, 2002.
4. Hamiti, Sabri, Studime letrare- Botime të veçanta XLIX, Seksioni i gjuhësisë dhe
letërsisë- Libri 21, Prishtinë, 2003.
5. Krasniqi, Nysret, Episteme letrare, 99 AIKD, Prishtinë, 2010.
6. Krasniqi, Nysret, Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99 AIKD, Prishtinë, 2016.
7. Pashku, Anton, Galtina, Faik Konica, Prishtinë, 2005.
8. Pashku, Anton, Kjasina, Rilindja, Prishtinë, 1973.
9. Pashku, Anton, Kulla, Naim Frashëri, Tiranë, 2007.
10. Pashku, Anton, Lutjet e mbrëmjes, Rilindja, Prishtinë, 1998.
11. Pashku, Anton, Nji pjesë e lindjes, Rilindja, Prishtinë, 1965.
12. Pashku, Anton, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1990.
13. Pashku, Anton, Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986.
14. Pashku, Anton, Tregime Fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1989.
15. Pashku, Anton, Tregime, Jeta e Re, Prishtinë, 1961.
16. Piegy – Gros, Nathalie, Poetika e intertekstualitetit, Parnas, Prishtinë, 2011.