UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”...e dhëna, duke ndikuar në formimin tim dhe për një...

24
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI” FAKULTETI I FILOLOGJISË DEGA: LETËRSI SHQIPE PUNIM DIPLOME Migjeni- Gjigandi që theu tabutë dhe ktheu faqen ‘‘e re’’ në letërsinë shqipe MENTORJA: KANDIDATJA: Dr. Rovena Vata Edona Krasniqi Gjakovë, 2019

Transcript of UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”...e dhëna, duke ndikuar në formimin tim dhe për një...

UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”

FAKULTETI I FILOLOGJISË

DEGA: LETËRSI SHQIPE

PUNIM DIPLOME

Migjeni- Gjigandi që theu tabutë dhe ktheu faqen ‘‘e re’’ në letërsinë shqipe

MENTORJA: KANDIDATJA:

Dr. Rovena Vata Edona Krasniqi

Gjakovë, 2019

2

UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”

FAKULTETI I FILOLOGJISË

DEGA: LETËRSI SHQIPE

PUNIM DIPLOME

Migjeni- Gjigandi që theu tabutë dhe ktheu faqen ‘‘e re’’ në letërsinë shqipe

Komisioni:

Kryetar____________________________

Anëtar____________________________

Anëtar_____________________________

MENTORJA: KANDIDATJA:

Dr. Rovena Vata Edona Krasniqi

Gjakovë, 2019

3

Mirënjohje

Shpreh mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë për udhëheqësen time shkencore, Dr.

Rovena Vata, për mbështetjen e saj të vazhdueshme që më ka dhënë gjatë periudhës së

studimeve dhe përgatitjes së këtij punimi të diplomës. Për këshillat e saj të vazhdueshme të cilat

ishin një lloj udhërrëfyesi gjatë punës sime. Falenderime të veçanta për konsultimet dhe këshillat

e dhëna, duke ndikuar në formimin tim dhe për një paraqitje më të mirë dhe më të strukturuar

të këtij punimi diplome. Falenderime kam për të gjithë profesorët që më mbështetën gjatë këtyre

tri viteve studimesh. Një falenderim shumë i madh shkon edhe për familjen time, pa përkrahjen

e tyre nuk do të isha këtu sot sepse pa ta jam asgjë dhe askush.

Përgjithmonë mirënjohëse ndaj tyre!

4

PASQYRA E LËNDËS

HYRJE .............................................................................................................................................. 4

1. Objekti dhe motivimi i temës ................................................................................................. 5

2. Metodologjia dhe metodat e punës ...................................................................................... 5

3. Baza teorike e punimit ........................................................................................................... 6

4. Synimi i temës ....................................................................................................................... 6

KREU I: Millosh Gjergj Nikolla dhe biografia e tij .......................................................................... 7

1.1. Migjeni dhe jeta e tij e shkurtër .............................................................................................. 7

KREU II: Migjeni poet (“Vargjet e lira’’) ....................................................................................... 10

2.1. ‘‘Vargjet e lira’’ dhe konteksti i tyre letrar e historik ............................................................ 10

2.2. Motivet e poezive ................................................................................................................. 14

KREU III: Migjeni prozator (‘’Novelat e Qytetit të Veriut’’) ........................................................ 16

3.1. Migjeni dhe çmitizimi i temave të kohës .............................................................................. 16

3.2. Migjeni dhe personazhet e tij lakuriq .................................................................................... 18

PËRFUNDIME ................................................................................................................................ 23

BIBLIOGRAFIA................................................................................................................................ 24

5

Hyrje

Objekti dhe motivimi i temës

Historia e kulturës dhe letërsisë shqiptare është e pasur me emra dhe vepra, të cilat kanë

vendosur gurët themeltarë të saj. Një nga këta emra është edhe emri i Millosh Gjergj Nikollës, i

njohur me emrin letrar si Migjeni, një nga figurat më të spikatura letrare në letërsinë moderne

shqipe. Ky punim diplome është një tablo e plotë e veprimtarisë letrare të këtij shkrimtari. Migjeni

është një ndër zërat më të veçantë artistik në gjithë letërsinë shqipe. Emri i tij qëndron në

piedestalin më të lartë të kësaj letërsie sepse ai është autori që ka pasqyruar më së miri në mënyrë

artistike realitetin social dhe moral të popullit shqiptar në vitet e tridhjeta të shekullit XX. Migjeni

bëhet autori më i thellë i kohës dhe me veprën e vet paraqet trajtimin social të jetës, botën intime

dhe individuale të personazhit. Migjeni shkroi dy vepra kryesore, “Vargjet e lira” në poezi dhe

“Novelat e Qytetit të Veriut” në prozë. Që të dyja këto vepra paten thuajse të njëjtin fat tragjik: e

para u ndalua të qarkullonte, kurse të dytën nuk arriti ta çojë në ndonjë shtëpi botuese.

Metodologjia dhe metodat e punës

Gjatë realizimit të këtij punimi diplome, jemi përkushtuar në disa metoda kërkimore e

hulumtuese për ta realizuar një punë më të mirë dhe më të plotë rreth Migjenit. Metodat bazë për

realizmin e këtij punimi diplome janë metoda biografike dhe metoda analitike. Metodën biografike

e kemi shfrytëzuar për të vënë në dukje elementet kryesore të jetës njëzet e shtatë vjeçare të autorit

që kemi marrë për analizë. Gjithashtu kemi hedhur dritë edhe në ca detaje të çështjes mbi identitetin

sllav të Migjenit. Metodën tjetër, metodën analitike e kemi shfrytëzuar për të analizuar ciklet

poetike te vëllimi poetik të tij të vetëm ‘‘Vargjet e lira’’. Kemi vënë në pah strukturën gjuhësore

të këtij vëllimi dhe dendurinë e figurave stilistike. Te vepra tjetër letrare në prozë

‘‘Novelat e Qytetit të Veriut’’ jemi marrë me analizen e personazheve, me mënyrën e paraqitjes

realiste të tyre dhe simbolikën që kanë ato.

6

Baza teorike e punimit

Askush si Migjeni, në letërsinë shqipe dhe rrallë herë edhe në letërsinë botërore, nuk ka

goditur me aq shumë forcë me anë të sarkazmës therëse, fenomenin e mjerimit i cili kishte përfshirë

dhe po rritej gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Mjerimi kishte zhveshur aq

shumë vlerat morale të njerëzve sa njeriu po humbiste trajtat njerëzore dhe po kthehej në një qenie

të mistershme. Në këtë realitet kaq të rëndë, krijoi vargjet dhe prozat e tij, për të dhënë drithërimën

që po përjetonte bashkë me njerëzit e thjeshtë të fshatit e qytetit. Nën efektin e groteskut, të cilin e

ndërtoi në mënyrë tepër artistike, Migjeni ynë na dha një skenë shumë rrënqethëse, të jetës së

përditshme dhe vizatoi para nesh në prozë e poezi, portrete njerëzish realë, me sy të mbërthyer nga

trishtimi e skamja e rëndë. Prandaj punimi i diplomës me titullin ‘‘Migjeni- Gjigandi që theu tabutë

dhe ktheu faqen e re në letërsinë shqipe’’ pasqyron më së miri krijimtarinë vigane të këtij

shkrimtari madhështor.

Synimi i temës

Kjo temë diplome synon të japë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të gjigandit të letrave

shqipeMigjenit. Tradita para Migjenit është vërtetë shumë e rëndësishme, por ai e ndryshoi

tërësisht atë traditë duke ndryshuar edhe rrjedhat e letërsisë shqipe. Migjeni është ai që solli risi në

letësinë shqipe, sepse përdori vargun e lirë, pa rimë e metrikë në poezitë e tij, por edhe ishte i lirë

në përzgjedhjen e tematikës artistike. Në këtë mënyrë, ai bëhet zëri më i fuqishëm i realitetit

shqiptar, zëri më i fuqishëm i gruas shqiptare që shet moralin vetëm e vetëm të mbajë familjen,

zëri më i fuqishëm i fëmijës që vdes për bukën e gojës, zëri i fuqishëm i malësorit që përulet

përpara një kokrre misri, zëri i fuqishëm i lypsit, pijanecit e të papunit. Por, ajo që e karakterizon

gamën jo të gjerë letrare të Migjenit është fakti se ai ndonëse i përshkruan të gjitha këto gjëra dhe

fenomene negative që ishin shumë prezente në shoqërinë shqiptare, nuk gjen zgjidhje se si ky

popull të dalë një herë e përgjithmonë nga kjo prapambetje ekonomike dhe morale.

7

KREU I: Millosh Gjergj Nikolla dhe biografia e tij

1.1. Migjeni dhe jeta e tij e shkurtër

Vitet e 30-ta shekullit XX, sollën në letërsinë shqiptare një grup krijuesish e publicistësh,

kontributi i të cilëve do të linte gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Me dëshirën e flaktë

për të parë një të ardhme të orientuar drejt Perëndimit, ata projektuan Shqipërinë moderne sipas

modeleve letraro-kulturore që vinin nga Evropa. Disa nga këta emra janë: Lasgush Poradeci, Ernest

Koliqi, Mitrush Kuteli, Stjero Spasse, Ali Asllani, Ethem Haxhiademi. Ata janë disa nga emrat

kryesorë të letërsisë që përcaktuan epokën dhe prirjet kryesore nëpërmjet të cilave formësohet

modernizmi shqiptar. Kjo letërsi vijon të mbetet objekt i analizave studimore, nisur nga parime

mirëfilli estetike për evidentimin e vlerave, risitë ligjërimore dhe përgjithësisht rolin e madh që

luajti në zhvillimin e procesit letrar, në vendin tonë. Në mesin e këtyre emrave është edhe Millosh

Gjergj Nikolla-Migjeni, autori të cilin ne kemi marrë për analizë në këtë punim diplome.

Millosh Gjergj Nikolla është emri i tij i vërtetë, se Migjeni i përbërë nga bashkimi i rrokjeve

fillestare të tre emrave të tij, është pseudonimi ose emri i pendës. Ai konsiderohet si një ndër

shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të XX. Për epokën

ishte një zë krejtësisht novator nga brendia, forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte

i madh. Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë

jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të

krijimeve të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme",

"Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të

kamura ndaj vuajtjeve të popullit. Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare qe i ndjeshëm

në vitet kur shkroi.

Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur

regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë

pjesërisht të pabotuara.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh

Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot

në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif

Jogan Begerin. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX

dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi.

8

Nikolla Dibrani qe murator për nga mjeshtëria dhe thonë që mori pjesë në ndërtimin e Kishës në

Shkodër. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924) të atin e Milloshit, dhe

Kriston. Gjergji, i ati, qe burrë i urtë, i ndershëm e me karakter. Me cilësitë e mira që kishte ai fitoi

një shoqe jete të pajisur me kulturë e me bukuri të rrallë, Sofi Anastas Kokoshin, me të cilën u

martua më 17 shtator 1900. Ajo vdiq më 16 gusht 1916 duke lënë pas të shoqin me dy djem e katër

vajza nën kujdesin shtëpiak të së vjehrrës plakë. Milloshi qe atëherë pesë vjeç. Më 1910 Gjergji

zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e

tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Në këtë dyqan

e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901. E ëma e tij vdiq që në

1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofia gëzonte nam të mirë në

rrethet shoqërore dhe ishte edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha

italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqësira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja

tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në

shkollën fillore serbe në Shkodër. Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo

ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i

Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.1

Migjeni ishte fëmijë me interesime dhe aftësi të shumanshme: këndonte bukur, i pëlqente

të merrej me sport, dallohej për gojtari dhe kishte shumë dëshirë të lexonte. Në shkollë, përveç

serbishtes dhe gjuhëve klasike, mësoi rusishten dhe frëngjishten, që u bënë burim kulture dhe

formimi revolucionar për të. Që në shkollë të mesme ai shfaq pikëpamje përparimtare dhe mban

qëndrime, që nuk pajtoheshin me dogmat dhe moralin fetar.

Më 1933, ndërsa rronte me shpresën se do t’i jepej bursë për të ndjekur studimet e larta, u

emërua mësues në Vrakë, në një fshat afër Shkodrës. Atje Migjeni u ndesh me vështirësi të shumta

dhe me pengesa të krijuara prej mentaliteteve fetare e prej ndërhyrjeve të konsullit serb, që e kishin

regjistruar në ‘librin e zi’. Në atë kohë ai u prek edhe nga tuberkulozi në mushkëri. Vlen që të

përmendet zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli).

Në Shkodër, Migjeni u njoh me shtypjen shoqërore dhe me hipokrizinë fetare. Kështu u

formua përfundimisht urrejtje e tij dhe dashuria e tij, kurse prej njohjes së lëvizjes përparimtare

1 Të dhënat për jetën dhe veprimtarinë e Migjenit janë marrë nga: Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare,

“Dukagjini”, Tiranë-Prishtinë, 1997, f. 97-99.

9

komuniste, u formuan shpresa dhe besimi i tij për të ardhmen, që u pasqyruan aq intensivisht në

veprimtarinë e tij të shkurtër, por të vrullshme e të thellë.

Më 1935, duke menduar se klima malore do t’i printe shëndetin, shkoi mësues në Pukë.

Edhe atje nuk pati dobi. Në Pukë, Migjeni vijoi të zhvillojë si mësues e poet veprmtarinë e tij më

të gjerë e më të pasur. Aty shkroi jo vetëm shumë, por edhe ato krijimet më të mira që na mbetën

nga penda e tij e fortë. Vuajtjet e popullit shqiptar, sidomos të popullit malësor, e bënë Migjenin

të vuante më shumë se nga sëmundja që po i shkallmonte mushkëritë. Në Pukë më 16 qershor 1937

shkroi këngën e tij të fundit ‘‘Nën flamujt e melankolisë’’. Klima e rreptë e Pukës ia acaruan

sëmundjen, prandaj vendosi t’i bjerë pas shëndetit, të dilte jashtë shtetit për shërim. Më 13 dhjetor

1937 mori lejën dhe vizën italiane. Në Itali u vendos në shtëpinë e motrës Olgës e cila studionte

atje. Shëndeti sa vinte i dobësohej. Në klimën e ftohtë të Torintos sëmundja e tij i mori hov. Në

dhjetor të vitit 1937 shkoi për kurim, në një sanatorium afër Torinos (Itali), sanotariumin ‘‘Shën

Luigji’’ ku dhe vdiq më 26 gusht 1938.

Lajmi i vdekjes së poetit të ri shqiptar shkaktoi hidhërim në gjithë Shqipërinë. Natyrisht ata

që e morën të parët vesh ishin familjarët dhe farefisi i shkrimtarit.

Në historinë e letërsisë shqipe, emri i Migjenit është një ndër më paradoksalët dhe më të

përfolurit sa i përket identitetit të këtij autori. Themi kështu sepse emri i tij ka qenë dhe është edhe

sot te studiuesit objekt diskutimi sa i përket identitetit të tij. Është folur e përfolur shumë, është

diskutuar e ende diskutohet. Pikë kryesore e këtij diskutimi është identiteti i tij i shumë diskutuar

sllav. Arshi Pipa, ndër të parët kritikë që vlerëson punën krijuese të Migjenit, është edhe ndër të

parët që përmend “prejardhjen sllave” të këtij të fundit. Në më shumë se një rast, ai i është referuar

Migjenit “shpirti sllav që flet shqip”, duke u shprehur me fjalt për të: ‘‘...nëse Migjeni i takon

letërsisë shqipe në sajë të gjuhës në të cilën ai shkruan, stili dhe skeleti i mendjes së tij janë

thelbësisht sllavë.”2 Sa i përket çështjes së identitetit etnik, ky debat nuk ka prapavijë jashtëletrare

dhe si i tillë, nuk e ndihmon njohjen e këtij autori më shumë sesa e pështjellon atë. Ndërsa sa i

përket ndërgjinishmërisë së prozave të tij të shkurtra mund të themi se Migjeni duke zgjedhur të

shkruaj në këtë mënyrë, bën që stili i tij i shkrimit të jetë shumë i veçantë sepse bën përzierjen e

elementeve të llojeve letrare.

2 Arshi Pipa, Për Migjenin-Tri ese, Princi, Tiranë, 2006, f. 57.

10

Kreu II: Migjeni poet (“Vargjet e lira’’)

2.1. ‘‘Vargjet e lira’’ dhe konteksti i tyre letrar e historik

Një nga shembujt më të qartë dhe më të suksesshëm të letërsisë moderne shqiptare është

krijimtaria e Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit. Migjeni bëhet autori më i thellë i kohës dhe me

veprën e vet paraqet trajtimin social të jetës, botën intime dhe individuale të personazhit. Migjeni

shkroi dy vepra kryesore, “Vargjet e lira” në poezi dhe “Novelat e Qytetit të Veriut” në prozë. E

para u ndalua të qarkullonte, të dytën nuk arriti ta çojë në ndonjë shtëpi botuese. Fati i “Vargjeve

të lira” të cilat nga parimet e regjimit, u censuruan është i njëjtë me fatin e “Novelat e qytetit të

veriut”. Vlen të ceket se në të dyja rastet këto censurime u bënë për të njëjtat shkaqe, të cilat ishim

shkaqe jashtëletrare.

Përveç fatit thuajse tragjik që patën deri te deportimi tek lexuesi, këto dy libra të vetëm të

Migjenit kanë edhe një të përbashkët tjetër, tematikën e tyre. Ato janë një zë i padëgjuar më parë i

shoqërisë shqiptare, i fatit të tyre tragjik dhe mjerimit që i kishte kapluar këtë shoqëri, deri në asht.

Përmes këtyre dy veprave letrare Migjeni paraqet realitetin e vrazhdë shqiptar të viteve të tridhjeta.

“Poezia dhe proza e Migjenit me artin e vet i bën jehonë këtij realiteti të vrazhdë jetësor. Duke i

dhënë formësim të ri, duke e bërë artefakt, ai i dha letërsisë shqipe tone dhe ngjyra të reja dhe në

këtë mënyrë e modernizoi atë”.3

Nuk është diçka e re të themi se poezitë e vëllimit “Vargjet e lira”, por edhe letërsia e këtij

autori në përgjithësi, dallojnë mjaft shumë nga fryma e shkrimit e autorëve të fuqishëm veriorë të

kohës si Ndre Mjeda, Gjergj Fishta e Ernest Koliqi, të cilët tashmë kritika letrare i njeh si krijuesit

e idiomës nacionale në letërsinë shqipe. Prandaj këtu qëndron vlera kryesore e veprës së Migjenit,

te thyerja, shkëputja përfundimtare e letërsisë shqipe nga ndikimet e modeleve të letërsisë së

rilindjes dhe frymës së romantizmit shqiptar që kishte mbizotëruar për një shekull.

Vetë titulli i veprës ka kuptim të dyfishtë: në aspektin e parë është titulluar kështu sa i përket

ndërtimit të poezive, nuk ka respektuar rimë e metrikë strikte. Aspekti i dytë i titullit lidhet me

lirinë tematike që ka përzgjedhur autori. Pra, që në titull na del se Migjeni ishte i vetëdijshëm se

po krijonte një poezi që ishte e ndryshme nga rrjedha e poezisë shqipe e cila shkruhej paraprakisht,

3 Resmije Kryeziu, Migjeni dhe avangarda, në Fenomeni i avangardës në letërsinë shqiptare, Tiranë, 2004, f. 36.

11

nga rrjedha e poezisë së kohës. Në secilin nga ciklet ne ndeshemi me emërtimet kangë, emërtim

ky për poezinë, që është një emërtim tipik tradicional.

Migjeni hap ciklin e tij të vetëm poetik “Vargjet e lira” me një poezi tejet interesante, të

ashtuquajturën “Parathanja e parathanjeve”. Kjo poezi është shumë e veçantë sa i përket tematikës

së saj. Që në këtë poezi Migjeni dëshmon shmangien nga poezia e traditës dhe nga ajo linjë

romantike që vazhdonte të kultivohej në Shkodër dhe në të gjitha viset shqiptare në ato kohë. Kjo

poezi shërben si një lloj dritareje për të hyrë në botën poetike migjeniane. Veç të tjerash kjo poezi

është interesante sepse vë në dukje një çështje shumë interesante, duke vënë në pikëpyetje

eksistencen e njeriut dhe Zotit. Kjo më së miri pasqyrohet në këto vargje:

“A asht Zoti pjella e tij

Apo ai- vetë pjella e zotit”4

Në vëllimin e vetëm poetik të tij “Vargjet e lira” Migjenit është treguar shumë i kujdesshëm

dhe interesant në organizimin strukturor të këngëve. Ai bën një ndarje të ciklit të tij poetik në

gjashtë cikle këngësh. Vëllimin e fillon me poezinë “Parathanja e parathanjeve” dhe e përfundon

me “Kangët e fundit” të cilat i shkroi pak kohë para se të mbyllte sytë përgjithmonë e të kalonte

në amshim për të mbetur një emër i pashlyeshëm në historinë e letërsisë shqipe. Një ndarje e tillë

në gjashtë cikle këngësh nuk është një ndarje krejt e rastësishme, një ndarje e tillë është bërë sipas

një rendi të caktuar kronologjik, ku respektohen madje edhe fazat e jetës, duke filluar me

ekzistencën, rininë, pjekurinë, vdekjen dhe në fund, fundin apo vdekjen.

Vëllimi poetik ‘‘Vargjet e lira’’ fillon me ciklin e titulluar “Kangët e pakëndueme”. Në këtë cikël

Migjeni shpreh vrullin e tij poetik te fshehur thellë, të brumosur në fund të shpirtit të tij. Ai thekson

se thellë në veten e tij flejnë këto këngë të cilat as gëzimi as vuajtja nuk ia mori, por qëndrojnë

stoike dhe të parezistueshme aty. Migjeni këtu shprehet optimist se këto këngë një ditë do të dalin

në dritë dhe nuk do qëndrojnë vetëm në errësirë. Migjeni është i vetëdijshëm që poezia e tij për

rrethnat e kohës do të shfaqë një rebelizëm të papërmbajtur. Poeti nuk mundi të shprehej ashtu siç

donte në kohën e Zogut. Prandaj këngët e tij ai i ruante, thellë në vete dhe priste që t’i këndonte në

4 Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e Qytetit të Veriut, Shtëpia botuese ‘‘Migjeni’’, Tiranë, 2006, f. 3.

12

ndonjë ditë më të mirë. Sipas Migjenit poezia e tij është një mundim i thellë piskologjik e filozofik.

Kjo shfaqet më së miri te vargjet e shkëputura më poshtë.

“...e unë jam një vullkan që fle i fashitun”5.

Pas optimizmit për jetë, pas shpresës, pas vuajtjes, vjen ringjallja. Edhe Migjeni e sistemon ciklin

e tij poetik me “Kangët e ringjalljes”. Ky cikël poetik përfshin në vete disa poezi shumë të veçanta

si: “Zgjimi”, “Të birt e shekullit të ri”, “Të lindet njeri” etj. Duke u nisur nga titulli i emërtimit që

i ka bërë Migjeni këtij cikli, vijmë në përfundim se këtu paraqitet ideja e ringjalljes dhe zgjimit të

njeriut, zgjimit të tij emocional e shpirtëror. Edhe kjo ringjallje bëhet në mënyrë kronologjike.

Fillimisht Migjeni bën thirrje për një zgjim të shekullit të ri dhe pastaj idenë për një njeri të ri i cili

do lind në këtë shekull dhe në këtë mënyrë të krijohet një epokë e re, një epokë shpresëdhënëse

për fatin e popullit shqiptar.

‘‘...të dali një njeri! të

mkambi një Kohë të Re!

të krijojë një epope...’’6

Vepra ‘‘Vargjet e lira’’ vazhdon me ‘‘Kangët e mjerimit’’, të cilat janë artistikisht shumë

të veçanta. ‘‘Poema e mjerimit’’ është ajo që qëndron në piedestalin më të lartë të gjithë këtij

vëllimi. “Poema e mjerimit”, është si një lloj kurore poetike që përshkruan me një vërtetësi të rrallë,

laviret, pijanecët, rrugaqët, të papunët dhe të gjithë të tjerët që janë fryte të mjermit. Në të gjitha

vargjet e kësaj poeme përshkruhen fatet e këtyre njerëzve, të cilët përpos mjerimit shoqëror gjenden

edhe në mjerim shpirtëror. Përshkrimi i tyre bëhet me një realizëm të paparë, deri në lakuriqësi.

Është kjo poezia ku Migjeni e ka përshkruar me ngjyra më realiste e më të forta mizerjen në format

e saj kryesore, duke ngritur zërin kundër klasave shfrytëzuese, kundër mëshirës hipokrite, kundër

klerit etj. Fjala ‘poemë’ është përdorur këtu për poezi e gjatë. “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or

vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”6 Janë këto ndoshta vargjet më therëse

në tërë letësinë shqiptare, të cilat janë si një lloj simboli, ose vargjet përfaqësuese për mjerimin dhe

efektet negative shpirtërore që ka ky fenomen shoqëror. Pjesë të këtij cikli këngësh janë edhe

poezitë: “Baladë qytetase”, “Recital’ i Malsorit”, “Lagja e varfun”,

5 Po aty, f. 10. 6 Po aty, f. 6. 6 Po aty, f. 11.

13

“Blasfemi”, “Melodi e këputun”.

“Kangët e përndimit” janë gjithashtu pjesë përbërëse e kësaj vepre letrare. Këtu kërkohet

një ide për zgjim, por kërkohet gjithashtu edhe një zgjidhje si do të bëhet ky zgjim. Përderisa në

këngët paraprake kishim të bënim me një besim të humbur, këtu kemi të bëjmë me një besim të ri,

apo besim të rigjetur.

Cikli ‘‘Kangët e rinis’’ shpalos për të fundit herë mallin e ndrojtur migjenian. Shpesh i

personifikuar edhe poeti që i këndoi më së bukuri rinisë për shkak të ciklit “Kangët e rinis”, Migjeni

shkriu gjithë talentin e tij poetik edhe në këtë pjesë kaq të ndjeshme, kaq të bukur dhe kaq të

veçantë e cila tash është bërë himn për rininë, dhe i ka qëndruar stoike kohës edhe sot. Ky himn

vazhdon ta përshkruaj rininë shqiptare edhe pas kaq shumë kohësh kur u shkrua nga Migjeni.

Titulli duhet të jetë ironik, si ajo e viteve të Shqipërisë kur jetoi Migjeni, rinia nuk duhet ta humbë

shpresën, po duhet të jetë e qeshur, entuziaste, optimiste, se asgjë nuk mund ta përmbajë dëshirën

e saj për një jetë më të mirë. Kjo dëshirë ‘kanga’, do t’u futë dhe të tjerëve gëzimin në zemër apo

‘zjarrin’. Rini është shpresa e së nesërmes së lumtur.

“Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

Kumbi i zanit te përplaset për qiellë dhe të kthejë prap te na - se hyjt ta kanë zili e na të duem fort

si të duem një diell.”7

Kështu artikulohen këto vargje të cilat janë si një lloj thirrje drejtuar rinisë për gëzim e dëfrim në

jetë. Kjo thirrje sa vjen e përforcohet në vargjet pasuese.

‘‘Thueja kangës, Rini!

Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.’’8

Për të përmbyllur ciklin e tij poetik Migjeni shkroi “Kangët e fundit”. Këto këngë u titulluan

kështu edhe për arsyen se ato u shkruan në muajt e fundit të jetës së tij, atëherë kur i mrekullueshmi

ynë Migjen, po lëngonte rëndë nga sëmundja e tuberkulozit. Prandaj edhe kritika jonë letrare i ka

vlerësuar si vargjet dhe poezitë më intime dhe më personale të shkrimtarit. Këtu përfshihen poezitë

si: “Një natë pa gjumë”, “Vuejtja”, “Vetmia”, “Kanga që s’kuptohet”, “Nën flamujt e

7 Po aty, f. 9. 8 Po aty, f. 9.

14

melankolisë”, “Frymëzim’ i pafat” etj. Siç mund të shihet qartë edhe nga vetë emërtimet e titujve,

kemi një vuajtje të thellë, netë pa gjumë, vetmi dhe njerëz që s’e kuptojnë forcën e tij të shkrimit.

2.2. Motivet e poezive

Migjeni është etiketuar dhe vazhdon të etiketohet shpesh vetëm si poet i mjerimit. Në këtë

mënyrë janë lënë shumë anash edhe vlerat tjera estetike e artistike të poezive të tij. Togfjalëshi që

e cilëson Migjenin si “poet i të mjerëve”, gjatë diskursit kritik të pas viteve ’90 është vendosur

thuajse gjithmonë midis thonjëzave për të treguar që ky ishte tashmë një përcaktim i ngushtë dhe

që i varfëronte vlerat e veprës së Migjenit (shpesh deri në mjerim). Përveç mjerimit Migjeni preku

edhe tema tjera dhe përjetësoi edhe motive tjera në vargjet e tij. Një nga këto motive është motivi

i dashurisë dhe motivi erotik. Ndonëse shumë lexues të thjeshtë, por edhe studiues e lënë në errësirë

këtë motiv te poezitë e Migjenit, askush nuk mund ta mohojë praninë e tij mes vargjeve. Këtë më

së miri e dëshmojnë poezitë e tilla si: “Z.B”, “Ekstaza pranverore”, “Ndeshja”, “Malli rinor”,

“Sonet pranveruer”, “Lutja”. Dashuria në pendën e Migjenit na del si ndjenjë mjaft e fuqishme që

të godet mjaft shumë. Themi kështu sepse janë për shembull sytë e vashës dhe shikimi i fshehtë që

sjellin dashurinë tek poezia “Z.B”.

‘‘Zojushë, q’ at buzmramje

unë andrroj me andje dhe

me një dashni të pastër ata

dy sy tuej të kaltër, që m’u

falne letë me një shikim

diskret.’’9

Në anën tjetër te poezia “Lutje” na shfaqet dëshira e poetit për ta zgjatur lumturinë e

dashurisë deri në përjetësi. Në këto poezi na del një tipar shumë i veçantë i lirikës erotike të

9 Po aty, f. 16.

15

Migjenit. Një frymë e dashurisë na paraqitet edhe në poezitë “Ndeshja” dhe “Malli rinuer”. Derisa

në poezinë e parë dashuria na paraqitet si një fatkeqësi që shkaktohet nga përbuzja dhe përqeshja

prej të tjerëve që e zbuluan këtë fshehtësi. Te poezia e dytë kemi të njëjtën situatë, sepse edhe këtu

dashuria nuk na çon në gëzim por në fatkeqësi.

Përveç dashurisë, motiv tjetër qe na paraqitet në poezitë e Migjenit është edhe motivi i

natyrës. Ndër poezitë që dallohet ky motiv janë: ‘‘Vjeshta në parakalim’’, ‘‘Ekstaza pranverore’’

dhe ‘‘Sonet pranveruer’’. Migjeni spikat në këto krijime, harenë dhe ngazëllimin i cili i mungon

pjesës tjetër të poezive të tij. Poet i prirur nga një shqetësim i përhershëm, duke e bërë këtë të fundit

shtysën kryesore të procesit krijues, nuk do të përjashtonte nga botëkuptimi i tij gëzimin dhe

shpresën, jo vetëm në boshtin personal por edhe si një bindje për një të nesërme më të mirë për

njerëzimin. Te krijimi poetik ‘‘Ekstazë pranverore’’ kemi një Migjen tërësisht ndryshe nga ajo që

kemi parë në krijimet e mësipërme. Ekstaza është një dehje ndjenjash, përpara diçkaje që duam,

që adhurojmë pa masë. Në këtë rast, është pranvera ajo që e deh poetin tonë të dashur, Migjenin.

Simbolikisht pranvera është ajo që përfaqëson në këtë krijim poetik, jetën e bukur që do të vijë.

Sa i përket diferencimit nëpër rryma letrare, ka mendime dhe diferencime të ndryshme

varësisht prej këndvështrimit të studiuesve të ndryshëm. Njëri thekson se në veprën e Migjenit

“takohen në një farë pike gjurmë të simbolizmit me vrazhdësin e pikëzimeve të realizmit në fund

të shekullit të shkuem.’’10 Në anën tjetër Dhimitër Shuteriqi vëren në poetikën e Migjenit ndikimin

e simbolizmit francez, italian e jugosllav, si dhe të futurizmit e të surealizmit.11

10 Qemal Draçini, Vepra poetike e Migjenit, “Fryma” 1944/3, f. 108. 11 Dhimitër Shuteriqi, Migjeni, në “Literatura jonë”, Nr. 8, 1948.

16

KREU III: Migjeni prozator (‘‘Novelat e Qytetit të Veriut’’)

3.1. Migjeni dhe çmitizimi i temave të kohës

Migjeni aq sa është i mrekullueshëm me fuqinë e vargjeve (poezive), është i mrekullueshëm edhe

me fuqinë e rreshtave (prozës). Këtë e dëshmon më së miri vepra e tij e vetme, me vlera të mirëfillta

letrare, në fushën e prozës e titulluar ‘‘Novelat e Qytetit të Veriut’’. Migjeni i botoi ‘‘Vargjet e

lira’’ në prill të vitit 1936, kurse “Novelat e Qytetit të Veriut’’ i kishte përfunduar në fundin e po

këtij viti (31 dhjetor 1936). Kjo e dhënë është e rëndësishme sepse dëshmon se Migjeni e kishte

përfunduar gjithë krijimtarinë letrare në një moshë shumë të re, në moshën 25-vjeçare.

Nga leximi i parë që i bëjmë veprës e më vonë edhe nga hulumtimi rreth saj, Migjeni shfaqet i

plotë, i qartë e harmonik në tërësinë e vet aty. Në një vështrim letrar e kritik, ‘‘Novela e

Qyetit të Veriu’’ janë forma më e arrirë lerare e Migjenit. Në këtë vëllim janë të përfshira disa nga

krijime e tij më të rëndësishme. E veçanta e veprës është fakti se ato i lidh ndër vete një mënyrë

shkrimi, një mjedis i caktuar, madje edhe tema themelore për gruan, prandaj studiuesi Sabri Hamiti

thekson se ato kanë: ‘‘një strukturë të përbashkët të romanit.’’12

Poezia e Migjenit, që mbështetet në figuracion dhe në lirinë e shprehjes, merr një formë të

ndërmjetme letrare të quajtur skica letrare. Në këto skica shfaqen temat e poezisë, të artikuluara

pak më ndryshe. Këto forma letrare janë ose proza poetike, ose poema në prozë, por vetë Migjeni

i quan ato alternative, dilema, novelëza ose fragmente të rrugës. ‘‘Migjeni erdhi në letërsinë shqipe

në kohën e zhgënjimit të madh. Shqipëria porsa kishte dalë nga nata islamiko-osmane. Vendi ishte

i varfër, i trishtë, gjysmë i rrënuar. Në krahasim me ëndrrën e shumëpritur, zhgëndrra ishte një

traumë e vërtet.’’13

Karakteristikë e gjithë ligjerimit letrar në prozë te Migjeni është fakti se ai i jep hapësirë

dialogut, ose edhe monologut në mjaft raste dhe në këtë mënyrë personazhet tashmë të flasin me

zërin e tyre; komunikimi i tyre me lexuesin tashmë thjesht ndërmjetësohet prej narratorit, i cili nuk

12 Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, Albas, Prishtinë, 2005, f. 234. 13 Ismail Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Vepra, botimi i nëntëmbëdhjetë, Onufri, Tiranë, 2009, f.

210.

17

është më në pozita qëndrore në rrëfim, por që tërhiqet në prapaskenë duke lënë vetë historinë të

flasë përmes zërave të vetë atyre që janë aktantët e asaj që është duke ndodhur. Pra, kjo do të thotë

që edhe në këtë rast Migjeni i zgjeron kufijtë e shprehjes artistike tashmë duke përfshirë edhe

elemente të gjinisë dramatike, të cilat përforcojnë ekspresivitetin e prozës së tij.

Dialogu dramatik është një tjetër tipar i qenësishëm i poetikës së prozës së shkurtër të

Migjenit, i cili e bën më të dallueshëm nga shkrimtarët e tjerë të qarkut veriorë. Përdorimi i dialogut

dramatik në mënyrë sistematike na krijon në mënyrë natyrale një lloj distancimi të narratorit

(rrëfimtarit) nga historia të cilën po e rrëfen, sepse historia në këtë mënyrë, nga e rrëfyer, vetvetiu

bëhet e dramatizuar. Kur kemi raste të dialogut në prozë, shumica prej tyre na paraqiten shumë të

gjatë dhe narrator këtu në përgjithësi ka një rol dytësor dhe pak të tërhequr në dallim nga rastet kur

ka narracion të pastër. Në prozën e Migjenit gjejmë të përdorura dendur edhe onomatopetë.

Një karakteristikë tjetër e veprimtarisë migjeniane në prozë është edhe pranëvënia e

pazakontë e titujve të novelave dhe skicave letrare të tij. Kujtojmë këtu novelat dhe skicat:

“Bukuria që vret”, “Legjenda e misrit”, “Vetvrasja e trumcakut”, “Ngjarje pa lëvizje”, ‘‘Bukën

tone të përditshme falna sot’’ etj. Shumë interesante janë edhe titujt që na paraqiten si një lloj

kundështie ose paradoksi mes vete: ‘‘Ose-ose’’, “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”, “Tragjedi

apo komedi” etj. Novelat e Migjenit i lidh edhe një tip i veçantë i ligjërimit, që barazohet me

realitetin, prandaj duken si tekste që rrëfejnë për një situatë. Ato karakterizohen nga një stil i

përzier, ku zëri i autorit shfaqet më shpesh në trajtën e kritikës, gjithmonë duke u mbështetur në

arsye. Përfundimet e tregimeve, në anën tjetër kurrë nuk ofrojnë një zgjidhje, madje as me komente

plotësuese të autorit. Edhe kur ndërhyn, Migjeni e shtron dilemën, hap alternativat.

Te krijimi në prozë ‘‘Programi i një reviste’’ ngrihet një problem shumë me rëndësi:

çështja e apolitizmit. Kapitalizmi mundohet që njerëzit t’i mbajë larg politikës, d.m.th larg jetës,

që të mos bëhen të dëmshëm për të. Këtë punë kapitalizmi mundohet ta bëjë jo vetëm ndër masat

e punëtorisë po edhe ndër njerëzit e dijes e të artit, ndër intelektualët në përgjithësi. Të shumtë janë

ata intelektualë që janë në këtë grackë. Të jesh apolitik d.m.th, dashje pa dashje të bësh politikën

e regjimit shtypës. Ai që i thotë vetës se nuk merret me politikë, ose gënjen vetën ose është hipokrit,

fsheh fytyren e tij. Të këtillë janë redaktorët e revistës që vë në lojë Migjeni. Ata gjoja i ka tmerruar

politika, po ushqehen me moral fetar, duan gjoja të mbrojnë të pambrojturit, të zgjojnë gjoja

kombin etj. Kjo është proza e parë që Migjeni botoi te ‘‘Bota e re’’ më datë 15 qershor 1936. Kjo

18

prozë ishte si një porosi për revistën, që të mos vepronte si shumë revista tjera të kohës, gjoja

apolitike.

3.2. Migjeni dhe personazhet e tij lakuriq

Migjeni në veprën e tij të vetme në prozë ‘‘Novelat e Qytetit të Veriut’’ na përshkruan

mjerim moral por edhe mjerimin material e shpirtëror, ambientin shqiptar përmes personazheve të

tij tejet të zhveshura nga metaforat e personifikimet. “Qysh në shkrimet e para që u botuan për të

fill pas vdekjes, ai u quajt një meteor në qiellin e letërsisë; krahasim i përdorur shpesh për

shkrimtarët me jetë të shkurtër e ndriçim verbues.’’14. Duke perifrazuar Kadarenë, mund të themi

se Migjeni u quajt meteor i letërsisë, sepse u shkëput shpejt nga jeta e tij por me ato pak vite jetë,

na dha mjaft produkt letrar të rëndësishëm për letërsinë tonë dhe mjaft interesant, si në tema ashtu

edhe në përmbajtje.

Mënyra sesi autori i portretizon personazhet ka të thotë shumë për të dhe mënyrën si

shkruan ai. Edhe Migjeni tregohet shumë i kujdesshëm në këtë pikë. Disa nga personazhet e

Migjenit na paraqiten si personazhe qe përjetojnë kriza. Kriza paraqitet më thellë sidomos në

personazhet femra. Me krijimet e tij, me modelet femërore në letërsinë shqiptare motivohet si një

shkatërrim i personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie kaotike. Në krijimtarinë e tij paraqitet

vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlera shpirtërore e materiale

shkatërrohet në kushtet e mjerimit dhe vuajtjeve të jetës së shtresave të varfëra.

Migjeni me protretizimin që ua bën personazheve, godet atë që askush nuk e sheh, atë që

dukej më e paprekshmja. Mendësia shqiptare e bazuar në normat kanunore kishte vënë në qendër

koncepte të tilla si burrnia, nderi dhe besa. Duke i përjetuar ato jashtë çdo konteksti shoqëror, duke

i idealizuar e thurur himne në luftën ndaj përparimit dhe emancipimit të njeriut shqiptar. Malësori

shqiptar shkatërronte jetën e tij dhe të tjetrit për një thyerje rregullash kanunore, duke mbetur si i

mpirë, “si i shituar nga zana” përpara hijes së nëpunësit civil. Personazhi i tij zhytet në mjerimin e

përditshëm material e shpirtëror.

14 Po aty, f. 214.

19

Ai në tregimin “Studenti në shtëpi”, përshkruan një ndër marrëdhëniet më themelore të

shoqërsisë njerëzore: marrëdhënia babë-bir, në një ambient shqiptar ku mbisundon ligji patriakal.

Marrëdhënia babë-bir është krijuar dhe tematizuar si një ftohje, si një mospajtim në heshtje, sepse

babai mundohet të projektojë tek i biri pikturën e vet. Përveç kësaj marrëdhënie paraqitet edhe

marrëdhënia vëlla-motër. Kjo lloj marrëdhënie është ngritur në nivelin e emocioneve shumë të

fuqishme. Na paraqitet shpërthimi i emocioneve të motrës kur duhet patjetër të martohet me dikë

që nuk e do aspak. Ajo identifikohet si viktima shumë e rëndë e mentalitetit patriakal shqiptar, ku

për fatin e vajzës vendos babai, kurse për fatin e gruas vendos burri. Pikërisht këtu na paraqitet

edhe figura e femrës në shoqërinë shqiptare, e përulur, e pavlefshme dhe jo e aftë të vendos për

fatin e saj në asnjë sferë të jetës. Figura Ages na del si figurë shumë komplekse. Këtu kemi të

bëjmë për një amoralitet për të cilin të gjithë e dijnë por heshtin. Kur themi kështu, kujtojmë

tradhëtinë që bën ajo me Lulin anipse ishte e martuar, por ishte e martuar pa dashuri dhe me dhunë

nga babai i saj.

Në novelën “Bukën tonë të përditshme falna sot” tre janë personazhet kryesorë; Kola, e

shoqja dhe djali i tyre Lili. Bëhet fjalë për varfërinë e kësaj familje, bëhet fjalë për mjerim.

Kryefamiljari është pa punë, i vogli i sëmurë dhe gruaja nuk pushon së luturi që Zoti t`i ndihmojë.

Mungon buka nuk bëhet fjalë për gjë tjetër. Novelën e përshkon zymtësia dhe hija e vdekjes. Para

tyre shembet çdo gjë; virtyti, nderi, besnikëria bashkëkohore, morali i shumë propaganduar

shqiptar. Të tre personazhet, Migjeni i strukturon mjeshtërisht. Nuk është vetëm dramaticiteti i

situatës që i bën të tilla, por edhe teknika e portretizimit të tyre, lakonizmi, finesa, nënteksti, fjala

e gjendur, dhe për çudi dritë-hija brenda errësirës. Novela guxon të na thotë se nderi apo morali

nuk është vlera më e epërme e njeriut. Duket qartë se Migjeni ka qenë i ndërgjegjshëm për

pragmatizmin e të parëve, sipas të cilëve Primum vivere, dende philosophari (Me jetue më parë,

pastaj me filozofue). Gruaja nuk i rreshti lutjet ndaj Atit të shenjtë. Ajo vetë u bë shenjtorja e

fëmijës, martirja e familjes së vet. Është ky vetëmartirizim që na bën t`i çmojmë nënat si të shenjta.

“-Kur ke ardhë? -Tash...,- u përgjigj shkurt pa drejtue kryet nga ajo. -Lili asht shum i smundë, i tha

e shoqja. Por ai vazhdoi të shikojë përtokë vrimën ndër dërrasa. Ishte një vrimë shumë

interesante!”15 janë fjalët e fundit të novelës. Kjo është një shprehje që ka brenda një mal me

aludime, një shoqërim idesh tepër delikate, si dhe shumë konotacione. Vrima shumë interesante na

15 Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e Qytetit të Veriut, Shtëpia botuese ‘‘Migjeni’’, Tiranë, 2006, f. 45.

20

aludon me vrimën ose kandosjen në të cilën kishte rënë familja, apo ndoshta vetëm gruaja, e cila

për ta shpëtuar djalin e saj të vetëm, humbet shpirtin e saj, në kuptimin që, bën gjëra që s’i kanë

hije një gruaje tipike shqiptare. Burri i familjes kthehet prej udhëtimit që ka bërë në përkjekje për

të siguruar jetesën e familjes së vet dhe në pragun e shtëpisë has një të huaj që del dhe ecën qetësisht

dhe gjen të shoqen të stolisur si asnjëherë më parë. Merr lajmin se i biri është sëmurë dhe, i vetmi

“veprim” që kryen është që të shikojë vrimën e dërrasave në dysheme.

‘‘Historia e njanës nga ato’’ është një novelë tjetër e Migjenit, në të cilën ai na paraqet fatin

e hidhur të gruas shqiptare. Protagonistja e kësaj novelë është Lukja. Ajo nga një vajzë malësore

me vlera të mëdha, vendos të bëhet një femër publike për shkak të varfërisë. Femër publike është

një nocion interesant dhe i veçantë që e përdor Migjeni për të përshkruar femrat që detyrohen të

prostituoen për të vazhduar jetën pa mungesën e gjërave elementare. Në këtë mënyrë Lukja duke

e shitur nderin e saj do të fitojë para, për të siguruar ekzistencën. Fati i saj ndryshon, kur ajo ka

fituar një shumë të konsiderushme parash dhe vjen në një pikë ku ajo dëshiron të martohet. Kemi

këtu një paradoks në vete, Lukja nga një femër publike dëshiron të bëhet një grua e përkushtuar.

Lukja është e bindur se me ato para që kishte fituar sa pati punuar si femër publike, mund ta kishte

jetën që kishte ëndërruar qysh kur ishte një vajzë e vogël e pafajshme. Jeta e saj bëhet tragjedi më

vete, sepse atë e percjellin gabim pas gabimi. Gabimi tjetër ëeshte se ajo zgjedh burrin e gabuar

për martesë, i cili ishte duke falimentuar dhe Lukja shpenzon gjitha parat e saj të cilat ajo kishte

fituar derisa punonte si femër publike. Novela vazhdon me tragjicitetin e saj dhe përfundon deri në

atë pikë kur kemi çmendurinë e Lukes. Vetë titulli na sugjeron ta kuptojmë se Lukja është vetëm

njëra nga ato shumë femra të cilat shesin trupin e shpirtin për bukën e gojës.

Në novelën ‘‘Qershiat’’ na portretizohet malësorja shqiptare e cila po priste një fëmijë të

vogël, por nga mjerimi në të cilën gjendje familja e saj, është shumë e mërzitur për fatin e fëmijës

që po pret. Njerëzit do ta urojnë me urimin ‘’i shkoftë lypa mbarë.’’16 Nusja e re pret frytin e saj

dhe me uri shikon qershitë e paarritshme në degë. Nga malli e zjarrmia për jetën, ajo do të lind

foshnjën e saj për të trashëguar mjerimin. Nga gjithë kjo katrahurë personazhesh ne kuptojmë se

mjerimi i ka bërë njerzit më pak të ndjeshëm.

16 Po aty, f. 90.

21

Në novelat e lartcekura ka një nivel artistik i cili është i ngritur në disa shkallë. Kjo më së

miri duket në mënyrën si na paraqiten personazhet femra. Zhvillimi i femrës ka marrë një tragjizëm

përfundimtar. Në vitet ’30, bëhet fjalë për një shoqëri ku gruaja duhet të ishte me patjetër pronë e

dikujt. Që kur lindte e deri sa martohej, ajo ishte pronë e babait apo e vëllait të madh në mungesë

të të atit. Duhej të sillej dhe të vepronte në atë mënyrë që i urdhërohej dhe nuk i lejohej të mendonte

ndryshe. Martohej më pas me pretendentin më të mirë të zgjedhur dhe tashmë detyra e vetme ishte

t’i shërbente bashkëshortit dhe shtëpisë së re. Kjo mënyrë mendimi trajtohet në novelën e parë.

Motra e Nushit, Agëja, është e detyruar të martohet me detyrim me dikë që nuk e njeh. Pavarsisht

përpjekjeve të Nushit, babai e ka thënë fjalën e tij dhe martesa kryhet. Këtu fillojnë të shfaqen dhe

pasojat e mentalitetit të ndrydhur. Agia e shtyrë nga rrethanat, tradhëton bashkëshortin e saj dhe

luan në kurrizë të shoqërisë ashtu si dhe shumë të tjerë. Derisa Agëja te novela “Studenti në shtëpi”

gjen tinëz dashnorin duke mashtruar burrin, Lukja te “Historia e njanës nga ato”, shet trupin duke

menduar se një ditë do të gjej qetësinë shpirtërore. Fat pak a shumë të njëjtë ka edhe gruaja e cila

nuk emërtohet nga Migjeni te novela “Bukën tone të përditshme falna sot”. Ajo e shet trupin për

të mbrojtur fëmijën, duke zbuluar mungesat e saj materiale e shpirtërore, por që së fundmi i humb

të gjitha. Të gjitha këtyre femrave iu mungon dashuria, mirëpo nuk iu mungon dëshira për jetë. Të

gjitha mbarojnë në mënyrë tragjike, pikërishtu duke dashuruar jetën e duke humbur vetën.

Temën e marrëdhënieve patriarkale trajtohet edhe te novela “Të qelen arkapijat”. Lajmi që

u bë për heqjen e ferexheve, pra për zbulimin e grave burrat e marrin si tronditje kurse gratë

fshehtas si festë të shpirtit. Kjo novelë është me karakter moralizues dhe social dhe shërbeu si një

lloj demaskim i klasës së re që po krijohej ku njerëzit gjenin kënaqësi në jetën absolute patriarkale.

Përshkrimi që i bën Migjeni malësorit shqiptar është shumë i veçantë. Në rastin si na

përshkruan Migjeni malësori dikur legjendar bëhet tani një njeri shumë i vogël përpara rrezikut të

ekzistencës. Nëse ‘‘Poema e Mjerimit’’ është kurora më e lartë artistike në poezi, ‘‘Legjenda e

Misrit’’ është kurora më e lartë artistike në prozë. Në kaq pak rreshta të kësaj proze aristike janë

treguar kaq shumë probleme të mentalitetit dhe jetës së vështirë malësore. Në njërën anë kjo prozë

është një lloj akuze dhe vetakuze. Migjeni vë në balancen e barazisë raporte të tilla si:

perëndi/misër, lindje/vdekje. Përderisa pjesa e parë e saj është një lloj eseje, ku kemi përshkrim,

pjesa e dytë është më tepër si një lloj tregimi ku paraqiten dhimbja e malësorit me një ironi therëse

të cilën vetëm Migjeni mund ta thur aq bukur në mënyrë aq realiste. Në pjesën e tretë Migjeni

22

tregon për ndryshimin e karakterit të malësorit, se çfarë metamorfoze ka pësuar ai dhe çfarë drame

shpirtërore e materiale po përjetonte ai. Nëse shkel dikush pa dashur një kokërr misër, mallkimi

është shumë i pamëshirshëm: “Mos i shkel, he të shitoftë Zana!” Se shekulli i njëzetë asht shekulli

i apoteozës së misrit ndër foletë e Shqipeve.”17 Ky mallkim me figurën e himnizuar të Zanës, për

të shpëtuar frymën e jetës njerëzore, shfaq në një mënyrë shëputje e Migjenit nga letërsia

pararendëse shqiptare. Themi kështu sepse, kjo që na servon Migjeni nuk e njeh madhështinë e

njeriut, përveçse në sprovat e tij për ekzistencë. Ajo nxjerr lakuriq tërë tronditjet shpirtërore të

njeriut, qoftë edhe me histori legjendare, por që para urisë bie në të dy gjunjtë, duke humbur kështu

të gjitha kodet e tij morale e nacionale.

17 Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e Qytetit të Veriut, Shtëpia botuese ‘‘Migjeni’’, Tiranë, 2006, f. 110.

23

PËRFUNDIME

Në këtë punim diplome trajtuam Migjenin si poet dhe prozator duke marrë në studim dy

veprat e tij “Vargjet e lira” në poezi dhe “Novelat e Qytetit të Veriut’’ në prozë. Nga të gjitha këto

që thamë, mund të ritheksojmë edhe njëherë se Migjeni është poet i mjerimit, por jo vetëm. Ai

është poet i revoltës dhe i kushtrimit revolucionar, por edhe i dëshpërimeve të shkaktuara nga

gjendja e mjeruar e popullit, nga despotizimi feudal-borgjez dhe nga dobësitë e lëvizjeve

revolucionare, ai përfaqësoi me krijimtarinë e vet letrare më mirë e më plotë se kushdo tjetër kohën,

duke u kapur pas disa problemesh e dukurish themelore të saj. Në fushën e letërsisë ai mbetet gur

kufiri ndërmjet letërsisë së viteve 30-ta dhe letërsisë së realizmit socialist.

Migjeni solli një atmosferë të re në letërsinë shqiptare të kohës në brendi e në formë, si në

poezi ashtu edhe në prozë. Ai çeli shtigje të reja për afrimin e letërsisë me jetën, me mprehjen dhe

modernizimin e formës së saj. Është i pari shkrimtar që iu afrua klasës punëtore dhe shkroi me

frymën e saj. Edhe pse nuk arriti ta shihte dhe ta shkruante plotësisht prespektivat e së ardhmes, e

dëshiroj atë dhe e kuptoi se një e ardhme e drejtë mund të arrihej vetëm nëpërmjet luftës

revulocionare të ‘grushtit të paligjshëm’. Vepra e tij në përgjithësi trajton me një ironi të mprehtë

plagët e shoqërisë dhe veçanërisht figurën e gruas tragjike të pafuqishme ndaj padrejtësive që i

bëhen asaj.

Përtej vlerësimeve që Migjeni ka marrë qysh kur njerëzit e paten në dorë veprën e tij në

vitet e 30-ta, pastaj fakti tjetër që ai vdiq në një moshë shumë të re, në një moshë kur shumë

shkrimtar të njohur sapo e kishin filluar krijimtarinë e tyre letrare, në moshën 27 vjeçare dhe duke

i shtuar edhe të ashtuquajturin “identiteti sllavo-shqiptar” një çështje kjo shumë e diskutueshme,

ka bërë që në mjaft raste vepra e tij të quhet “e paplotë”.

Sa i përket çështjes së identitetit etnik, ky debat nuk ka prapavijë jashtëletrare dhe si i tillë,

nuk e ndihmon njohjen e këtij autori më shumë sesa e pështjellon atë. Ndërsa sa i përket

ndërgjinishmërisë së prozave të tij të shkurtra mund të themi se Migjeni duke zgjedhur të shkruaj

në këtë mënyrë, bën që stili i tij i shkrimit të jetë shumë i veçantë sepse bën përzirjen e elementeve

të llojeve letrare.

24

BIBLIOGRAFIA

1. DRAÇINI, Qemal. Vepra poetike e Migjenit, “Fryma” 1944/3.

2. ELSIE, Robert. Historia e letërsisë shqiptare, “Dukagjini”, Tiranë-Prishtinë, 1997.

3. FETIU, Sefedin. Vepra e Migjenit dhe kritika e saj, Prishtinë, 1984.

4. HAMITI, Sabri. Letërsia moderne shqipe, Albas, Prishtinë, 2005.

5. JORGAQI, Nasho. Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve, në 100-vjetorin e e lindjes së

Migjenit, ‘‘Princi’’, Tiranë, 2011.

6. KADARE, Ismail. Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Vepra, botimi i nëntëmbëdhjetë,

Onufri, Tiranë, 2009.

7. KRYEZIU, Resmije. Migjeni dhe avangarda, në Fenomeni i avangardës në letërsinë

shqiptare, Tiranë, 2004.

8. MIGJENI. Vargjet e lira dhe Novelat e Qytetit të Veriut, Shtëpia botuese ‘‘Migjeni’’,

Tiranë, 2006.

9. PIPA, Arshi. Për Migjenin-tri ese, Princi, Tiranë, 2006.

10. SUTA, Blerina. Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe, Onufri, Tiranë 2004.

11. SHEHRI, Dhurata. Statusi i kritikës, Albas, Tiranë, 2013.

12. SHUTERIQ, Dhimitër. Migjeni, në “Literatura jonë”, Nr. 8, 1948.