Këshilla të dobishme Udhëzime të rëndësishme Udhëzime të ...
PROCESVERBAL - · PDF filepotenciale, risku i kursit të këmbimit nuk është...
Transcript of PROCESVERBAL - · PDF filepotenciale, risku i kursit të këmbimit nuk është...
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 19.07.2016, ora 10:00 – 10:51
Drejton mbledhjen:
Erion Braçe – kryetar i Komisionit
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.10031, datë 11.12.2008 “Për
shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të ndryshuar”.
3. Seancë dëgjimore me zotin Arben Malaj për zgjedhjen anëtar të Këshillit
Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.
Marrin pjesë:
Erion Braçe, Ridvan Bode, Anastas Angjeli, Antoneta Dhima, Andrea Marto, Ervin
Bushati, Gledion Rehovica, Luan Duzha, Blerina Gjylameti, Ervin Koçi, Evis Kushi,
Gjovalin Kadeli, Florion Mima, Shkëlqim Cani, Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Jorida
Tabaku, Liljana Elmazi, Dashamir Shehi, Igli Cara.
Mungojnë:
Përparim Spahiu.
Të ftuar:
Katrin Treska - drejtore e Kodifikimit
Bledar Dervishaj - këshilltar i ministrit të Drejtësisë
Arben Malaj - kandidat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
2
HAPET MBLEDHJA
Erion Braçe – Fillojmë mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat të
Kuvendit. Sot në rendin e ditës së punës së këtij komisioni kemi dy çështje.
Së pari, për shkak të një propozimi të një grupi prej 28 deputetësh në mbështetje të
neneve të Rregullores së Kuvendit dhe të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” do të zhvillojmë
një seancë dëgjimore me zotin Arben Malaj për zgjedhjen e tij anëtar të Këshillit
Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Besoj se kërkesën e deputetëve e keni të gjithë përpara shoqëruar me të gjithë
dokumentacionin respektiv që kërkojnë neni 44, pika 3, neni 47 dhe neni 46 i ligjit “Për
Bankën e Shqipërisë” si edhe nenet respektive të Rregullores së Kuvendit. Propozimi i
deputetëve mbështetet në një akt të mëparshëm për të cilin është në dijeni Kuvendi i
Republikës së Shqipërisë, dorëheqjen e zonjës Ermelinda Meksi nga funksioni i anëtarit të
Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Zoti Malaj do të procedojmë me prezantimin tuaj.
Fjala është për ju.
Arben Malaj - Të nderuar kolegë,
Mandatimi i parlamentit në një nga institucionet kushtetuese është një përgjegjësi
maksimale për t’i shërbyer vendit tënd. Pas 30 vjetësh eksperiencë, ku mbi 16 vjet kanë
qenë angazhim në parlament, sot ndiej plotësimin e një ambicie profesionale dhe ndiej
detyrimin të shpreh mirënjohjen time: së pari për të gjithë mësuesit, duke filluar nga shkolla
në Llakatund, Shkolla e Mesme Ekonomike, Fakulteti Ekonomik e deri te kolegët në
Universitetin e Harvardit.
Dua të falënderoj familjarët e mi, prindërit, vëllezërit e motrat dhe në veçanti një
mirënjohje Mondës dhe Gertës, bashkëshortes dhe vajzës që më kanë mbështetur edhe kur
nuk kanë qenë plotësisht dakord.
Një falënderim i veçantë për 16 vjetët e kaluara së bashku me kolegët në
parlamentin e vendit tim, ku sfidat kanë qenë të vështira, por shpesh herë kemi marrë
vendimet e duhura për sfidat tona ekonomike.
Mirënjohje kam për stafet e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë,
me të cilët kemi drejtuar në kohë të vështira, sektorët e ekonomisë së vendit. Pa dyshim një
mirënjohje i takon stafit aktual të Fakultetit të Ekonomisë dhe studentëve të programit
Master ku aktualisht jam lektor.
3
Sfida si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është një përgjegjësi
profesionale maksimale, të cilën do të mundohem ta përmbush sa më mirë. Kjo periudhë
zëvendësuese e ish- pedagoges dhe e koleges sime zonjës Meksi është një mundësi shumë e
mirë edhe për mua për të njohur më thellësisht sfidat e Bankës së Shqipërisë dhe për të
kontribuar maksimalisht së bashku me kolegë të Këshillit Mbikëqyrës, administratorët e
Bankës së Shqipërisë dhe ekspertët e saj në nivel teknik. Bëj pjesë në shumë shqiptarë që e
konsiderojnë vendin tonë të begatë dhe duhet që këtë begati natyrore ta shndërrojmë në një
begati të çdo individi dhe familjeje. Jam i vetëdijshëm se ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë
më mirë. Mirëkuptoj çdo kërkesë jetike dhe çdo ambicie të çdo individi në vendin tim,
përballë sfidave sociale të punësimit, mirëqenies dhe kohezionit social.
Pavarësisht disa raste polarizimesh, duhet të pohojmë se arritjet e deritanishme
mund t’i bëjmë më të plota dhe më të prekshme.
Ndihem mirë që në të gjitha vlerësimit për 25 vjet tranzicion që janë bërë nga
Qendra Kërkimore dhe Shkencore dhe institucionet ndërkombëtare vendi ynë për disa nga
arritjet përfshihet në grupin e vendeve që ka ecur më mirë gjatë këtij tranzicioni. Ajo që
është më thelbësorja ky vlerësim vjen duke matur rritjen e të ardhurave mesatare për frymë
gjatë periudhës 1989-2014. Tani ndodhemi në prag të sfidave të gjeneratës së re, një gjenerate
që përfshin 33 vjet. Jemi përballë sfidës për të kaluar nga modeli i vjetër ekonomik në një
model apo modelim të ri ekonomik, i cili në thelbin e tij synon rritjen e produktivitetit të
ekonomisë, bërjen sa më konkurruese, ku parakusht do të mbetet shteti ligjor dhe kapitali
social. Për këtë kërkohet të përdoren me efikasitet maksimal politikat ekonomike dhe
instrumentet specifike. Më konkretisht duhet të përdoren me eficencë dhe efikasitet
maksimal politikat monetare, fiskale dhe ato sektoriale. Sigurisht, ne të gjithë bashkë e dimë
se ka politika që kanë një impakt afatshkurtër dhe disa të tjera afatgjatë, por përdorimi i mirë
i politikave monetare, fiskale dhe reforma strukturore mbetet sfida jonë e përbashkët, qoftë
në nivel qeverisës, qoftë të bankës qendrore, qoftë të parlamentit dhe në mënyrë të veçantë të
këtij komisioni të nderuar. Pa dyshim që misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë mbetet
stabiliteti i çmimeve, por në kushtet kur ai është nën objektivin edhe ligji “Për Bankën e
Shqipërisë” parashikon se duhet të përdoren instrumente që nxisin punësimin dhe
zhvillimin. Është e rëndësishme që ndërmjetësit financiarë të plotësojnë misionin e tyre
jetik që është një lidhje më e mirë e depozitave dhe të gjitha burimeve potenciale të
financimit me projekte sa më të suksesshme dhe efektive, qoftë në sektorin privat, qoftë atë
publik. Në vendin tonë sistemi bankar zë rreth 90% të ndërmjetësve financiarë ose sektorit
4
financiar, për këtë arsye ai është jetik dhe duhet të përdorë në maksimum të gjitha politikat
dhe instrumentet respektive. Si ekonomist ruaj bindjen se një ekonomi e shëndetshme
kërkon patjetër një sistem financiar të zhvilluar dhe niveli i zhvillimit të sektorit financiar në
vendin tonë ka disa arritje, ka arritur deri në 102,9 % të GDP-së, por është i strukturuar në
mënyrë të tillë që 90% janë nga sistemi bankar ndërsa pjesa tjetër janë nga sektori financiar.
Ndërmjetësit e tjerë financiarë që duhet ta ndihmojnë më mirë biznesin për burime sa më të
lehta dhe sa më të disponueshme është në fazat e para të tij të zhvillimit dhe për disa nga
ndërmjetësit financiarë është në fazën embrionale.
Nga ana tjetër ruaj bindjen se nuk ka sistem financiar efektiv pa një ekonomi të
shëndetshme. Në këtë këndvështrim dua të theksoj sfidën që ka jo vetëm cilësia e
kredimarrjes, por edhe ajo e kredidhënies, pasi shikojmë që në këtë dinamikë të reformës së
sistemit bankar, duke parë edhe efektet e krizës, kreditë jo performuese janë në një nivel
kritik dhe ndoshta nga ky nivel duhet të kuptojmë që zhvillmi ekonomik mund të mbështetet
me reforma më të plota strukturore, por nga ana tjetër edhe cilësia e mbikëqyrjes mbetet
jetike. Jo rastësisht duke analizuar shkaqet e krizës globale një nga problematikat ka qenë
integriteti në sistemin financiar. Për këtë arsye shumë nga reformat që janë iniciuar nga
institucionet financiare ndërkombëtare kanë vënë në thelb etikën në sistemin financiar. Duhet
ta them në mënyrë të përsëritur se një nga mesazhet e shefes së FMN-së, ishte që integriteti
është thelbësor në sektorin financiar, ku përgjegjësia është maksimale për të aktivizuar
burimet e depozituesve në projekte financimi. Më konkretisht, theksimi ishte i tillë që
zakonisht na duhet kur bëjmë partneritet apo përzgjedhim njerëz për postet publike apo për
sektorin privat të shikojmë për tre nga cilësitë e tyre kryesore: integritetin, inteligjencën dhe
energjinë. Këshilla që jep Backer bazuar në eksperiencën e tij të gjatë dhe që po bëhet në
thelb të reformës për një etikë më të mirë në sektorin financiar është: “Bëni kujdes për
cilësinë e parë, për integritetin, individët pa integritet mund ta përdorin inteligjencën dhe
energjinë e tyre vetëm për qëllime negative”. Në këtë aspekt sapo ka filluar një reformë në
sektorin financiar. Vendi i parë që ka filluar të fusë sistemin e betimit për nëpunësit e
sektorit financiar është Holanda. Të shikojmë se në vetvete ekspertët e tregjeve financiare
janë skeptikë, pasi në thelb të këtij betimi të Hipokratit është që çdo njëri prej punonjësve të
sektorit financiar duhet të vërë në qendër të shërbimit të tij shëndetin e klientit, pra të
kredimarrësit, jo thjesht fitimin e kompanisë.
Sfidat që ka përpara vendi kërkojnë një fokus më të madh te reforma strukturore,
nuk dua të mbivendosem me debatin aktual, por nuk mund të rri pa theksuar se reforma në
5
drejtësi ka një impakt të madh jo vetëm për aspektin politik dhe atë integrues të vendit, por
sidomos edhe për impaktin ekonomik. Kalimi nga një model i vjetër, i cili bazohet te
konsumi dhe konsumi nga rritja e borxheve të individëve, të biznesit dhe të borxhit publik
kishte një limit. Aktualisht diskutohet për një model të ri që është rritja e produktivitetit.
Rritja e produktivitetit ka një lidhje të fortë me rritjen e investimeve të huaja, sidomos në
sektorët që kanë një vlerë të shtuar maksimale dhe thithja e tyre është e kushtëzuar nga
funksionimi i shtetit ligjor në tre elemente përbërëse: e drejta e pronës, liria nga korrupsioni
dhe paanësia e gjyqësorit.
Po të shikojmë edhe indeksin e lirisë ekonomike dy nga problemet që ka ekonomia
jonë dhe që janë në nivele kritike gjatë gjithë tranzicionit janë liria e pronës dhe liria nga
korrupsioni. Të dyja këto janë të lidhura fort me gjyqësorin, niveli i tyre sipas klasifikimit të
indeksit ndërkombëtar është nën 50% që do të thotë se janë liri të shtypura. Pra, pa
përmirësuar funksionimin e sistemit gjyqësor të shtetit ligjor të garantimit të lirisë së pronës,
të paanësisë së gjyqësorit është shumë e vështirë që të synojmë rritje ekonomike më të larta
dhe të qëndrueshme. Një rritje ekonomike më e lartë është e domosdoshme për sfidat që ka
vendi, sidomos për sfidat sociale që janë të lidhura me nivelin e papunësisë, të varfërisë dhe
ndalimin e thellimit të pabarazisë dhe përmirësimin e kohezionit social. Reforma në
gjyqësor ka edhe një impakt tjetër pozitiv, pasi duke vepruar në një sektor të vetëm siç është
gjyqësori, ka një kthesë fill over mbi të gjitha reformat stukturore duke i bërë ato më të
qëndrueshme dhe më produktive. Po kështu shumë nga reformat sektoriale kërkojnë më
shumë kohë dhe nga ana tjetër efekti pozitiv i reformës në gjyqësor ndihet më shpejt dhe
vepron në të gjithë sektorët edhe nga pikëpamja financiare kërkon më pak para dhe jep më
shumë rezultate.
Duke parë në dinamikë sfidat që ka Banka e Shqipërisë dhe debatet publike deri tani
është aplikuar ulja e normave të interesit si për bonot e thesarit dhe për kreditë. Ka një
sprint të lartë midis uljes së normave për depozitat dhe uljes së normave për kreditë, i cili
vjen duke u përmirësuar.
E dyta, ka një trend pozitiv që është rritja e peshës së kredisë në lekë dhe në njëfarë
mase kredia në tërësi, por për herë të parë sipas raportit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë
në vitin 2015 kreditë në lekë janë më shumë se kreditë në valutë, gjë që përbën një
përmirësim të uljes së risqeve, pasi të gjithë e kemi të qartë se nëse kredia do të jetë në
valutë dhe matësit e kredisë në valutë nuk kanë aftësitë e nevojshëm për të vlerësuar risqet
potenciale, risku i kursit të këmbimit nuk është i lehtë, atëherë kanë qenë më të ekspozuar
6
ndaj risqeve. Një lidhje e mirë midis të ardhurave në lekë dhe kredive në lekë ul një nga
risqet potenciale që ka ndikuar në kreditë jo performuese të sistemit tonë bankar.
Ka një debat të cilin në mënyrë të vazhdueshme besoj ekspertët e Bankës së
Shqipërisë, por edhe Komisioni i Ekonomisë, e ndjekin nga afër, pasi ulja e normave të
interesit të depozitave ka prekur një pjesë të të ardhurave të asaj shtrese, që këto të ardhura
i kishte edhe si bazë për konsumin. Sipas analizave që bëhen nga autorë të huaj, thuhet se
ulja e normave të interesit apo interesat në terma negative kanë një risk potencial, pasi mund
të ulin aktivitetin bankar dhe mund të rrisin aktivitetin informal jashtë kanaleve të bankës, ku
pasojat janë jo pozitive dhe treguesit duhen ndjekur me një lloj përgjegjësie maksimale
duke parë edhe hapat e mëtejshëm për të minimizuar këtë risk.
Ky ishte një prezantim i shkurtër. Unë do të isha shumë mirënjohës për çdo pyetje
dhe koment gjatë kësaj seance.
Erion Braçe – Faleminderit, zoti Malaj!
Ka pyetje nga kolegët deputetë? Nuk ka. Ka ndonjë koment nga kolegët deputetë?
Po, zoti Shehi.
Dashamir Shehi – Së pari, e uroj zotin Malaj. Më bëhet qejf që po vemë në
Këshillin e Bankës njerëz që kanë fituar një autoritet te puna e tyre, kanë një eksperiencë
profesionale dhe kanë edhe një peshë politike, që të jemi realistë, sepse prej shumë vitesh
institucionet tona janë mbushur me personazhe të dorës së dytë, Shpeshherë janë
manipuluar. Bordet e institucioneve të pavarura janë një skifecë e përgjithshme, njerëz pa
autoritet, pa profesionalizëm, që thonë përralla nga mëngjesi deri në darkë, mbyllin disa
interesa. Pra, e shikoj me shumë kënaqësi, megjithëse e kam kundërshtar politik, jemi zënë
shumë keq, zotëria ka qenë edhe prezent, por më bëhet qejfi nëse duam t’i kthejmë
institucioneve autoritetin, të ketë disa burra që mund t’i thonë edhe guvernatorit: “Më duket
se, për këtë po ia fut kot, po e bën gabim”. Kjo besoj se ka njëfarë vlere.
Do t’i bëja një kritikë, një këshillë zotit Malaj, nuk po hyj fare aty, sepse janë
prezantime, te kjo lista e deputetëve që të kanë propozuar duhet të kishe shtuar edhe disa
burra këtej, se kur shikoj disa emra, disa fytyra si ne, mund të ishin pak më të rendësishëm se
këto, një pjesë e këtyre policëve.
E dyta për t’i dhënë shansin vetes, se kur ti hyn te banka nuk je më i njërit krah.
Kjo këshillë besoj se vlen edhe për të tjerët që do të vijnë mbrapa.
Punë të mbarë!
Faleminderit!
7
Erion Braçe - Zoti Shehi, unë besoj se kjo vërejtje më shkon mua dhe jo zotit
Malaj.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Është një problem që vjen nga Rregullorja, por do ta rregullojmë.
Arben Malaj – Unë e falënderoj për të gjithë mbështetjen. Kam një sqarim nga
përvoja parlamentare, unë jam duke zëvendësuar zonjën Meksi dhe në këtë rast është
vepruar njësoj nga të dyja krahët politikë. Ne jemi propozues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe
kjo është një mirënjohje e veçantë. Grupet parlamentare specifike kanë bërë propozimet
përkatëse, ndërsa votimi ka qenë me konsensus. Ishte mirëkuptimi i bërë në vitin 2011.
Unë do të isha mirënjohës për çdo deputet nga çdo krah politik që do të më jepte
mbështetje për këtë mandat.
Erion Braçe - Faleminderit!
Po, zoti Spaho.
Edmond Spaho - Pavarësisht se jemi nga dy krahë të kundërt të spektrit politik,
për aq kohë sa e njoh zotin Malaj, e njoh prej shumë kohësh, mendoj se profesionalisht
është një kandidaturë që i vlen Bankës së Shqipërisë dhe do të shprehja qëndrimin pozitiv
dhe bie dakord me zotin Shehi që kandidatura të tilla janë të nevojshme që t’i kemi në shumë
prej institucioneve tona të pavarura.
Faleminderit!
Erion Braçe - Faleminderit!
Po, zoti Bode.
Ridvan Bode - Edhe unë mendoj se zoti Malaj do të japë një kontribut me vlerë në
bordin e Bankës së Shqipërisë. Është kohë sfidash dhe profesionalizmi, përkushtimi në
institucione të tilla është shumë i nevojshëm. Nuk kam çfarë të them për meritat, por
sidoqoftë në nisjen e tij për në këtë mision do të dëshiroja të thosha dy-tre çështje, të cilat
zoti Malaj, na shqetësojnë.
Ne kërkojmë që Banka e Shqipërisë, jo vetëm të ruajë autoritetin e saj në të gjithë
institucionet që interferojnë me ekonominë e vendit dhe që e ka ruajtur, por duhet të jetë më
efektive, që politikat e saj të mos jenë virtuale, por të kenë një sens real, sepse për ne
mbeten disa pikëpyetje, të cilat duhet të marrin një shpjegim. Themi se kemi rritje ekonomike
prej dy-tre vjetësh, por inflacioni është në nivelet më minimale, pothuajse zero. Banka e
Shqipërisë është autoriteti që ka si objektiv kryesor, kështu e kemi vendosur, mirë e kemi
bërë apo keq, por kështu na kanë mësuar në atë kohë, që ta ruajë inflacionin brenda një
8
intervali. Jemi nga vendet e paktë në rajon që objektivat e Bankës së Shqipërisë në raport
me inflacionin janë për një inflacion të targetuar, pra një interval inflacioni, i cili është
përcaktuar me studime shumë analitike dhe shumë të thelluara nga FMN-ja dhe nga vetë
Banka e Shqipërisë, intervali 2-4% si më optimal, por u bënë 3-4 vjet që jemi nën këtë
interval, që do të thotë se duhet më shumë këmbëngulje për ta çuar inflacionin me
instrumentet e tij në këto hapësira.
Së dyti, jemi po aq të shqetësuar dhe të dëshpëruar kur shikojmë që instrumentet e
politikës bankare, të asaj monetare nuk transmetohen dot në ekonominë reale. Po vazhdon
prej një periudhe shumë të gjatë ulja e normës bazë të interesit, por deri më sot veç vrasjes
së interesit për kursime, nuk ka mundur dot t’i japë impulse as konsumit, as kreditimit. Është
i treti vit radhazi që jemi në parametra negativë në kreditimin e ekonomisë në raport me
ekonominë reale, të biznesit. Po ashtu është i dyti vit radhazi ku niveli i konsumit është në
rënie. Pra, politika të tilla monetare instrumente monetare të përdorura, kur efektet vijnë në
të kundërt, do të thotë se ka probleme të tjera. Unë kam bindjen që një analizë më e
përgjegjshme dhe një veprim më profesional do të mund t’i jepte një përgjigje kësaj, që të
paktën ose të stopojmë përdorimin e instrumenteve monetarë, të cilët nuk kanë impakt në
ekonominë reale, ose të mundohemi të dinamizojnë kahjen tjetër, përpjekjen për t’i dhënë jetë
qoftë inflacionit, qoftë konsumit dhe investimeve.
Mendoj se ky është një shqetësim që realisht, ju që shkoni në këtë bord duhet ta
keni në qendër të vëmendjes, për t’i dhënë realisht eficiencë politikave që ndërmarrën në
institucione.
Erion Braçe – Po. Faleminderit, zoti Bode!
Urdhëroni zoti Malaj!
Arben Malaj – Sigurisht, çështjet që u ngritën janë disa nga debatet. Unë ruaj të
drejtën të shprehem më vonë, pasi të kemi një informacion më të plotë, bashkë me kolegët e
Këshillit Mbikëqyrës. Ajo që do të theksoja, e që është një debat që ne duhet ta përballojmë
sa më profesionalisht të gjithë bashkë, është se vendi ndodhet në një sfidë midis rritjes dhe
stabilitetit. Sigurisht, ato nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por në varësi nga situata e
stabilitetit financiar, ka raste që politikat e stabilizimit marrin një prioritet.
Në këtë aspekt, ne kemi një politikë monetare që, edhe sipas vlerësimit të FMN-së,
ka edhe pak hapësirë për t‘u përdorur në lehtësimin e konsumit e të investimeve. Sigurisht që
ka përfitues nga ulja e interesave, dhe jam dakord që nuk ka arritur plotësisht deri te
ekonomia reale. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë duket se shenjat kanë filluar.
9
Megjithatë, unë do të dëshiroja që të kishim një konsum më të madh, por ai të vinte kryesisht
nga rritja e të ardhurave, e pastaj edhe nga rritja e kredisë. Ndoshta ajo që mund të bëj më
mirë, e në këtë rast kam parasysh edhe debatet kur kam qenë këtu, është që kontaktet me
Këshillin Mbikëqyrës dhe administratorët e Bankës së Shqipërisë mund të jenë jo thjesht për
raportet e detyrueshme vjetore, po dhe për çështje specifike, të cilat mund t’i diskutojmë në
mënyrë më të plotë. Të gjitha palët kemi mundësi të kontribuojmë për opsionet që mund të
jenë më të mira, në një këndvështrim më afatgjatë për ekonominë e vendit tonë.
Faleminderit!
(Ndërprerje e shkurtër incizimi)
Ervin Bushati – Faleminderit!
Në fakt nënshkrimi është kënaqësi profesionale, por edhe politike, kështu që elozhet
e tepërta si propozues e firmëtarë, nuk besoj se nevojiten më. Do të jetë një vlerë e shtuar,
patjetër. E rëndësishme ishte që në komision, jo vetëm për prezantimin por ndoshta edhe fjala
kyç e reformës në drejtësi. Me sa duket ishte edhe ajo pika e kristalizimit, që po na bënte ne,
maxhorancën dhe opozitën, që të vijmë më pranë votimit të enjten. I ftoj të gjithë kolegët që,
ashtu siç ishim sot në sinkron, të jemi edhe të enjten në sinkron. Ne po e shohim gjithmonë e
më shumë se bankat qendrore sot në Europë, por edhe në vende të tjera, edhe në Amerikë,
janë faktorë stabiliteti politik, sidomos kur janë për vendime të rëndësishme, si në rastin e
Anglisë, ku pavarësisht rezultatit, banka ishte një faktor politik, le të themi. Po ashtu edhe në
Amerikë e në vende të tjera.
Si mendoni ju që roli i bankës të bëhet sa më solid, sa më dinjitoz, që të ndihmojë
ekonominë patjetër, por shpeshherë edhe të stabilizojë, siç ndodh në vende të tjera, në
momente të caktuara politike e vendimmarrje të rëndësishme, si për shembull në këtë rast, që
e kemi tepër afër, të enjten, por edhe në të ardhmen. Pra, si mund të jetë një faktor stabiliteti
ekonomik, pse jo edhe vendimmarrjesh të rëndësishme historike, siç ndodhi në shumë vende,
e që do të vazhdojë të ndodhë gjithmonë e më shpesh nëpër botë.
Faleminderit!
Erion Braçe – Zoti Malaj, në rast se keni ndonjë reagim.
Arben Malaj – Jo, besoj se më duhet pak kohë, që të jem totalisht i integruar.
Erion Braçe – Zoti Marto.
Andrea Marto – Faleminderit, zoti kryetar!
10
Edhe unë, si një nga propozuesit për kandidaturën e zotit Malaj, shpreh bindjen time
se, duke njohur aftësitë e tij, kontributin e tij, do të japë një kontribut akoma më të madh në
ndërmjetësimin e politikave të Bankës së Shqipërisë.
Duke qenë një nga propozuesit, më vjen mirë që propozimit tonë iu bashkua edhe
opozita. Uroj që në të ardhmen të kemi gjithmonë propozime të kësaj natyre e të këtij niveli.
Faleminderit!
Igli Cara – Një fjali. Paraprakisht, duhet t’i uroj suksese zotit Malaj. Nuk dua t’u
shtoj asnjë gjë atyre që thanë kolegët e mi, por në fakt ne i bashkohemi propozimit tuaj, jo
pse e keni propozuar ju, sepse besojmë te vlerat e zotit Malaj, i cili në këto vite ka treguar se
është figurë publike intelektuale.
Faleminderit!
Zoti Kadeli.
Gjovalin Kadeli – Zoti kryetar!
Pavarësisht se s’na është dhënë mundësia të jemi ndër propozuesit, pasi propozimin
e kanë bërë kolegët tanë, normalisht që është në nderin e Kuvendit të dërgojë në Bankën e
Shqipërisë një personalitet si Arben Malaj, prandaj jemi dakord dhe i urojmë suksese.
Erion Braçe – Faleminderit!
Besoj se nuk ka më diskutime.
Profesor Malaj, faleminderit!
Arben Malaj – Edhe unë ju falënderoj të gjithëve dhe ju uroj një sezon të
suksesshëm më datën 21.
Erion Braçe – Faleminderit!
Të përgatitet relacioni për seancën, sepse votimi është ditën e enjte.
Faleminderit!
11
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 19.07.2016, ora 10:00
Drejton mbledhjen:
Erion Braçe – kryetar i Komisionit
Rendi i ditës:
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin
përmbarimor gjyqësor privat”, të ndryshuar”.
Marrin pjesë:
Erion Braçe, Ridvan Bode, Anastas Angjeli, Antoneta Dhima, Andrea Marto, Ervin
Bushati, Gledion Rehovica, Luan Duzha, Blerina Gjylameti, Ervin Koçi, Evis Kushi,
Gjovalin Kadeli, Florion Mima, Shkëlqim Cani, Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Jorida
Tabaku, Liljana Elmazi, Dashamir Shehi, Igli Cara.
Mungojnë:
Përparim Spahiu.
Të ftuar:
Katrin Treska - drejtore e Kodifikimit,
Bledar Dervishaj - këshilltar i ministrit të Drejtësisë
12
Erion Braçe - Vazhdojmë me pikën tjetër të rendit të ditës. Kemi projektligjin “Për
disa ndryshime në ligjin nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor
privat”, të ndryshuar”.
Është pjesë e paketës së ligjeve që diskutuam javës që shkoi. Një prezantim i parë
është bërë. Për të aktualizuar deputetët, ju mund të thoni disa fjalë. Pastaj kalojmë menjëherë
te relativi i relatorit të komisionit.
Urdhëroni!
Katrin Treska – I nderuar zoti kryetar,
Të nderuar anëtarë,
Kërkesa për propozimin e këtyre ndryshimeve, në fakt, vjen si kërkesë e grupit
ndërinstitucional të punës, koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë,
Turizmit, dhe Sipërmarrjes, ngritur me urdhër të Kryeministrit nr. 78/2015 “Për çështjen e
kredive me probleme në Shqipëri”.
Ky grup pune ka hartuar planin e masave, i cili ka për synim reduktimin e nivelit të
kredive me probleme në sistemin bankar, duke evidentuar masat konkrete, me propozime për
ndryshime konkrete, si dhe duke përcaktuar institucionet përgjegjëse për secilën masë.
Ministria e Drejtësisë kishte përgjegjësinë për të propozuar ndryshimet në ligjin “Për
shërbimin përmbarimor gjyqësor privat dhe shtetëror”. Themeli i çdo sistemi ligjor është
zbatimi efikas dhe efektiv i urdhrave, që rrjedhin nga sistemi gjyqësor. Përmbarimi është një
element i rëndësishëm i përmirësimit të mbledhjes së detyrimeve bankare, dhe në këtë
mënyrë, i përmirësimit të të gjithë sistemit financiar. Përmbaruesit janë një pjesë e
rëndësishme e sistemit të përgjithshëm të ekzekutimit të detyrimeve.
Stimujt për përmbaruesit në formën e një tarife suksesi janë futur në shumë prej
sistemeve më të mira të përmbarimit në mbarë botën.
Shqipëria kishte një sistem të vetëm të përmbaruesve publikë deri në vitin 2008, kur
u krijua shërbimi përmbarimor privatë. Pas futjes së sistemit të përmbaruesve privat, disa
përfaqësues kyç të sektorit privat dhe publik perceptuan një përmirësim të mbledhjes së
detyrimeve. Duke pasur në konsideratë faktin, se detyrat e përmbaruesit gjyqësor privat për
sa i përket aspektit procedural, është e njëjtë dhe detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë
subjektet përmbaruese, legjislatori ka vendosur tarifa të njëjta për çdo subjekt përmbarues,
duke ndryshuar vetëm nga lloji detyrimit që ekzekutohet apo vlera e tij monetare. Pra,
përcaktimi i tarifës përmbarimore në një kornizë të përcaktueshme dhe të detyrueshme ligjore
për t’u zbatuar nga të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privatë, vendos një standard të lartë
13
garancie dhe pavarësie ekonomike për Autoritetin Publik të Përmbaruesit. Ky amendim i
propozuar është parë si domosdoshmëri për rritjen e transparencës dhe për qëndrueshmërinë e
kuadrit ligjor, që mbulon fushën e kontratave që rregullon procesin ekzekutimit të kolateralit.
Gjithashtu, kjo nismë erdhi për stimulimin e përshpejtimit të këtij procesi.
Theksojmë se përdorimi i nocionit “tarifës suksesi” është në përputhje me qëllimin e qartë të
maksimizimit të stimujve të përmbaruesve për të përfunduar procesin e ekzekutimit të
kolateralit sa më shpejt të jetë e mundur. Menduam se zgjidhja me e përshtatshme për këtë
rast është ta bëjmë përmbaruesin të interesohet për të zbatuar vendimin e gjykatës ose titullin
ekzekutiv, sepse e vetmja mënyrë që ky titull ekzekutiv të zbatohet, është që ai të ketë motiv
për të marrë lekët e tij. Mënyra për ta bërë aktive këtë tarifë është që tarifa të ndahet në dy
pjesë: në tarifën bazë dhe në tarifën e suksesit.
Tarifa bazë parashikohet të përfshijë kostot e shpenzimeve e nevojshme për fillimet
procedurave të ekzekutimit, si dhe kostot e shpenzimeve për kryerjen e veprimeve të
mëtejshme procedurale, deri në ekzekutimin përfundimtar. Ndërkohë, vlera e tarifës së
suksesit, e përcaktuar si e tillë në kontratën përkatëse, e cila mund të jetë në formën e një
shume të caktuar, një përqindje të caktuar mbi vlerën e padisë ose nëpërmjet kombinimit të të
dyjave paguhet pas përfundimit me sukses nga ana e përmbarimit të të gjitha veprimeve
ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e urdhrit të ekzekutimit
apo dhe çdo procedure tjetër ligjore të suksesshme. Vlera e tarifës së suksesit, do të caktohet
me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë, sepse është e
pamundur të zgjidhet me ligj mënyra sesi do të llogaritet tarifa në kosto dhe tarifa e suksesit
rast pas rasti, duke u nisur nga rasti model. Kjo është një formulë, të cilën e Banka Botërore
ka kohë që e sugjeron për ta përdorur në praktikën tonë; është një formulë që ne kemi tentuar
ta përdorim edhe formalisht, me një udhëzim të përbashkët para 2 vjetësh të ministrit të
Drejtësisë dhe ministrit të Financave, udhëzim i cili për arsye formale juridike u rrëzua nga
Gjykata Administrative, ndaj propozohet edhe amendimi në këtë ligj.
Ka edhe një element të fundit, që u përmend edhe në prezantimin e ndryshimeve në
ligjin “Për përmbarimin shtetëror”, nuk bëhet përjashtim në parim ndërmjet shërbimit
përmbarimor privat dhe atij publik, i njëjti propozim është bërë edhe për ligjin “Për shërbimin
përmbarimor shtetëror”.
Në fund, edhe shërbimi publik është një shërbim që konkurron me shërbimin privat.
Në thelb, ky është qëllimi i projektligjit, i shprehur në dy nene.
Faleminderit!
14
Erion Braçe – Faleminderit!
Urdhëroni, zoti Koçi!
Ervin Koçi – Faleminderit, zoti kryetar!
Projektligji që diskutohet në komision është në zbatim të Rregullores së Kuvendit
dhe ne jemi një komision për dhënie mendimi. Gjithsesi, ky projektligj është në vazhdim të
projektligjit që ne miratuam para dy javësh. Para dy javësh miratuam, projektligjin “Për
shërbimin e përmbarimit gjyqësor shtetëror”, kurse sot projektligjin “Për shërbimin
përmbarimor gjyqësor privat”.
Deri në vitin 2008 në vendin tonë funksiononte një sistem i vetëm i përmbarimit
gjyqësor, i cili ishte sistemi publik; me ligjin e ri të vitit 2008 u miratua edhe shërbimi
përmbarimor gjyqësor privat, i cili, për të thënë të drejtën, krijoi edhe një përmirësim të
mbledhjes së detyrimeve gjyqësore.
Në nenet 47 dhe 48 të këtij ligji përcaktohet: “Për fillimin e procedurave të
ekzekutimit dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale nga shërbimi përmbarimor
gjyqësor privat, paguhen tarifat përkatëse, të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit
të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Për veprimet përmbarimore teknikisht dhe
ligjërisht specifike komplekse apo që kërkojnë kohë, përmbaruesi gjyqësor privat ka të drejtë
të kërkojë pagimin e një tarife shtesë. Kjo tarifë paguhet, sipas rastit, me një këst të vetëm ose
me disa këste. Masa e tarifës dhe e tarifës shtesë si dhe llojet e shërbimeve përmbarimore të
tarifuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të
Financave, pasi merret dhe mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë
Privatë”.
Në zbatim të këtij neni që e citova më sipër, u miratua udhëzimi i përbashkët i
ministrit të Financës dhe ministrit të Drejtësisë. Udhëzimi përcaktonte një numër tarifash të
reja për shërbimin si tarifë suksesi, tarifë bazë, tarifë shërbimi dhe shpenzime përmbarimore.
Tarifa e suksesit i siguron përmbaruesit një shpërblim të mëtejshëm, nëse grumbullimi i
borxhit do të ishte i suksesshëm deri në një shumë maksimale. Ky udhëzim u kundërshtua në
Gjykatën Administrative të Apelit, nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë, e cila
kërkoi shfuqizimin e tij me arsyetimin se e kishte tejkaluar përtej autoritetit ligjor. Gjykata
Administrative e Apelit e shfuqizoi udhëzimin me argumentin që ai bie në kundërshtim me
ligjin bazë miratuar në vitin 2008. Kjo për arsye se udhëzimi ishte për të vendosur një tarifë
të re, tarifë suksesi, ndërkohë që ligji nuk autorizon përcaktimin e kësaj tarife, por kishte si
15
masë tarifën dhe llojet e shërbimeve përmbarimore të tarifuara. Shfuqizimi i këtij udhëzimi
filloi një vakum ligjor dhe e bën të nevojshme rishikimin e ligjit ekzistues.
Faktikisht në praktikë janë evidentuar shumë raste kur përmbaruesi gjyqësor, pasi
merr të ardhurat nga tarifa përmbarimore, nuk ka interes dhe nuk e zgjidh deri në fund
çështjen për ekzekutimin e detyrimit. Kjo ka ndodhur veçanërisht në rastin e kreditorëve të
fuqishëm ekonomikisht, siç janë bankat duke filluar pengesa për ekzekutimin e kolateralit
dhe duke ndikuar në nivelin e lartë të kredive me probleme. Niveli i lartë i kredive me
probleme në vendin tonë është rrjedhojë e disa faktorëve, por ndikimin e madh e japin edhe
problemet e ekzekutimit edhe mbledhjet e detyrimeve.
Reduktimi i kredive me probleme është një ndër objektivat kryesorë të politikës
monetare, por dhe një ndër rekomandimet bazë të FMN-së dhe Bankës Botërore me ndikim
që në rritjen e kreditimit të biznesit dhe zgjerimin e veprimtarisë së tij, rritjen e investimeve,
punësimit dhe rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit. Për të reduktuar nivelin e kredive me
probleme Këshilli i Ministrave ka hartuar dhe sjellë për shqyrtim në Kuvend një paketë
ligjore. Ndërmjet tyre është dhe ky ligj që ne po diskutojmë sot. Projektligji synon të
plotësojë vakumin ligjor, siç e theksova më sipër, duke përcaktuar me ligj dhënien e stimujve
financiarë ndaj shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.
Projektligji parashikon ndryshimin e dy neneve duke sjellë këto risi krahasuar me
ligjin ekzistues. Vendoset e drejta që pagesa e shërbimit ndaj subjektit të përmbarimit
gjyqësor privat të përbëhet nga tarifa bazë dhe tarifa e suksesit. Tarifa bazë përfshin kostot
dhe shpenzimet për fillimin e procedurave të ekzekutimit, si dhe kryerjen e mëtejshme të
veprimeve procedurale deri në ekzekutimin përfundimtar. Tarifa e suksesit përcaktohet në
kontratë dhe paguhet në rastet e përfundimit me sukses nga përmbaruesi gjyqësor të të gjitha
veprimeve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrimeve.
Vlera e tarifës së suksesit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të
Financave dhe ministrit të Drejtësisë. Njëkohësisht parashikohet e drejta e të dyja ministrive
që përcaktojnë me udhëzim rastet e përjashtimit nga pagimi i tarifës për kategori të caktuara
të popullsisë. Nëpërmjet vendosjes së tarifës së suksesit projektligji synon të nxisë subjektin e
përmbarimit gjyqësor që të kryejnë deri në fund dhe me sukses të gjitha veprimet e
nevojshme për ekzekutimin e detyrimeve. Kjo për të ndihmuar subjektet bankare në
mbledhjen e detyrimeve, reduktimin e kredive me probleme.
Njëkohësisht projektligji unifikon dhe rregullat për tarifimin e përmbarimit gjyqësor
shtetëror me atë privat bazuar në detyrat e njëjta që kryejnë subjektet përkatëse. Në postën
16
tonë elektronike na ka ardhur dhe një e-mail nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve
Gjyqësorë Privatë, e cila e ka kundërshtuar projektligjin duke pretenduar se në praktikë janë
evidentuar raste kur kreditë bankare janë dhënë të pasiguruara nga garanci të pamjaftueshme
dhe të besueshme ligjore, siç janë hipotekat, pengjet dhe dorëzanitë. Janë konstatuar
kolaterale efektive ose jo në përputhje me kreditë e dhëna, shoqëritë tregtare që mund të kenë
falimentuar apo të jenë në kufijtë e anonimatit tregtar, debitorë që janë anonimë, apo janë
larguar nuk u dihet adresa. Sipas tyre, megjithëse përmbaruesi gjyqësor i ka kryer të gjitha
veprimet në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, ekzekutimi i detyrimit nuk është i
mundur. Si rrjedhojë përmbaruesi gjyqësor nuk përfiton shpërblim duke u trajtuar në mënyrë
të pabarabartë me përmbaruesin që realizon ekzekutimin e detyrimit.
Lidhur me këtë çështje mendoj se përmbaruesi gjyqësor privat e shtron kontratën me
kreditorin. Ky shqetësim i krijon përmbaruesit që në fillim të procesit, vizionin se si do të
përfundojë zgjidhja e çështjes. Deri në fund mendoj që ky pretendim që ngre kjo dhomë nuk
është e drejtë, që ky ligj të mos jetë mbështetur në tarifën bazë dhe në tarifën e suksesit. Duke
e vlerësuar këtë projektligj pozitivisht, mendoj do të kontribuojë në rritjen e shkallës së
ekzekutimit gjyqësor, veçanërisht në ekzekutimin e këtyre të ardhurave bankare dhe do të
ndikojnë në reduktimin e kredive me probleme në vendin tonë duke nxitur veprimtarinë e
biznesit dhe ekonominë në përgjithësi. Për këtë ftoj të gjithë anëtarët e komisionit ta
miratojnë këtë projektligj.
Erion Braçe - Faleminderit!
Ka pyetje? Po, zoti Cara ka pyetje.
Igli Cara – Një pyetje kam, Ervin. Më thatë që kishit një e-mail i cili ishte dakord
nga këshilli përmbarimor. A ishte kundër? U duk sikur...
Ervin Koçi – Ata kërkonin që të ketë tarifë që në fillim, por normalisht një
përmbarues privat, në qoftë se merr dosjen, kur e di që nuk ka, debitori që studion dosjen
është anonim dhe nuk ka pse e merr dosjen. Sepse marrin 7%-shin, është 4% dhe pastaj nuk
bëjnë veprimet. Thjesht japin kostot për bankat, ndonjëherë edhe për buxhetin e shtetit.
Igli Cara – Kam edhe dy pyetje. Për sa i përket nocionit sukses, në fakt si mund të
futet ky nocion suksesi në kohë kur veprimet janë të mirëpërcaktuara në afate dhe procedurë?
Ku ka sukses mbi procedurë? Ose zbatohet ose nuk zbatohet, se afatet janë të përcaktuara
brenda kësaj kohe. Ti e ke të përcaktuar në ligj apo jo.
17
Dhe pyetja tjetër: si mund të ndikojë tarifimi te shpejtësia e procesit të ekzekutimit
kur ritmi kohor është i përcaktuar? Për çfarë kohe bëhet fjalë? Ne e dimë sa është koha dhe
kjo kohë është përcaktuar në ligj.
Bledar Dervishaj - Përshëndetje!
I nderuar kryetar,
Të nderuar anëtarë,
Kjo nismë e qeverisë është propozuar fillimisht nga Ministria e Drejtësisë. Ky është
një vlerësim i gjerë dhe nuk është vetëm i Ministrisë së Drejtësisë, por i një grupi të gjerë
pune, që përfshin Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave, Dhomën Kombëtare të
Përmbarimit Privat dhe Publik, si dhe mendimet e marra nga të gjitha institucionet, përfshirë
këtu edhe Bankën Botërore.
Në të gjitha rekomandimet që ne kemi marrë, qoftë nga FMN-ja dhe Banka
Botërore, sugjerohet nxitja e përmbaruesit për të kryer shërbimin. E thënë me fjalë të thjeshta:
me tarifimin që kemi sot përmbaruesit i krijohet një mundësi për ta shfrytëzuar atë në rehati.
Relatori e përmendi pak më parë, sot kemi dy lloj tarifash të shprehura në udhëzim:
kemi një tarifë bazë dhe një tarifë të plotë. Pra, nga kalimi i ekzekutimit vullnetar, kur
paguhet tarifa bazë, do të kalojmë tek ekzekutimi i detyrueshëm, nëse nuk shprehet vullneti
nga ana e debitorit për ta paguar atë. Këtu futet tarifa me përqindje sipas vlerës së debitit, e
cila paguhet fillimisht nga kreditori. Në momentin kur tarifa paguhet nga kreditori dhe
vendimi nuk ekzekutohet, kjo tarifë nuk kthehet mbrapsht, ç’ka automatikisht e bën
përmbaruesin të rehatshëm në punën e tij. Nëpërmjet këtij nocioni ne e nxisim përmbaruesin,
që përveç tarifës bazë, të cilën e ndajmë dy momente, siç e parashtroi edhe kolegia, kemi
edhe tarifën e suksesit. Pra, për të marrë pjesën më të madhe të parave, nga suksesi i një
procedure përmbarimore, përmbaruesi duhet ta ekzekutojë në mënyrë përfundimtare
vendimin. Me këtë gjë kemi menduar se nxisim edhe shpejtësinë e përmbaruesit në veprimet
procedurale, megjithëse afatet e njoftimit janë të përcaktuara në kod, 10 ditë për ekzekutimin
vullnetar dhe pas 10 ditëve kalohet në ekzekutimin e detyrueshëm. Ne po futemi në kërkime
të tilla të përmbaruesit si: të dhëna bankare, pasuri të paluajtshme e të tjera, të cilat nuk kanë
afat deri në gjetjen e tyre. Prandaj, ne mendojmë dhe kemi vlerësuar se kjo e nxit
përmbaruesin në punë e tij.
Erion Braçe - Ka pyetje të tjera?
Po, urdhëroni zoti Shehu.
18
Sherefedin Shehu - Të gjithë kemi marrë një shqetësim nga përmbaruesit privatë.
Dua t’ju pyes: a jeni njohur me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile? A i keni dëgjuar
ata, sepse vërtet nuk e dinë që ne kemi shqyrtuar ligjin “Për Kodin e Procedurës Civile”?
Meqenëse shqetësimi vjen nga këta persona, dua të di nëse ju i keni dëgjuar ata. A
do t’i konsideroni disa shqetësime që janë të drejta, sidomos ato që kanë të bëjnë me
vlerësimet, ku ne bazë kemi sistemin e tregut dhe më pas të drejtën e Apelit, si dhe disa gjëra
të tjera që janë shqetësuese realisht? A jeni njohur me këto shqetësime dhe a keni ndër mend
t’i konsideroni ato?
Katrin Treska – Projektligji është pjesë e një pakete, ku përfshihet ky ligj, ligji “Për
shërbimin përmbarimor shtetëror”, Kodi i Procedurës Civile, Kodi Civil dhe ligji “Për
falimentin”. Këto projektligje kanë kaluar pas një procesi të gjatë konsultimesh, tryezash dhe
takimesh me të gjithë aktorët, ku janë dëgjuar të gjitha komentet dhe sugjerimet dhe janë
reflektuar, për aq sa është e mundur, të gjitha komentet.
Kodi i Procedurës Civile është duke u shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve.
Gjithashtu, do të ketë edhe një seancë dëgjimore tjetër, me të gjithë aktorët, për të dëgjuar
edhe një herë pretendimet e tyre.
Sherefedin Shehu - Faleminderit!
Erion Braçe - Ka pyetje të tjera?
(Diskutime pa mikrofon.)
Dashamir Shehi - Mendoj ta heqim fare fjalën “me sukses”. Le të themi vetëm
“tarifa e plotë” dhe ta mbyllim këtë punë, sepse, në fakt, të bësh detyrën nuk quhet sukses. Të
vendosen “tarifa e pjesshme” dhe “tarifa e plotë” dhe e mbyllim këtë punë.
Bledar Dervishaj – Për sa i takon paketës së plotë, po filloj nga muaji shkurt, si
pjesë e paketës së kredive të këqija në këtë komision, më pas edhe në Kuvend, ne kaluam
ligjin e parë “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ku filluam me regjistrimin e lejeve
të ndërtimit karabina dhe transaksionet e tyre në rast bllokimi. Më pas kaluam te ligji “Për
përmbarimin shtetëror”, ku u shqyrtua dy javë më parë, dhe në Komisionin e Ligjeve dje u
shqyrtua ligji “Për përmbarimin privat”, ku u ra dakord që të thirreshin të gjitha grupet e
interesit. Ne i kemi dëgjuar disa herë përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Përmbarimit
Privat dhe shqetësimet që ata kanë përcjellë.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
19
Dhe propozimi që ata kanë bërë apo shqetësimet që ata kanë përcjellë, janë
krahasuar edhe me Kodin e Procedurës Civile, edhe me dy ligjet bazë të përmbarimit, pra
paketa vjen në unison.
Erion Braçe – Edhe ne e kemi pasur shqetësimin e zotit Shehu. Në rast se do të
merret parasysh diçka në Komisionin e Ligjeve, të keni parasysh faktin që ato ndryshime që
do të bëhen atje, të mos bien ndesh me njërin ligj apo me tjetrin. Kështu që, meqë ata janë
në proces dhe ne jemi thjesht komision për dhënie mendimi, kur të jeni atje, të kini parasysh
edhe këtë çështje, që është shumë e rëndësishme. Nëse do të duhet ata do të marrin vendimin
përfundimtar për të ndryshuar edhe këto ligje që ne po marrim në shqyrtim.
Ka ndonjë diskutim?
Urdhëroni!
Ervin Bushati – Në Kodin e Procedurës Civile është paraqitur si paketë, ku
parashikohet jo vetëm procedura përmbarimore, por kemi diçka edhe për falimentin, pra
kujdesi jonë është i vazhduar , që çdo gjë që ndryshon apo pranohet në Komisionin e
Ligjeve, të jetë në harmoni të plotë me të gjitha projektet që miratohen në komisionet e tjera.
Pra, është në ndjekjen tonë të vazhduar. Sot po shqyrtohet ligji “Për falimentin” dhe bashkë
me të edhe kodi. Ato janë të lidhura pandashmërisht.
Erion Braçe – Faleminderit!
Urdhëroni, zoti Shehu!
Sherefedin Shehu – Ne diskutuam edhe radhën e parë dhe ka një debat për raportet
apo edhe për ekzistencën e përmbarimit privat dhe atij publik. Besoj se të gjithë ne këtu, e
pranojmë pjesën publike më shumë për mbrojtjen e interesave të njerëzve, sepse bëjmë disa
politika me strukturat që i ka në dorë shteti. Këtu ka raste tipike, që u diskutuan edhe radhën
e parë, sidomos, pensionet familjare apo raste të tjera që janë shumë kritike që lidhen edhe
me paaftësinë paguese të atyre që duan të hyjnë në një kontratë me përmbaruesin.
Megjithatë, unë mendoj se ne duhet të gjejmë kanale dhe mekanizma për të nxitur shërbimin
përmbarimor privat, sepse rastet, apo volumi më i madh i transaksioneve besoj se i takon atij
që ka të bëjë me karakterin tregtar. Për këtë arsye unë mendoj që ne ta pranojmë në parim
këtë ndryshim, sepse:
E para, bën një ndryshim të rëndësishëm për sa i takon mënyrës së pagesës.
E dyta, është koncepti i tavanit, sepse po vendosim tarifa dhe kemi vendosur tavan.
Kjo do të thotë që edhe në këtë rast, ne po mbrojmë konsumatorin (nëse i quamë të gjithë me
një emër).
20
Megjithatë, do të thosha se ne duhet ta nxisim përmbarimin privat, duke krijuar një
konkurrencë midis dy grupeve: atij privat dhe atij publik. Ndoshta një mjet konkurrence
mund të ishte edhe sistemi i tarifimit. Për këtë arsye, do të propozoja që ky sistem që do të
caktohet nga dy ministrat, të jetë tavan dhe privatët nuk e di nëse i lejon ligji, por nëse nuk i
lejon, të vendoset në këtë ligj edhe një klauzolë që i lejon përmbaruesit privatë të
kontraktojnë shërbime me tarifa më të ulëta, duke i respektuar këto tarifa, si tarifa tavan.
Këtë mendim kisha.
Bledar Dervishaj – Në kujtesë të komisionit, në prezantimin e para dy javëve,
ministri Manjani tha se atë udhëzim do ta sjellë në Komisionin e Ekonomisë për ta
diskutuar moralisht. Pra, për të dhënë një tablo të qartë se çfarë do të bëjmë pas miratimit të
këtyre ndryshimeve.
Faleminderit!
Sherefedin Shehu – Po flas në parim që kjo të jetë tavan dhe ne e bëjmë me ligj
këtë. Pastaj udhëzimi rregullon raportet, nëse...
Florion Mima – Kisha vetëm dy fjalë!
Një nga situatat që u krijohet kursantëve që marrin lejen e drejtimit të automjeteve
dhe që është pyetje me kleçkë, është pak a shumë e tillë: Çfarë do të bësh nëse je duke
drejtuar mjetin dhe sheh që në majë të shtyllës një elektricist e zë korenti. Çfarë do të bësh?
Shumica e kursantëve thonë se do të ndalojnë makinën dhe do të shkojnë ta ndihmojnë dhe
të gjithë mbesin. Pse? Sepse nuk është detyra e tyre të shohin lart në shtyllë. Ata kanë detyrë
të ngasin makinën. Kam idenë se pritshmëria juaj është si kjo situatë. Po shihni te cepi lart
dhe jo më dysh, por edhe në katërsh ta ndani tarifën, kreditë me probleme nuk do të bien,
sepse shkaqet që i kanë prurë këtu, janë shumë më komplekse sesa kaq. Me urdhër
administrativ dhe me grupe pune, ne e kemi provuar që mund të ketë një përmirësim të
përkohshëm, por përsëri ngrihet.
Para pak kohësh ndryshuam kriteret për kualifikimin e kredive me probleme, nën
standard, non performing e me radhë. Ra numri në 16 dhe sot, ka shkuar përsëri në 26. Pra,
kam frikë se pritshmëria juaj është më e madhe sesa duhet dhe nuk është detyra juaj (Çimi
besoj se më kupton, sepse ka qenë te Ministria e Financave). Është BSH-ja dhe janë të gjithë
që duhet të punojnë për ta zgjidhur këtë problem në rrënjën e vet. Ky është një manikyr, një
dekor që po i bëjmë sipër.
S’kisha ndonjë gjë tjetër.
Erion Braçe – Ka ndonjë diskutim tjetër? Nuk ka.
21
Atëherë, komisioni ynë është thjesht komision për dhënie mendimi...
(Ndërpritet incizimi)
MBYLLET MBLEDHJA