ASPO (Aislamiento Social Preventivo y Obligatorio) Leonora ...
04 Perqasje a Sh Leonora Lumezi 04
-
Upload
adelaukzenel -
Category
Documents
-
view
122 -
download
4
Transcript of 04 Perqasje a Sh Leonora Lumezi 04
Leonora LUMEZI
PËRQASJE STRUKTURORE DHE FUNKSIONALE E FRAZAVE
EMËRORE NË GJUHËT ANGLEZE DHE SHQIPE
Abstrakt
Problematika teorike mbi konceptin e ‘Frazës’është e gjerë. Në ketë punim
pikëpamjet e ndryshme teorike lidhur me frazën në gjuhët angleze dhe shqipe
trajtohen sipas këndvështrimit të gjuhësisë moderne bashkëkohore. Së pari,
jepet nje vështrim i përgjithshem teorik mbi Gramatikën Gjenerative
Transformuese dhe veҫanërisht mbi Gramatikën e Strukturës së Frazës sipas së
cilës ҫdo gjuhë mund të gjenerojë një numër të pafundëm fjalish bazuar në një
numër të fundëm rregullash. Më tej vijohet me kategoritë sintagmatike në
gjuhën angleze duke u ndalur veҫanërisht në frazat emërore. Një ndarje e
veҫantë përqëndrohet në rregullat që gjenerojnë fraza emërore në gjuhët shqipe
dhe angleze. Pas kësaj bëhet një përqasje e modeleve të frazave emërore në të
dyja gjuhët duke nxjerrë në pah ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre e duke
mbërritur në përfundimet përkatëse.
Gramatika e Strukturës së Frazës
Sipas gjuhësisë gjenerative, gramatika e një gjuhe është modeli i kompetencës
gjuhësore të folësit amëtar të asaj gjuhe. Kompetenca gjuhësore, sipas Çomskit,
përfshin dy aspekte: atë pragmatik dhe atë gramatikor. Kompetenca pragmatike
ka të bëjë me rolin që luajnë faktorët jashtëgjuhësorë (konteksti) në përdorimin
dhe interpretimin e fjalive të një gjuhe. Kompetenca gramatikore ka të bëjë me
njohuritë gramatikore të folësit të një gjuhe. Kompetenca gramatikore përfshin
tri lloje aftësish gjuhësore: sintaksore, semantike dhe fonologjike. Aftësia
1
kryesore sintaksore që bën pjesë në kompetencën gramatikore të folësit amëtar
të një gjuhe është aftësia për të kombinuar fjalët e gjuhës së tij në mënyrë të tillë
që ato të formojnë fjali gramatikore dhe të dallojë se cilat grupime fjalësh janë
gramatikore dhe jogramatikore në gjuhën e tij. Pikërisht në këtë pikë, një folës
çfardo i një gjuhe ndihmohet nga gramatika e strukturës së frazës. Lidhur me
rëndësinë e një gramatike të tillë gjuhëtari Endru Redford (Andrew Radford)
thekson: Detyra e një gjuhëtari është të përpunojë një numër të fundmë
rregullash sintaksore, semantike dhe fonologjike të cilat mund të gjenerojnë një
numër të pafundmë fjalish gramatikore në një gjuhë.1 .
Para se të kalojme ne krahasimin e frazave emerore ne gjuhet angleze dhe
shqipe do të ishte e udhës të qartësonim termin frazë në gjuhësi. Për këtë do t’iu
referohemi disa përkufizimeve të këtij termi në punime të ndryshme gjuhësore:
Frazë(greqishtΦрάση=fjali,shprehje), do të thotë një grup fjalësh që funksionon
si një njësi e vetme sintaksore në fjali. (Phrase-Wikipedia, the free encyclopedia,
October2005
Fraza është një njësi sintaksore tiparet e së cilës kushtëzohen nga gjymtyra
kryesore e saj. (˝English Grammar textbook˝Cambridge University Press, 2003:
56)
Fraza ndryshon nga një grup fjalësh në atë se ndërsa një grup është zgjerim i
një fjale, fraza është shkurtim (contraction) i një fjalie. ( M.A.K. Halliday, ˝An
introduction to functional grammar˝, 1991: 159)2
1 Andrew Radford, “Tansformational Syntax”Cambridge Textbooks in Linguistics, 1980, fq. 31
2 Shpjegimi qe jep ai eshte: "…frazë - ne kuptimin me te cilin perdoret ketu ky term - eshte reduktim i nje fjalie, ndersa grup fjalesh eshte vargu i zgjeruar i nje fjale" (1985:xxi) ... "Fraza eshte e ndryshme nga grupi ne ate se ndersa grupi eshte zgjerim i nje fjale , fraza eshte shkurtim i nje fjalie. Te dyja gezojne te njejtin status ne fjali - si struktura ato gjenden diku midis fjalise dhe fjales." (1985:159)
2
Fraza, sipas një këndvështrimi semiotik, nuk është vetëm një konfigurim
specifik formal por karakterizohet edhe nga një përmbajtje semantike e caktuar
(abstrakte ose konkrete) (Phrase- Wikipedia, the free encyclopedia, November
2005)
Termi frazë në gjuhësinë shqipe nuk përputhet me atë të gjuhësisë angleze.
Në: "Fjalori i Shpipes së Sotme" 2002, gjejmë këtë përkufizim të fjalës frazë:
Frazë: tërësi fjalësh të lidhura sipas rregullave gramatikore të cilat shprehin
një mendim të plotë; gjuh.periudhë
Në: "Fjalori i Termave të Gjuhësisë" Tiranë 1975 frazë identifikohet me
ekuivalentet e saj në disa gjuhë:
Fr. phrase
Angl. phrase
Gjerm. phrase
It. Frase
Në botimin e Prof. Dr. Rami Memushaj “Gjuhësia Gjenerative” Tiranë
2003:100-101, termi gjegjës në gjuhën shqipe i asaj çka shënon fjala frazë në
gjuhën angleze është termi sintagmë. Por, këto dy terma nuk duhet të
ngatërrohen me njeri-tjetrin. Në analizën tradicionale sintaksore që ndiqet në
gramatikën e akademisë sonë të shkencave, fjalia zbërthehet në togfjalësha që
përkufizohen si lidhje nënrenditëse fjalësh emërtuese të cilat përbëjnë edhe
gjymtyrët e togfjalëshit, ndërsa analiza e përbërësve sintaksorë (constituents) që
përdoret nga gjuhësia moderne e zbërthen fjalinë në përbërës që mund të jenë
togfjalësha, gjymtyrë fjalie ose pjesë gjymtyrësh. Pra, togfjalëshi dhe sintagma
3
nuk përputhen plotësisht midis tyre. Sintagma ose fraza, siç do ta shohim edhe
në vijim të punimit tonë, mund të jetë një togfjalësh ose të përfshijë edhe dy a
më shumë togfjalësha, por mund të jetë edhe një gjymtyrë fjalie. Pra, togfjalëshi
përbën një nga mundësitë e realizimit të sintagmës dhe jo një njësi sintaksore të
veçantë. “Sintagma është njësi me madhësi të papërcaktuar; si sintagmë mund
të shërbejë një fjalë e vetme por edhe një fjali e varur. Sintagma është më fort
një njësi pune e gramatikës gjenerative. Ajo nuk duhet ngatërruar me
togfjalëshin e sintaksës tradicionale”. (Rami Memushaj “Gjuhësia
Gjenerative”, Tiranë 2003: 100) 3
Me fjalë të tjera fraza duhet parë si kategori ku përfshihen përbërës heterogjenë
por që vlerësohen përparësore disa tipare që do t’i shohim më poshtë të
realizuara në një frazë emërore:
Mëvehtësia e saj kuptimore çka siguron aftësinë e saj për të qëndruar vetëm si
përgjigje e një pyetjeje:
[Veshët] më shungullojnë nga një ulërimë ngadhnjimi të brendshëm.
(I.Kadare"Hija":13)
Cilat më shungullojnë…? [Veshët]
Zëvendësimi isaj me një përemër
3 Në punimin tonë do të parapëlqenim përdorimin e termit frazë dhe jo sintagmë për disa arsye: së pari, për të shmangur çdo lloj paqartësie lidhur me termat e përdorur; pra, ndërsa themi gramatika e strukturës së frazës pse duhet të themi sinatgma emërore dhe jo fraza emërore?, së dyti, sepse termi frazë është konsoliduar tashmë si term në gjuhësinë moderne dhe së treti, sepse termi sintagmë, i përdorur nga F. de Saussre në botimin e tij të vitit 1949 ″Cours de linguistique generale″, dhe termi togfjalësh i përdorur fillimisht në gjuhësinë shqipe nga S.Floqi(“Çështje të teorisë së togfjalëshit në shqipen e sotme”, Studime filologjike, Tiranë, 1968, Nr. 1), janë terma të vjetëruar që lidhen më tepër me gjuhësinë tradicionale.
4
[Veshët](=ato) më shungullojnë…
Aftësia e zhvendosjes në pozicione të ndryshme në fjali:
[Veshët] më shungëllojnë… ose më shungëllojnë [veshët]…
Pra, në aspektin sintaksor fraza do të ishte një kategorizim abstrakt i një a më
shumë përbërësve heterogjenë duke u nisur nga fakti kuptimor. Termi frazë
është një term i ri që nuk pajtohet me terminologjinë tradicionale dhe aktuale të
gjuhës shqipe. Fraza nuk përputhet me togfjalëshin. Me frazë kuptojmë një ose
më shumë përbërës të cilët, të veçuar ose së bashku, kanë një kuptim të
mjaftueshëm në fjali (çdo element i frazës kontribuon për plotësimin semantik
të saj prandaj formojnë një të tërë). Hierarkia e lidhjeve sintaksore shpreh
lidhjen semantike objektive të realitetit.
Pwrqasje e frazave emwrore nw rrafshin strukturor dhe funksional
Bazuar në analizën e mësipërme të frazave emërore në të dyja gjuhët dhe
konkretisht, në përqasjen e tipave ndërtimorë që gjenerojnë fraza emërore si dhe
funksioneve të tyre, kemi mbërritur në përfundimin se frazat emërore të gjuhës
angleze ngjajnë me ato të shqipes për nga tipat kryesorë ndërtimorë, por
dallojnë prej tyre nga mënyra e realizimit konkret në secilën gjuhë të këtyre
tipave. Le të përmendim pra, drejtimet kryesore të ngjashmërive dhe dallimeve
që i afrojnë dhe largojnë dy gjuhët nga njëra-tjetra, duke vënë në dukje nga
njëra anë, universalitetin e parimeve bazë gramatikore dhe nga ana tjetër
individualitetin, të veçantën e secilës gjuhë:
1. Në të dyja gjuhët frazat emërore:
përbëhen nga një kokë e shprehur me emër ose përemër:
5
[the house], [She] speaks fluently.
[shtëpia] [Ajo] flet rrjedhshëm.
mund të marrin specifikues të njejtë: përemra(dëftorë, të pacaktuar, pronorë),
numërorë:
[this girl] [kjo vajzë]
[some students] [disa studentë]
[two criminals] [dy kriminelë],
si dhe nyjën një(njejës) ose ca(shumës).4
Përsa i përket specifikuesve, anglishtja dallon nga shqipja në përdorimin e nyjës
shquese the si specifikues. Në gjuhën shqipe shquarsia jepet me mbaresat
shquese, sepse nyja shquese në këtë gjuhë i është prapangjitur temës së emrit
duke kryer po ato funksione që kryen nyja the e anglishtes. Pra, shqipja ka një
system të tërë mbaresash të lakimit të shquar dhe një tjetër të lakimit të
pashquar. Siç e përmendëm më lart, ky i fundit shoqërohet edhe me fjalët
specifikuese një (njejës), ca (shumës).
Të ngjashme në të dyja gjuhët janë nyjat joshquese një dhe a (an) në përdorimin
e tyre me kuptim përgjithësues:
[A lion] is a ferocious beast.
[Një luan] nuk mposhtet lehtë.
4 Ne botimin e Akademise se Shkencave te Shqipërisë, “Gramatika e Gjuhës Shqipe 2” Tiranë, 2002 fjalet nje dhe ca perfshihen tek peremrat ose numeroret.
6
Anglishtja dhe shqipja ngjajnë në përdorimin e shpeshtë të nyjës joshquese
a(an)/një për të realizuar kundërvënien me nyjën shquese the në anglisht, dhe
sistemin mbaresor të lakimit të shquar në shqip:
Bring me a book! Bring me the book!
Më sill një libër! Më sill librin!
Specifikuesit më të përdorshëm në të dyja gjuhët janë nyjat joshquese dhe
shquese në anglisht dhe nyjat joshquese si dhe mbaresat shquese dhe joshquese
në shqip.
2. Një tip ndërtimor i përbashkët për të dyja gjuhët është ai i frazave emërore të
përbëra nga një emër i përveçëm (FE → Ep). Dallimi midis dy gjuhëve qëndron
në faktin se në gjuhën shqipe emrat e përveçëm, sipas funksioneve (d.m.th. në
funksione të caktuara), përdoren me mbaresa shquese dhe joshquese:
Liz went out
Liz-a doli. (kryefjalë-trajta e shquar, rasa emërore,)
Pra, në gjuhën shqipe, shquarja ose mosshquarja e emrave të përveçëm varet
nga funksionet sintaksore që ato kryejnë duke u afruar kështu me rregullat e
shquarsisë dhe të pashquarsisë së emrave të përgjithshëm. Në gjuhën angleze,
emrat e përveçëm përgjithësisht nuk shquhen. Përmendëm më lart, që ata janë
nga vetë natyra e tyre të shquar prandaj dhe nuk marrin tregues gramatikorë të
shquarsisë.
3. Frazat emërore të tipit FE → E i përgjithshëm, janë të ngjashme në të dyja
gjuhët në rastet kur koka e frazës përdoret me specifikues të tjerë përveç nyjave
7
apo mbaresave që përmendëm më lart. Edhe këtu ngjashmëria qëndron në llojin
e specifkuesit të përdorur dhe pjesërisht në vendin që ai ka në frazën emërore,
pasi përemrat pronorë në gjuhën shqipe i pasvendosen kokës emërore të frazës,
ndryshe nga gjuha angleze, ku ata vendosen para saj:
[my house] [shtëpia ime].
Të ngjashme brenda këtij tipi ndërtimor janë frazat me emra përmbledhës dhe
me emra të panumërueshëm(fq.24).
4. Dallojnë nga njëra gjuhë tek tjetra ndërtimet e tipit FE → Egj. Dallimi është
rezultat i ndërtimit të veçantë të gjinores në gjuhën angleze me mbaresën ’s. Ky
ndërtim i veçantë kushtëzon edhe vendin e ndryshëm të gjinores në të dyja
gjuhët: në gjuhën angleze emri në gjinore është element që i paravendoset kokës
së frazës, ndërsa në gjuhën shqipe element që i pasvendoset asaj:
Pyle’s dog
Qeni i Pailit
Në gjuhën angleze, emri në rasën gjinore përbën në vetvete një frazë të plotë
emërore, ndërsa në gjuhën shqipe një element të varur të frazës emërore.
Karakteristike për gjuhën angleze është edhe gjinorja si specifikues: [Kim’s
father] ku Kim’s = the/his/this, d.m.th. me një specifikues.
Në gjuhën shqipe emri kokë del me mbaresa shquese pra, gjinorja në këtë gjuhë
nuk e kryen funksionin e specifikuesit.
Gjuhët angleze dhe shqipe ngjajnë në rendin e gjinores si kryefjalë eliptike, në
8
rastet e gjinores së zhdrejtë që në gjuhën shqipe është rregullisht gjinore e
drejtë, dhe në rastin e kallëzuesit emëror në shqipe ose kallëzuesorit në anglisht:
All this is Paul’s
E gjithë kjo është e Polit.
Dallon gjinorja përshkruese e gjuhës angleze nga ndërtimet ekuivalente në
gjuhën shqipe që janë të tipit E + E në rrjedhore përshkruese: ditë vjeshte, zë
baritoni, këngë kurbeti, etj.
5. Një nga tipat më prodhimtarë të frazave emërore në të dyja gjuhët janë edhe
FE → E(FE) + M. Ajo që i dallon frazat emërore të këtij tipi në gjuhën angleze
nga gjuha shqipe, është vendi i ndryshëm i mbiemrave. Në gjuhën angleze
mbiemrat janë gjymtyrë e paravendosur në frazat emërore, ndërsa në gjuhën
shqipe ato i prapavendosen kokës së frazës. Në krahasim me anglishten ku
mungojnë format gramatikore të përshtatjes së mbiemrit me emrin, në gjuhën
shqipe mbiemri përshtatet me emrin në gjini, numër dhe rasë (mbiemrat e
panyjshëm vetëm në gjini dhe numër). Si rrjedhim, rendi i mbiemrave në një
frazë emërore në gjuhën angleze është më i ngurtë krahasuar me atë të gjuhës
shqipe. (fq.32)
6. Një tip i përbashkët frazash emërore në të dyja gjuhët është edhe ai FE →
E(FE) + FP, pra, fraza emërore ku koka pasohet nga një frazë parafjalore. Këto
tipa frazash janë prodhimtare në të dyja gjuhët. Ngjashmëria qëndron në faktin
se vendi i frazës parafjalore është pas kokës së frazës si në gjuhën angleze dhe
në atë shqipe, d.m.th. element i pasvendosur. Realizohen në mënyrë të
ndryshme në gjuhën shqipe ndërtimet e gjuhës angleze me parafjalën of. Në
gjuhën shqipe këtyre ndërtimeve do t’i përgjigjej një ndërtim i tipit E + E në
rrjedhore:
9
[a message of regret]
[mesazh keqardhjeje],
ose ndonjë frazë tjetër me parafjalën for:[the name for it] që në shqip do të jepej
me një gjinore: [emri i saj]
7. Ngjashmëri midis dy gjuhëve vërehet edhe në rastet e frazave emërore të tipit
FE → FE + sifjali lidhore, ku sifjalia lidhore apo përcaktore në të dyja gjuhët
është element i varur i pasvendosur i frazës emërore:
[the student who arrived early]
[studenti që arriti herët ]
Ngjashmëria brenda këtij tipi ndërtimor ka të bëjë edhe me mjetet lidhëse që
janë të ngjashme për nga lloji në të gjuhët, ndonëse format gramatikore të
përemrave lidhorë në gjuhën shqipe janë më të shumta si pasojë e
karakteristikës së njohur të kësaj gjuhe: eptimit të pasur.
8. Të ngjashme në të dyja gjuhët janë edhe ndërtimet e tipit FE→E + Ndajshtim
Si në gjuhën angleze edhe në gjuhën shqipe, ndajshtimi i paveçuar tregon
profesion, titull, marrëdhënie farefisnie, emër të përveçëm të një frymori a
sendi:
[the opera “Carmen”]
[Kolonel Petroja]
Në gjuhën angleze pozicioni i ndajshtimit të paveçuar është përgjithësisht pas
emrit kokë, ndërsa në gjuhën shqipe pozicioni më i zakonshëm i ndajshtimit
10
është para emrit kokë, por mund të dalë edhe pas tij si p.sh: [rruga “Zoti
Princ”]
9. Frazat emërore koka e të cilave është një përemër janë të përbashkëta në të
dyja gjuhët. Ato janë të ngjashme përsa i përket llojit të përemrave që dalin si
kokë e frazës emërore, përgjithësisht përemrat vetorë, pyetës, dëftorë e të
pacaktuar. Ajo që i dallon këto fraza mes dy gjuhëve, është larmia e formave
gramatikore të përemrave në gjuhën shqipe në krahasim me format e kufizuara
të përemrave në gjuhën angleze:
he told us (ai) na tha neve
for us për ne
from us prej nesh
10. Meqenëse krahasimi i frazave emërore në të dyja gjuhët u bë edhe në
rrafshin funksional, përfundimi që rrjedh nga ky krahasim është se gjuha
angleze dhe shqipe janë të ngjashme edhe përsa i takon funksioneve sintaksore
bazë të frazave emërore, duke qenë se në të dyja gjuhët ato funksionojnë si
kryefjalë, kundrinor dhe kallëzuesor apo kallëzues emëror. Rendi i frazave
emërore në gjuhën angleze, në varësi të funksionit që ato kryjnë në fjali, është i
ngurtë në krahasim me gjuhën shqipe, ku rendi është më i lirë për shkak të
eptimit të pasur. Në rastin e kallëzuesorit, në gjuhën shqipe, në vend të nyjës
joshquese një përdoret nyja zero që shpreh lloj:
Ai është doktor. (nyjë zero)
He is a doctor. (nyja a)
Përfundimet e mësipërme vërtetojnë teorinë e gjenerativistëve mbi
universalitetin e parimeve të përgjithshme gramatikore, duke ndriçuar faktin se
11
gjuhë të ndryshme si anglishtja dhe shqipja, kanë në bazë të sistemit të tyre
gramatikor të njejtat parime absolute që realizohen në parametra të veçantë në
secilën gjuhë, duke ruajtur karakteristikat dhe individualitetitin e tyre.
12
BIBLIOGRAFI
1. V. J. Cook: ″Chomsky’s Universal Grammar″An Introduction, Great
Britain: 1991
2. John Lyons "Introduction to Theoritical Linguistics", Cambridge
University Press, London 1968
3. Andrew Radford, “Tansformational Syntax” Cambridge Textbooks in
Linguistics, 1980,
4. English Grammar textbook˝Cambridge University Press, 2003
5. M.A.K. Halliday, ˝An introduction to Functional Grammar˝, Great
Britain, 1991
6. R. Huddleston “Introduction to the Grammar of English” 1989
7. R. Memushaj "Gjuhësia Gjenerative", Tiranë, 2002
8. Fjalori i Shpipes së Sotme, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë,
2002
9. Fjalori i Termave të Gjuhësisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Tiranë 1975
10. M. Çeliku, F. Karapinjalli, R.Stringa “Gramatika praktike e gjuhës
shqipe” Tiranë 1998:422.
13
11. M. Çeliku “Probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë,
1997
12. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, “Gramatika e Gjuhës Shqipe”
Tiranë, 2002
14