Aspekte formale dhe praktike të regjistrimit të pronës dhe trashëgimisë
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI · 2020. 12. 26. · është që zinxhiri i prodhimit dhe vlera e...
Transcript of REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI · 2020. 12. 26. · është që zinxhiri i prodhimit dhe vlera e...
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë më, 07.12.2020, ora 12:45
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi– kryetare e Komisionit
Rendi i ditës
1. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat
kombëtare”, i ndryshuar”
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Reme Lala, Arben Elezi, Senida Mesi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni,
Artur Roshi, Krenar Ryci, Ervin Bushati, Evis Kushi,Antoneta Dhima, Eljo Hysko, Vullnet Sinaj,
Korab Lita, Blerina Gjylameti, Suzana Topi, Roland Xhelilaj, Anastas Angjeli dhe Ylli Shehu.
Të ftuar:
Nikolla Lera – Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Politikave Makroekonomike dhe
Çështjeve Fiskale në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë
Ilir Bejtja – Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
2
Milva Ekonomi – Ritakohemi përsëri për të vazhduar me çështjen e dyte të rendit të ditës,
që ka të bëjë me një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2005, “Për taksat kombëtare”, i
ndryshuar”. Kjo nismë vjen nga Këshilli i Ministrave.
Për këtë nismë kemi të ftuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, zotin Nikolla Lera,
drejtor i Politikave Makroekonomike të Çështjeve Fiskale, ndërsa nga Ministria e Infrastrukturës
dhe Energjisë, kemi zotin Ilir Bejtja, zëvendësministër, si dhe zotin Ilia Gjermani, drejtor në këtë
ministri. Relator për këtë çështje është zoti Ervin Bushati.
Zoti Lera apo zoti Bejtja, kush do të na bëjë një parashtrim të shpejtë të çështjes?
Ilir Bejtja – Do ta bëjë zoti Lera...
Milva Ekonomi – Zoti Lera, fjala është për ju.
Zoti Lera nuk dëgjoheni. Keni probleme me audion. Mbase duhet të mbyllni videon dhe
vetëm t’ju dëgjojmë.
Ervin Bushati – A mund të flasë relatori?
Milva Ekonomi – Dakord mund të fillojë relatori, ndërkohë zoti Lera rregullon audion.
Ervin Bushati – Faleminderit, kryetare!
Faleminderit, të nderuar kolegë dhe të gjithë administratës që po na ndjek dhe po na
mundëson!
Ky projektligj ka për qëllim përjashtimin, pra bërjen zero të nivelit të taksës së rentës
minerare, për një periudhë 3-vjeçare, për mineralet metalore ku përfshihen: argjendi, ari, bakri,
kromi, nikeli, nikeli i hekurit, plumbit të zinkut dhe minerale të tjera, që përpunohen në vend dhe
eksportohen në formën e nënprodukteve të mineraleve të tilla, si ferrokromi, koncentratet e kromit,
të bakrit e të tjerë.
Ky përjashtim ka për qëllim, së pari, të mbështesë industrinë e përpunimit të mineraleve
metalore, e cila po përjeton një periudhë krize të thellë si pasojë edhe e efekteve të pandemisë
COVID. Këto efekte kanë shkaktuar ulje të kërkesës dhe të çmimeve të tregut ndërkombëtar të
nënprodukteve minerale metalore.
Së dyti, të incentivojë përpunimin në vend, rritjen e investimeve, punësimin si dhe
shfrytëzimin më të balancuar dhe të qëndrueshëm të këtyre mineraleve metalike. Arsyeja kryesore
është që zinxhiri i prodhimit dhe vlera e shtuar të mbetet dhe të stimulohet më shumë për të rritur
tregun shqiptar.
3
Bazuar në të dhënat statistikore rezulton se industria minerare përfaqëson ndër vite një ndër
sektorët më me kontribut të qenësishëm në termat e rritjes ekonomike dhe të punësimit në vend.
Më konkretisht, në grupin e mineraleve metalore, vendin kryesor e zënë: kromi, bakri dhe hekur-
nikeli. Ky grup përfaqëson rreth 85% të investimeve që realizohen çdo vit në industrinë minerale
në vend. Gjithashtu, këto minerale aktualisht japin edhe kontributin më të rëndësishëm për
mbledhjen e rentës minerale në vend. Në këtë kontekst, produktet e industrisë minerale përbëjnë
një ndër kategoritë më kryesore të eksporteve vendase që ndër vite ka kontribuar kënaqshëm në
përmirësimin e bilancit tregtar vendas.
Bazuar në informacionin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, vërehet që në
zbatim të parimeve të strategjisë së zhvillimit të industrisë minerare.
Aktiviteti mineral i shfrytëzimit në përgjithësi ka një zhvillim të qëndrueshëm, si për
prodhimin e mineraleve klasike, edhe për të tjerat. Në degë të rëndësishme, si ajo e kromit dhe e
bakrit, janë kryer dhe po vazhdojnë të kryhen investime të rëndësishme, si në miniera, edhe në
përpunim, pasurim dhe në shkrirje.
Ndërkohë, vazhdimi i mëtejshëm i qëndrueshëm dhe afatgjatë i industrisë minerale është
ngushtësisht i kushtëzuar me zbulimin e rezervave të reja. Për këtë qëllim, mbetet domosdoshmëri
që kompani të ndryshme vendase dhe të huaja të kryejnë studime vlerësuese, si në drejtim të
përmirësimeve teknologjike, edhe për teknologjitë e reja për shfrytëzimin kompleks të pasurive
minerare, duke u fokusuar në përpunimin e mineraleve metalike sa më shumë në vend. Kjo do të
bënte të mundur frenimin apo kufizimin e eksportimit të mineraleve metalike të papërpunuara, që
bartin në treg një vlerë shumë më të ulët në krahasim me mineralin e përpunuar, duke rritur edhe
kostot e transportit e të tjera.
Pikërisht, stimulimi i ngritjes së infrastrukturës dhe investimeve specifike të nevojshme
për përpunimin e këtyre mineraleve kërkon incentiva të tjera stimuluese, një prej të cilave është
ulja apo përjashtimi nga pagesa e rentës minerale për një periudhë të caktuar.
Simulimi i eksporteve minerale të përpunuara do të sillte një fitim më të madh për vendin
tonë në terma të prodhimit të brendshëm bruto, por, njëkohësisht, me mundësi të reja punësimi në
zonat ku këto bëhen, sepse sa më shumë të përpunohen dhe të vazhdojë zinxhiri i përpunimit dhe
i prodhimit në Shqipëri, aq më shumë qytetarë do të mund të punësohem për të ndihmuar,
përmirësuar dhe për të shtuar proceset e trajtimit në vend.
4
Gjithashtu, situata aktuale mbarëbotërorë ka të bëjë që luhatjet të jenë të padëshiruara për
kërkesën dhe çmimin e mineraleve. Pra, i gjithë komprimimi ekonomik, që po ndodh sot në tregjet
ndërkombëtare, ka ndikuar edhe në tregjet e përpunimit të mineraleve, sepse janë lënda e parë në
prodhimin e shumë makinerive të tjera, qarqeve apo baterive që prodhohen sot në botë, duke ulur
kapacitetet. Pra, edhe çmimet e kanë ndjerë, dhe kjo vjen edhe për Shqipërinë.
Për sa më sipër, mendoj se ky është momenti i duhur për ta zbatuar dhe iniciuar këtë ulje
kostosh përmes politikash stimuluese, dhe lehtësuar, siç bën ky projektligj, që vlerësohet si një
ndër masat më efektive dhe eficiente, për t’i ardhur në ndihmë kësaj industrie dhe ekonomisë në
përgjithësi.
Projektligji ka dy nene:
Neni i parë i projektligjit propozon përjashtimin nga renta minerare të mineraleve metalike
për një periudhë 3-vjeçare.
Neni 2 i projektligjit trajton hyrjen në fuqi të ligjit 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Efektet financiare:
Projektligji parashikon që në periudhën 3-vjeçare të sjellë një efekt financiar mesatarisht
prej 500 milionë lekësh në buxhetin e shtetit. Kjo vlerë përllogaritet si vijon:
Në periudhat e kaluara, pagesa e rentës minerare për koncentratin, ferokromin e eksportuar,
ka qenë: në vitin 2018, 80 milionë lekë; në vitin 2019, 37,5; në 4-mujorin e vitit 2020, vitit që jemi,
10,5 milionë lekë.
Për koncentratin e bakrit, pagesa vjetore e rentës varion 100 milionë lekë në situatë normale
dhe 200 milionë lekë kur ka rritje të kërkesës.
Efekti i pritshëm 3-vjeçar nga heqja e rëntës për mineralet metalore që përpunohen, do të
jetë: nga renta minerare e përpunimit të kromit, minus 180 milionë lekë në 3 vjet dhe renta minerare
e përpunimit të bakrit që eksportohet, 300 milionë lekë në 3 vjet.
Pra, efekti total është mesatarisht në 500 milionë lekë. Në përfundim, duke vlerësuar se
miratimi i këtij projektligji do të ketë efekte pozitive në këtë industri, duke stimuluar, në radhë të
parë, punësimin; duke stimuluar, në radhë të dytë, prodhimin e tyre në vend; duke stimuluar rritjen
e investimeve, në radhë të tretë, si dhe një shfrytëzim sa më të balancuar dhe të qëndrueshëm të
këtyre mireraleve metalike, dhe në të njëjtën mënyrë, duke rritur edhe ato që derdhen në buxhetin
e shtetit (pra, kur një produkt përpunohet më shumë edhe në konceptin e TVSH-së në të gjithë
zinxhirin,vazhdon dhe përfiton shteti dhe buxheti i vendit), mendoj se do të kemi dakordësinë edhe
5
të opozitës për të bërë diçka që rrit punësimin, rrit investimet dhe rrit taksat që vijnë në bursën e
shtetit.
Faleminderit!
Uroj të votojmë pro!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zoti Bushati!
Zoti Lera! Mbase do të na ndihmoje pak, meqenëse keni qenë edhe pjesëtar dhe diskutant
në mbledhjet që kanë bërë komisionet e tjera, që janë për dhënie mendimi, sidomos Komisioni i
Veprimtarive Prodhuese. Na sillni pak diskutimet dhe sugjerimet që janë bërë në atë komision! Ne
i kemi këtu përpara materialet e atij komisioni dhe propozimet që kanë rrjedhur nga debati në
komision.
Nikolla Lera - Faleminderit!
Sikurse edhe relatori shpjegoi, iniciativa është marrë qysh në pjesën e parë të vitit, kur filloi
të ndihet efekti i pandemisë dhe mbyllja e veprimtarive prodhuese.
Në këtë ligj është parashikuar të përjashtohet 3 vjet nga taksa e rentës minerare minerali që
përpunohet brenda vendit.
Synimi ka qenë nxitja e përpunimit, krijimi i vlerës së shtuar brenda vendit, nxitja e
punësimit, në mënyrë që resurset natyrore të Shqipërisë të mos dalin të papërpunuara. Në këtë
kuptim u gjykua në atë periudhë që të kemi një përjashtim për tri nga renta minerare për mineralin
e përpunuar.
Ky ishte gjykimi që u bë në atë kohë. Nëse efektet e pandemisë do të zgjasin tre vjet, apo
dy vjet, apo një vit, kjo u diskutua edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku u hodhën
edhe ide që përse qeveria duhej ta parashikonte tre vjet, ndërkohë që mund të jetë një vit, pra pati
diskutime të kësaj natyre.
Nëse efekti trevjeçar do të jetë ajo shifër që është vendosur në relacion, efekti njëvjeçar do
të jetë, natyrisht, me i ulët. Kjo është në gjykimin e ligjvënësve. Nga shifrat që disponojmë shofim
që, krahasuar me vitet e kaluara rënia më e madhe është në industrinë e përpunimit, pra, ka rënie
në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, me 53% dhe në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, me
minus 23%. Ndërkohë që rënia e eksportit të mineralit të papërpunuar, që do të thotë edhe e rentës
që hartohet nga ajo, ka qenë në ritme më të ulëta, pothuajse e përgjysmuar. 14% ka rënë eksporti
apo renta e mineralit të papërpunuar në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, 17% në vitin 2020,
krahasuar me vitin 2019, pra me ritme më të ulëta.
6
Sikurse e thashë, është synuar të stimulohet përpunimi, vlera e shtuar brenda vendit. Kjo
ka qenë arsyeja që ne kemi prekur vetëm nivelin e rentës së mineralit në përmbajtje të koncentratit
apo të ferrokromit që eksportohet jashtë vendit. Është në gjykimin tuaj, sikurse e thashë.
Këto diskutime u zhvilluan edhe në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese që të ketë jo
një periudhë 3-vjeçare, sepse nuk mund të zgjasin kaq shumë, por për një periudhë më të shkurtër.
Po kështu, unë sugjerova atje që, meqenëse ligji është bërë që në muajin maj dhe vendosëm të hyjë
në fuqi brenda 15 ditëve, sepse u kërkua të hynte në fuqi me procedurë të përshpejtuar dhe tani
jemi në fund të vitit, nuk ka më sens të themi: “15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”, sepse
mund të hyjë në fuqi më 28 dhjetor dhe pastaj do të quhet vit 29, 30 dhe 31, pra lindin këto debate.
Më e saktë do të jetë që neni 2 të thotë: “Përjashtimi do të jetë për vitet 2021, 2022 dhe 2023 apo
për vitet 2021, 2022 apo për vitet 2021...” në varësi të vendimmarrjes suaj. Pra, të jetë e përcaktuar
në mënyrë eksplicite nga cilat vite do të përjashtohet dhe cili do të përjashtohet.
Po kështu, besoj se zoti Bejtja do të flasë vetë për këtë gjë, u hodh edhe një version tjetër
për përjashtimin jo vetëm të përpunimit të mineralit, rentës për mineralin që do të përpunohet
brenda vendit, por edhe për mineralet që eksportohen të papërpunuara, në mënyrë që të mbështetet
industria, por kjo do të ketë efekt shumë më të madh, sepse, me të dhënat që kam këtu, nga eksporti
i kromit ne arkëtojmë mesatarisht 370 milionë në vitin 2018, 320 milionë në vitin 2019, 270
milionë deri tani dhe do të shkojë 290 milionë deri në fund të vitit. Nëse do të ndiqet e njëjta logjikë
edhe për mineralin e papërpunuar, kostoja rritet edhe më tepër se 1 miliard në 3 vjet, që është e
paparashikuar në buxhetin e shtetit dhe vërtet do një rimendim të efekteve të taksimit të rentës,
sepse ju tashmë e dini që buxheti i vitit 2021 është miratuar, po kështu edhe periudha afatmesme
2021-2023.
Besoj se shpreha atë që duhej. Jam i hapur për pyetje dhe për komente.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Dakord.
Zoti Bejtja, inshallah kemi fat që të mos ju dëgjojmë me ndërprerje, sepse zotin Lera u
ndërpre pak.
Ilir Bejtja – Besoj se e kam lidhjen e mirë.
Nga diskutimi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese doli ideja edhe nga deputetët,
konkretisht nga deputeti Beqaj, por edhe nga deputeti Halimi, që është edhe vetë nga zona e
Bulqizës, që ne të mos kemi tre vjet për industrinë përpunuese, por të kemi një vit për të gjithë
7
sektorin e metalorëve, pra për grupin e parë të të gjashtë grupeve të rentës minerare, të mineraleve
që ne kemi.
Aktualisht, në këtë industri kemi aktivitet intensiv në bakër e në krom, në krom më shumë.
Situata është stanjative, domethënë e palëvizshme. Ka filluar që në fundin e 2019-ës e në vijim.
Tregu i kromit është shumë i ulët, dhe natyrisht, ta tregtosh të përpunuar është vlerë e shtuar. Por
jo i gjithë kromi mund të përpunohet në vend, përpunohet deri në masën 36 %. Pra, një pjesë e
mirë e kromeve, të cilat sot hasin vështirësi, janë kromet e pasura, pasi ato shkojnë në tregun
ndërkombëtar me një çmim mesatar prej rreth 130 euro -140 euro për ton, që në një ditë normale
është mbi 270-280, ndërsa koncentrati shkon deri në 450-460.
Në këto kushte, nëse ne gjykojmë se i gjithë sektori është në vështirësi, dhe sektori është
më i gjerë se sa vetëm industria përpunuese. Mund t’ju jap vetëm disa shifra lidhur me përbërjen
e sektorit. Kemi dy fabrika të përpunimit të bakrit, domethënë të pasurimit; kemi 14 pasurim krom;
kemi 2 metalurgji ferrokromi. Të gjitha këto kanë të punësuar rreth 3600 punonjës, ndërsa i gjithë
sektori shkon deri në rreth 8000 punonjës.
Ajo që përbën pjesën më të vështire nuk është metalurgjia, por është i gjithë sektori i
kromit. Bakri nuk eksportohet mineral, pasi është shumë i varfër dhe i bie të eksportosh dhé.
Prandaj ne eksportojmë koncentrat.
Sa i takon kromit, jo e gjithë industria varet nga përpunimi, sepse varet edhe nga tregu
ndërkombëtar. Ne kemi parë edhe përpjekje të çmendura, si rasti i aksidentit të një muaji më parë,
kur kompanitë, në kushte dëshpërimi, futen edhe pa rregulla të sigurimit teknik, sa iu ndodhin dhe
aksidente. Kjo pikërisht sepse gjejnë blerës të kromit në mënyrë shumë sporadike. Ndërkohë, që
të krijojë një situatë stabël, të qëndrueshme, dhe efektet në buxhet nuk i tejkalojnë 500 milionët
për të cilat flasim, duke mbetur diku te rreth 270 milionë, i gjithë sektori, përfshirë edhe sektorin
e përpunimit, mendojmë se e ndihmojmë shumë më tepër sektorin.
Ju do të thoni: ku ishit kur u hartua VKM-ja? Të them të drejtën, na ka shpëtuar diçka e
tillë, por duke qenë se edhe nisma e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese është vërtetë për t’u
përshëndetur shumë, ne e mbështesim atë nismë. Pra, i gjithë sektori të jetë i përjashtuar një vit
nga renta minerare. Ndërkohë, të mos harrojmë se industria e përpunimit, edhe në ligjin e
mëparshëm, e ka pasur rentën minerare tri herë më të ulët nga ç’e ka sektori minerar në vetvete,
pra metalorët. Në këtë kuptim, 3% dhe 2 % bëhen zero, ndërkohe që pjesa tjetër mbetet 9 %. Nuk
ka as kuptim, sepse këta në pjesën më të madhe, pra pjesa më e madhe e prodhimit shkon sigurisht
8
për përpunim dhe nëse shkon për përpunim, në eksport është zero, ai do ta blejë me 9% rentë?
Kështu që ose bëhet e gjitha zero, edhe për efekte kontabiliteti, ose nuk ka kuptim ta bësh ndryshe.
Ky është qëndrimi ynë si ministri.
Milva Ekonomi – Në rregull. Domethënë, propozimi juaj...
Ilir Bejtja – Është një vit përjashtim për të gjithë sektorin.
Milva Ekonomi – Një vit përjashtim për të gjithë sektorin...
Ilir Bejtja – Për kapitullin e metalorëve.
Milva Ekonomi – Metaloret, pra për kapitullin e parë të shtojcës 2.
Ilir Bejtja – Po, pa i shkaktuar, në fakt kjo ka qenë porosia dhe kërkesa e Komisionit për
Veprimtaritë Prodhuese, probleme, efekte pushtetit lokal për pjesën e rentës që ato marrin. Pra, ato
kërkuan që të reflektohet ky ndryshim edhe në buxhetin aktual për pjesën e pushtetit vendor.
Milva Ekonomi – Në rregull.
Faleminderit, zoti Bejtja!
Zoti Lera, ju kam në lidhje? Na dëgjoni?
Nikolla Lera – Po, zonja kryetare, ju dëgjoj.
Milva Ekonomi – Atëherë, ne pranë ministrisë suaj kemi depozituar edhe një amendim
për këtë ligjin që ka ardhur nga zoti Sinaj, për të cilin ju keni mbajtur një qëndrim për amendimin
që ai propozoj lidhur me ndarjen e rentës ndërmjet pushtetit lokal dhe pushtetit qendror.
Ju keni kthyer një përgjigje.
Nikolla Lera – Në fakt, kjo kërkesë i shkoi Drejtorisë së Buxhetit, sepse kishte të bënte
me buxhetin. Pra, deputeti Sinaj propozonte që përqindja që u lihet pushtetit vendor të mos jetë
5% e rentës, sa është aktualisht në ligj, por të jetë 25%. Është problem tërësisht buxhetor, ndarje
fondesh, dhe Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë e refuzoi këtë
kërkesë, sepse buxheti i vitit 2021 është i ndarë, planifikimet janë të përcaktuara dhe nuk ka asnjë
diapazon që tani të bëjë ndryshime të tilla dhe të rialokojë fonde.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Shikoj që zoti Sinaj ka ngritur dorën, po ashtu zoti Lita, zonja Hyseni dhe zoti Roshi.
Kështu, zoti Sinaj, fjala është për ju.
9
Vullnet Sinaj – Unë gjeta momentin që do të kalonte ky ligj për rentën dhe doja të bëja
ndërhyrjen time, pasi unë i qëndroj besnik teorisë që forcimi i pushtetit lokal sjell mirëqenien e
zonave dhe që atje ku janë resurset e burimeve natyrore, atje duhet të vijnë edhe të ardhurat.
Në qoftë se pashë pak interesin e zonës sime, që është Bashkia e Selenicës, ku nuk ka
bregdet apo nuk ka qytet të zhvilluar, por ka miniera, ka naftë, dhe renta minerare mund të
përmirësojë të ardhurat në bashki për të rritur mirëqenien e këtyre zonave. Në fakt, ne jemi duke
diskutuar një projektligj për të cilin Ministria e Financave apo qeveria ka ardhur të na kërkojë që
ne të heqim detyrimin e rentës minerare nga firmat shfrytëzuese të burimeve natyrore, kurse unë
kërkoj që kjo rentë minerare të shfrytëzohet sa më shumë në pushtetin vendor, në njësitë ku ajo ka
burimet e saj.
Jemi pak në kontradiktë me njëri-tjetrin. Unë kam mendimin tim dhe nuk tërhiqem nga
ideja ime, madje jam i bindur se mendimet e mia si përfaqësues i asaj zone, por edhe njëkohësisht
si përfaqësues i qeverisë, nuk mendoj se duhet të tolerojmë edhe firmat që shfrytëzojnë burimet
natyrore, pra t’ua mënjanojmë ose t’ua anashkalojmë pagesën e rentës minerare nga ato, sepse
jemi në disa momente të tilla, ku firmat mund të jenë në vështirësi, por Shqipëria është më në
vështirësi se firmat. Zonat ku janë minierat dhe burimet natyrore të lëndëve të para kanë shumë
herë më shumë nevojë se firmat, të cilat i shfrytëzojnë ato.
Milva Ekonomi - Faleminderit!
Zoti Bejtja, a doni të përgjigjeni për këtë çështje?
Ilir Bejtja - Po, zonja kryetare.
Bëhet fjalë vetëm për kapitullin e metalorëve, pra ne nuk flasim për rentën minerare në
përgjithësi. Sektori i hidrokarburëve nuk preket fare nga kjo histori, po kështu edhe rërat
bituminoze ose serra. Pra, do të vazhdojë të mbetet siç është, bëhet fjalë vetëm për kapitullin e
metalorëve.
Milva Ekonomi - Unë e kuptova propozimin tuaj. Në momentin që kemi marrë një nismë
ligjore, deputeti ka të drejtë të bëjë një amendim për ligjin që po diskutohet. Nga diskutimi i këtij
projektligji, zoti Sinaj ka të drejtën të marrë një nismë, të cilën e ka gjykuar Ministria e Financave.
Nuk ka lidhje me propozimin tuaj.
Ilir Bejtja – Edhe në ligjin e Ministrisë se Financave u referohemi metalorëve.
Milva Ekonomi- Po e kemi të qartë.
Fjalën do ta marrin me radhë zoti Lita, zonja Hyseni, zoti Roshi.
10
Korab Lita - Unë e përshëndes nismën e marrë për sektorin e mineraleve.
Është një punë, e cila gjeneron shumë të punësuar në Shqipëri, aq më tepër fusha e
mineraleve metalore, e cila zhvillohet në zonat malore, banorët e të cilave me të vërtetë kanë
probleme ekonomike. Pra, është një gjenerim i madh punësimi.
Siç dihet nga të gjithë, ky sektor prej dy vjetësh, për efekt edhe të bursës ndërkombëtare,
por edhe të mekanizmave të tjerë, ndodhet në krizë të madhe financiare, aq më tepër që, si për ironi
të fatit, iu shtua problemi i pandemisë. Kështu që, besoj se heqja e taksës së rentës minerare për
një vit, siç e parashtroi edhe zëvendësministri, që është ndër të paktat herë që unë bie dakord me
qeverinë për vendime të tilla, do të ndikonte shumë në rifillimin e punës së shumë subjekteve, të
cilat që nga momenti i shfaqjes së krizës në mars të këtij viti, pra që nga ai moment që e kanë
mbyllur nuk e kanë hapur më për efekt të problemeve financiare që ka.
Unë mendoj se kjo heqje e kësaj takse do të jetë një gjenerim të ardhurash dhe gjenerim të
sektorit të punësimit në ato zona të varfra, që kanë shumë nevojë për atë punë. Në këtë kontekst,
nëse do të hidhet në votim propozimin e zëvendësministrit së bashku me amendimet që janë bërë
në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, vota ime do të jetë pro, ndryshe do të jetë kundër.
Faleminderit!
Milva Ekomomi – Zonja Hyseni.
Edlira Hyseni – Faleminderit, zonja kryetare!
Edhe unë, si parafolësi, e përshëndes dhe e mbështes nismën për të ndihmuar sektorin, por
nuk jam dakord që të jetë vetëm për sektorin përpunues, ku siç e tha edhe përfaqësuesi i ministrisë
aktualisht aty janë 3500 punonjës, ndërkohë që totali është 8000 punonjës.
Janë 14 ndërmarrje të industrisë përpunuese të kromit, 4 për bakrin dhe 2 për mineralet e
tjera. Efektivisht, është një sektor në krizë dhe siç është shpjeguar edhe në relacion, ky ndryshim
vjen si një nevojë për të përballuar pandeminë dhe krizën që ka prekur sektorin dhe për këtë jam
dakord. Unë mendoj se e njëjta logjikë duhet të qëndrojë si për përpunuesin ashtu edhe për
prodhuesin, sepse pandemia me siguri, siç edhe ju e thoni, ka prekur çmimin dhe kërkesën në
tregjet ndërkombëtare në të dyja rastet. Pra, do të ishte një diskriminim dhe pabarazi që ne do të
shkaktonim midis subjekteve të licencuara rregullisht për një aktivitet për të cilat ato krijojnë edhe
të ardhura edhe punësim.
11
Unë do të isha absolutisht edhe për përfshirjen e prodhuesve dhe të nxjerrësve të
mineraleve metalorë në këtë rast, si dhe për afatin. Në fakt, doja ta pyesja zotin Lera, nëse ka
konkretisht një informacion në lidhje me këtë?
Zoti Lera, gjatë prezantimit të tij na tha se të ardhurat nga eksporti i mineraleve të
papërpunuara ka rënë diku ndërmjet -14 deri -17% në mos gaboj, prandaj do të doja të na thoshte,
nëse ka ndonjë informacion, se sa persona kanë dalë si të papunë aktualisht për vitin 2020, nga
subjektet që bëjnë prodhimin dhe licencimin në zonën e Bulqizës e të tjera?
Me aq sa unë kam dijeni, edhe ky sektor është në krizë, ka subjekte që janë të pezulluara
dhe që nuk po kryejnë aktivitet, pasi kanë larguar një mumër të madh punonjësish. A mund të na
thoni nëse ju e keni një informacion që edhe sektori prodhues ka largime në masë të punonjësve,
pasi këta punonjës me këto të ardhura sigurojnë familjet e tyre dhe jetojnë me atë pagë?
E kuptoj strategjinë që përdoret për të nxitur përpunimin, por mendoj se nuk është momenti
i strategjisë, sepse jemi duke folur për një ndryshim që vjen si nevojë e krizës ekonomike dhe e
këtij sektori që ndodhet në krizë. Pra, nëse po e bëjmë për të ndihmuar sektorin dhe për të mbajtur
vendet e punës ne duhet të mos bëjmë diskriminim duke ndihmuar një pjesë dhe duke i lënë të
tjerët të papunë.
Do të doja, nëse vërtet zoti Lera e ka një informacion të tillë, në të cilin ka një shtesë të
numrit të të larguarve nga puna nga subjektet e licencuara që bëjnë prodhimin dhe eksportimin
direkt të mineraleve, të na e thotë. Nëse ne ndihmojmë një sektor që të ruajë forcën punëtore, por
penalizojmë 4400 të tjerë që mund të largohen nga ky ndryshim, atëherë nuk kemi bërë një gjë të
mirë, por kemi favorizuar një pjesë, emra që janë sa gishtat e dorës, ndërkohë që ata janë shumë e
më shumë. Unë do ta mbështes nismën nëse do të jetë edhe për prodhuesin dhe përpunuesin.
Pyetjen e dytë e kam për afatin. Nuk e kuptova nëse zoti Lera sa i takon afatit 3-vjeçar ka
ndonjë shpjegim, sepse nëse kjo do të jetë për krizën mund të jetë për 1 vit, ndërsa sa i takon vitit
të dytë dhe të tretë ne do ta rishohim prapë. Pse duhet 3 vjet?
Ne mund ta bëjmë 3 vjet për të dyja kategoritë, por impakti në buxhet efektivisht do të ishte
i lartë. Unë mendoj që të ketë një ndryshim për të dyja, por me një efekt financiar 1-vjeçar dhe me
të drejtën për t’u riparë, duke shpresuar që buxheti që ne miratuam parashikonte rritje ekonomike,
kështu që ne duhet të presupozojmë që do të realizohet buxheti dhe vitin tjetër të kemi edhe një
rritje ekonomike, që nuk ka pse të na bëjë 3 vjet pa të ardhura nga renta, qoftë për njërën kategori,
qoftë për tjetrën.
12
Kështu që afati mendoj të jetë 1 vit dhe të përfshihen të dyja kategoritë, duke mbështetur
opsionin e rëndësishëm që pushteti vendor, pra buxhetet vendore të mos penalizohen dhe buxheti
të ketë një rishikim për të ndihmuar atë 5%-shin e rentës që e kanë pasur deri tani.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, Edlira!
Zoti Roshi.
Artur Roshi – Më lejoni të them dy fjalë në raport me amendamentin shtesë, që zoti Sinaj
kërkon t’i bëjë këtij projektligji.
Sigurisht, ky është një premtim që ne kemi bërë në zonën e Selenicës, ku i gjithë Komisioni
i Ekonomisë shkoi këtë verë. Vërtet unë qëndroja më fort për rritjen e pjesës që duhet t’i kthehet
pushtetit lokal nga renta që u merret kompanive për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës në këtë
zonë, por edhe 25% do të ishte mirë. Është apo nuk është projektligji i duhur për të bërë këtë
ndërhyrje, është tjetër gjë. Në parim jam dakord që ta mbështes amendamentin e zotit Sinaj. Pastaj
le ta gjykojmë nëse i takon këtij projektligji apo ndonjë projektligji tjetër.
Le të vijmë te projektligji konkret. Unë jam dakord me propozimin që bëri zoti Bejtja, për
të përfshirë të gjithë metalorët: edhe nxjerrësit, edhe përpunuesit për të qenë parimorë me të gjitha
kategoritë e bizneset, mirëpo nuk jam për një vit, por jam për 3 vjet. Pse? Si e argumentoj unë këtë
trevjeçarin, pra ulja e taksave apo të rentës për 3 vjet? Çdo kompani kërkon të bëjë një plan biznesi
dhe, sigurisht, ne duhet t’i japim shansin që investimet që do të bëjë ose përfitimet që do të ketë
nga ulja e rentës, ta kthejë në investim. Që investimi t’i kthehet atij në një kapital të shtuar duhet
të paktën të përfshijë 3 vjet. Në qoftë se ne themi për 1 vit, atëherë ai ka atë momentin e
mosgarancisë dhe të mungesës së stabilitetit se çfarë do të bëhet pas një viti. Pra, ulja për një vit
nuk do të sjellë gjë të shtuar cilësore për të rivitalizuar kapitalin e kompanive. Kështu që do të isha
për të gjitha kategoritë dhe për 3 vjet.
Nëse do të vendosni, ta lini kështu, unë do ta votoj pro, në të kundërt, do të jem kundër.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Ka nevojë njeri tjetër të bëjë ndërhyrje?
Zoti Lera dhe zoti Bejtja.
Nikolla Lera – Faleminderit, zonja kryetare!
13
Në lidhje me dy pyetjet e zonjës Edlira, a kemi informacion nëse sektori prodhues ka të
larguar nga puna, sqaroj se, momentalisht, nuk kam të dhëna analitike në lidhje me NIPT-et që
shfrytëzojnë minierat në Bulqizë, me kompanitë, që janë disa dhjetëra dhe lëvizjen e fuqisë së tyre
punëtore. Mund t'jua siguroj më vonë, duke kërkuar të gjitha NIPT-et përkatëse, por ajo që
shpjegova qëparë, i jep një përgjigje jo të plotë pyetjes suaj, sepse, nëse në industrinë e ferrokromit
rënia, po e marr të mesatarizuar, 18,19 20, është 38%, pra, siç e thashë, 53%, 19 krahasuar me 18,
dhe minus 23%, krahasuar 20 me 19, në industrinë e nxjerrjes dhe të eksportit kjo shifër e
mesatarizuar është 15%. Pra, është shumë më e vogël se te ferrokromi. Kjo do të thotë që, edhe
indirekt, besoj se fuqia punëtore është më pak e reduktuar krahasuar me industrinë përpunuese.
Megjithatë, shifrat e sakta në lidhje me të larguarit dhe rimarrjes në punë, mund t'i marrim,
sepse listëpagesat dorëzohen aty dhe nuk duan më tepër se një ditë.
Për sa i përket pyetjes së dytë, jam dakord me mendimin e zonjës Hyseni.
Faleminderit!
Milva Ekonomi - Zoti Bejtja, a doni të ndërhyni?
Ilir Bejtja - Unë dua thjesht t'ju përgëzoj për dëshirën që keni për të mbështetur sektorin!
Në mbështetje të asaj që tha zonja Hyseni, duhet të keni parasysh që ne nuk e prekim
principin e rentës, ai mbetet; është vetëm përjashtim për një vit. Ky është një propozim i zotit
Beqaj në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
Milva Ekonomi - Faleminderit!
Zotin Beqaj e kemi këtu, në komision.
Nuk e di nësë doni ta merrni fjalën, zoti Beqaj.
Ilir Beqaj - Faleminderit!
Kolegë, faleminderit!
Nëse ju kujtohet, para dy vjetësh, ne kemi diskutuar bashkërisht, kemi ndryshuar taksën
për rentën në ligjin për taksat kombëtare, me arsyetimin që kjo është një pasuri jo e pafundme, por
e fundme dhe është në interesin tonë të rrisim vlerën e shtuar brenda vendit, pra ta pasurojmë
dhe/ose përpunojmë. Sigurisht, ne kemi krom të mirë, me 36%, i cili nuk ka nevojë të pasurohet,
por kemi dhe krom të varfër. Atëherë thamë që, duke bërë këtë skedulim në vite, u japim dhe një
mesazh investitorëve, për t'u thënë: "Keni më shumë leverdi të investoni në fabrika pasurimi apo
përpunimi, por zhvillimet ekonomike të vendit, si pasojë e konjukturës botërore dhe kryesisht si
pasojë e pandemisë botërore, bëjnë që në këtë vit të mos flitet më për investime, por për
14
mbijetesë".
Duhet të kemi parasysh që më 1 janar renta për mineralin e papërpunuar, pra që
eksportohet direkt nga miniera, shkon 8 deri në 9%, ndërkohë që sektori është në vështirësi, qoftë
nxjerrësi, qoftë përpunuesi.
Nuk besoj se jemi të zotët të parashikojmë se çfarë do të ndodhë me ekonominë botërore
për 3 vjet. Prandaj ne në komision sugjeruam që të paktën ta shtrijmë këtë parashikim, jo shumë
optimist, për vetëm një vit, të vetëdijshëm që vitin e ardhshëm ekonomia jonë shpreson të kapë
2019-ën, por në sektorë të tjerë, që lidhen më shumë me Shqipërinë dhe më pak me konjekturën
botërore. Gjithashtu, duke qenë të vetëdijshëm që sot, në përgjegjësinë reale, ndeshen edhe
nxjerrësit. Unë kam të dhëna se çfarë ndodh me Bulqizën, por duhet të kemi parasysh që nxjerrja
dhe përpunimi i këtyre minerare, kryesisht është i përqendruar, përveç një fabrike që kemi në
Elbasan, në territorin e bashkive Tropojë, Has, Kukës, Fushë-Arrëz, Pukë, Bulqizë dhe Klos.
Kështu që, ne, si komision, vendosëm t’ju rekomandojmë juve që ta shtrijmë vetëm për një vit, 1
janar-31 dhjetor, dhe vitin e ardhshëm, në këto që quhen minerale metalore, ta keni zero retrën
minerare. Pastaj ndoshta të bëjmë edhe amendimin tjetër, ku, në tabelën që kemi miratuar para 3
vjetëve, të korrigjojmë 1 janarin e vitit 2021 dhe ta bëjmë 1 janar 2022.
A ka mundësi sot Komisioni i Ekonomisë të gjejë hapësirën për të zbutur efektin negativ
që u krijohet financave vendore të bashkive Tropojë, Has, Kukës, Fushë-Arrëz, Pukë, Bulqizë dhe
Klos? Nuk ia vlen t’ua them, sepse ne sapo e miratuam buxhetin. Megjithatë, unë kërkoj, qoftë
nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët janë këtu, sidomos të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë,
por edhe nga ju si komision, që në një moment të caktuar, kur gjatë vitit 2021 të ketë rishikime të
buxhetit, të merret në konsideratë edhe kjo gjë.
Faleminderit!
Milva Ekonomi - Faleminderit, zoti Beqaj!
Ne kemi propozimin e ardhur nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese për të bërë
ndryshimin në projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave, për të cilin, edhe Ministria e
Financave, edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehën dakordësinë e tyre për ta
miratuar, por e vetmja gjë, që nuk e kemi shumë të qartë, është formulimi ekzakt që duhet t’i bëjmë
në projektligjin që ka ardhur. Ne, në fakt, e kemi bërë një hartim, por që nuk jemi të bindur.
Nikolla Lera - Kryetare, është shumë e thjeshtë. Te formulimi i nenit 1 ne të themi:
“Zëvendësohet në masën 0% për vitin 2021”.
15
Milva Ekonomi – Ne e kemi formuluar kështu: “Në paragrafin e parë dhe të tretë të pikës
4 të nenit 4 niveli i taksave kombëtare të ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare”,
i ndryshuar” fjalët “1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim”, të zëvendësohen me “masën
0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të vitit 2021 dhe 1/3 e normës së
rentës për vitin 2022 e në vijim”.
Nikolla Lera – Edhe kështu është e saktë.
Milva Ekonomi – Edhe kështu është e saktë? Ta mbajmë kështu propozimin tonë?
Nikolla Lera – Po, mund ta mbani.
Milva Ekonomi – Në rregull.
Kolegë të komisionit, a e dëgjuat propozimin që lexova?
Artur Roshi – E kemi të qartë, zonja kryetare, sepse ashtu ishte.
Milva Ekonomi – Jo, kemi bërë një ndryshim, prandaj thashë.
Artur Roshi – E kemi të qartë.
Milva Ekonomi – Në rregull.
Atëherë, kush është dakord për ta miratuar në parim projektligjin “Për një ndryshim në
ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”? Kundër? Abstenim? Nuk
ka.
Miratohet.
Kush është dakord me riformulimin që i bëmë nenit 1? Ta lexoj nenin 1?
Në paragrafin e parë dhe të tretë të pikës 4 të nenit 4: “Niveli i taksave kombëtare të ligjit
nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar” fjalët “1/3 e normës së rentës për
vitin 2021 e në vijim”, zëvendësohen me “masën 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji
deri në fund të vitit 2021 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2022 e në vijim”.
Dakord?
Artur Roshi – Zonja kryetare, unë jam kundër, sepse thashë që jam për 3 vjet.
Milva Ekonomi – Në rregull, ti e doje për 3 vjet, kurse kjo është vetëm për 1 vit. Të tjerët
a janë dakord?
Me përjashtim të zotit Roshi që nuk është dakord, të tjerët janë të gjithë dakord.
Miratohet.
Neni 2. Kush është dakord “Për hyrjen në fuqi 15 ditë pas Botimit në Fletoren Zyrtare”?
Miratohet.
16
Kush është dakord për ta miratuar në tërësi projektligjin?
Zoti Roshi?
Artur Roshi – Jam kundër.
Milva Ekonomi – Në rregull.
Unë e kuptoj që jeni dakord të ndryshohet, por doni kohë më të gjatë për këtë gjë.
Atëherë, me votat e shumicës, sepse ne kemi qenë të gjithë prezentë, edhe zonja Topi, edhe
zoti Lita, edhe zoti Shehu u lidhën më pas, pra kemi qenë të gjithë dakord për këtë projektligj, me
përjashtim të zotit Roshi. Kështu që me këto ndryshime të ardhura nga Komisioni i Veprimtarive
Prodhuese, të diskutuara me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës, të këshilluara
edhe me këshilltarët e të dyja komisioneve ne e miratojmë këtë propozim në projektligj dhe e
bëjmë gati për ta çuar në seancën plenare.
Ju uroj një pasdite të këndshme!
Nesër jemi pushim, por të mërkurën do të kemi përsëri mbledhje.
Njoftimi do t’ju vijë në email-in tuaj zyrtar.
Faleminderit dhe ditë të mbarë!
Mbledhja mbyllet.
Mbyllet Mbledhja
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti
17